“Krim tronditës” – reagime nga mbarë bota pas sulmit në Poloni
Udhëheqës dhe zyrtarë të lartë nga vende të ndryshme të botës kanë reaguar pas sulmit me armë në Krakov të Polonisë, ku u vranë gjashtë persona dhe u plagosën rreth një duzinë të tjerë.
Sipas policisë polake, një burrë hyri me veturë në shesh rreth orës 15:00 dhe hapi zjarr ndaj njerëzve në mënyrë të rastësishme.
Në mesin e të plagosurve ka edhe zyrtarë policorë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ishte ndër të parët që reagoi, duke e cilësuar ngjarjen si një “krim tronditës”.
“Në emër të popullit ukrainas dhe personalisht, u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjeve dhe të afërmve të viktimave. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për këtë sulm dhe besojmë se autori do të përballet me drejtësinë”, tha ai.
Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, e cilësoi lajmin “të tmerrshëm” dhe shprehu ngushëllime për familjet dhe miqtë e viktimave.
Edhe kryeministri i Republikës Çeke, Andrej Babiš, tha se mendimet e tij janë me viktimat, familjet dhe të afërmit e tyre, ndërsa të plagosurve u uroi shërim të shpejtë.
“Shpreh mbështetjen time të plotë për Poloninë dhe kryeministrin Donald Tusk në këtë kohë të vështirë”, tha ai.
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, deklaroi se ishte “thellësisht i trishtuar” nga të shtënat, duke shtuar se Lituania qëndron në solidaritet me popullin polak.
Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, tha se ishte “i tmerruar” nga lajmi dhe se mendimet e tij janë me popullin polak dhe të gjithë të prekurit nga tragjedia.
Presidenti i Sllovakisë, Peter Pellegrini, tha se sulmuesi “mori jetë të pafajshme dhe solli dhimbje të madhe për familjet dhe komunitetin”.
“Dhuna dhe urrejtja nuk kanë vend në shoqëritë tona”, deklaroi Pellegrini.
Edhe nga Hungaria erdhi një mesazh solidariteti, ndërsa kryeministri Péter Magyar u shprehu ngushëllime “miqve polakë” dhe tha se Hungaria qëndron pranë Polonisë.
Ambasadori i SHBA-së në Poloni, Tom Rose, tha se një “sulm i egër dhe vrasës” kishte “shkatërruar paqen e Polonisë”.
“Amerika qëndron me Poloninë në këtë orë të errët”, deklaroi ai.
Ambasadorja britanike në Poloni, Melinda Simmons, përcolli një mesazh të ngjashëm: “Mbretëria e Bashkuar qëndron pranë Polonisë”.
Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se “Polonia nuk qëndron vetëm” dhe se tragjedia në Krakov do të ndihet shumë përtej kufijve të vendit.
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, tha se ishte e trishtuar nga të shtënat në një pasdite që duhej të ishte paqësore.
Ajo falënderoi policinë dhe shërbimet e emergjencës për reagimin e shpejtë dhe për vënien e situatës nën kontroll.
“Qëndro i fortë, Krakov”, tha Metsola.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, tha se kishte marrë “dhjetëra” mesazhe ngushëllimi nga homologë të tij nga e gjithë bota.
“Miliona njerëz nga e gjithë bota që kanë vizituar Sheshin Kryesor të Tregut në Krakov e ndiejnë dhimbjen tonë veçanërisht thellë dhe po qëndrojnë me ne në solidaritet”, dekloaroi Sikorski.
