Tragjedi në Itali: 78-vjeçari me origjinë nga Maqedonia humb jetën në aksident, lë pas bashkëshorten dhe tre fëmijë
Një shtetas 78-vjeçar me origjinë nga Maqedonia, Ismail Asanoski, ka humbur jetën tragjikisht në një aksident të rëndë trafiku në Itali, pas përplasjes së drejtpërdrejtë të veturës së tij me një kamion të ngarkuar me zhavorr.
Aksidenti ndodhi më 29 tetor, rreth orës 15:40, në rrugën Stradonelli, në qytetin Susegana, në provincën e Trevizos.
Asanoski, i cili jetonte në Conegliano, po drejtonte një veturë „Škoda Kodiaq“, kur për arsye ende të panjohura kaloi në korsinë e kundërt dhe u përplas me kamionin.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se drejtuesit mund t’i jetë përkeqësuar papritur gjendja shëndetësore gjatë vozitjes, por ky version ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Përplasja ishte jashtëzakonisht e fuqishme. Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të shpëtimit, ndihmës së shpejtë dhe helikopterit mjekësor, mjekët nuk arritën t’ia shpëtonin jetën.
