SHBA-ja dhe BE-ja e sanksionuan, Rusia e dërgon në bisedimet për përfundimin e luftës
Shefi i inteligjencës ushtarake të Rusisë, Igor Kostyukov, do të jetë pjesë e delegacionit të Moskës në bisedimet trepalëshe me Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat pritet të mbahen javën e ardhshme në Abu Dhabi.
Takimi synon të shqyrtojë mundësitë për përfundimin e luftës në Ukrainë dhe përbën një tjetër përpjekje të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për të arritur një marrëveshje mes palëve.
Lajmi për pjesëmarrjen e Kostyukovit është bërë i ditur nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve Interfax, e cila ka raportuar për përbërjen e delegacionit rus.
Pjesëmarrja e tij tërheq vëmendje edhe për shkak se zyrtari i lartë rus është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, shkruan skynews .
Uashingtoni e sanksionoi Kostyukovin në vitin 2016, për shkak të dyshimeve për përfshirjen e tij në ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane, të cilat i fitoi Donald Trump.
Ndërkaq, Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj tij në vitin 2022, pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte deklaruar më herët se Rusia po përgatitej për bisedimet e ardhshme duke lëshuar raketa balistike.
Bisedimet në Abu Dhabi pritet të bashkojnë përfaqësuesit e tri vendeve në përpjekjen për të gjetur një rrugë drejt përfundimit të luftës, e cila nisi me pushtimin e plotë rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. /Telegrafi/
