TË FUNDIT

Veliaj mesazh me “Inteligjencë Artificiale”: Do t’u qëndroj besnik prioriteteve të mia

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka publikuar një mesazh të realizuar me Inteligjencë Artificiale, përmes të cilit përcjell një reagim lidhur me situatën e tij të paraburgimit, ndërsa thekson se vijon të jetë i përqendruar te projektet për kryeqytetin.

Në mesazhin e shpërndarë, Veliaj rendit ato akte që i cilëson si padrejtësi ndaj tij, duke përmendur largimin nga zyra, përpjekjet për shkarkimin nga detyra, paraburgimin prej 20 muajsh dhe transferimin nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, ai pretendon se ka vijuar të miratojë projekte në funksion të qytetit. Sipas Veliajt, vetëm së fundmi janë miratuar projektet për ndërtimin e 15 çerdheve dhe kopshteve të reja në Tiranë.

Ai shton se, me këto projekte, numri i çerdheve dhe kopshteve të ndërtuara ose të projektuara gjatë administrimit të tij arrin në 130.

Në fund të mesazhit, Veliaj thekson se nuk do të heqë dorë nga prioritetet e tij, pavarësisht se ku mund të “internohet”.

“ Pasi më rrëmbyen nga zyra e Kryetarit të Bashkisë me letra anonime, pasi tentuan të më shkarkonin nga detyra në mënyrë antikushtetuese, pasi e bënë çorbë menaxhimin e Tiranës, pasi më persekutojnë dhe më mbajnë në paraburgim politik prej 20 muajsh, në një ping-pong gjykatash, pasi më rrëmbyen për të më ndërruar birucën pa një shkresë te vetme dhe pasi më kërcënuan edhe aty, përsëri sot miratova projektet për 15 çerdhe dhe kopshte të reja për fëmijët e Tiranës!

Me këto projekte, numri i çerdheve dhe kopshteve të ndërtuara apo të projektuara gjatë administrimit tim arrin në 130! Jo në Durrës e Fier, por edhe në Hënë po të duan të më internojnë, unë do t’u qëndroj besnik prioriteteve të mia”, theksoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *