POLITIKATË FUNDIT

Në diskursin publik maqedonas ka keqardhje për humbjen e Vuçiqit në Serbi

Lupço Popovski: Një pjesë e opinionit në Maqedoninë e Veriut nuk besonte se studentët mund ta mposhtnin makinerinë politike të presidentit serb

Në diskursin publik maqedonas vërehet një lloj keqardhjeje për humbjen e Aleksandar Vuçiqit në zgjedhjet në Serbi, veçanërisht për faktin se ai u mposht nga një lëvizje studentore pa lider të përcaktuar dhe me kandidatë kryesisht të panjohur për opinionin publik.

Kështu vlerëson publicisti Lupço Popovski në një analizë të publikuar në Deutsche Welle, ku trajton jehonën e zhvillimeve politike në Serbi në opinionin maqedonas, si dhe mënyrën se si është perceptuar beteja e studentëve kundër pushtetit të Vuçiqit, përcjell agjencia e lajmeve INA.

Sipas Popovskit, një pjesë e analistëve dhe opinionit publik në Maqedoninë e Veriut e konsideronin pothuajse të pamundur humbjen e Vuçiqit, duke pasur parasysh kontrollin e tij mbi mediat, institucionet dhe mekanizmat organizativë të pushtetit.

Lëvizja studentore, sipas tij, shpesh është vlerësuar si një koalicion heterogjen, pa ideologji të përbashkët dhe me figura të panjohura. Madje, janë ngritur pikëpyetje edhe për qëndrimet e saj ndaj Kosovës dhe lidhjeve të Serbisë me Rusinë.

Megjithatë, Popovski thekson se këto vlerësime nuk e pasqyrojnë plotësisht atë që ka ndodhur në Serbi pas tragjedisë së shembjes së strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor 2024.

Ai vë në pah marshimet e gjata të studentëve nëpër qytetet dhe fshatrat e Serbisë, udhëtimet me biçikleta deri në Strasburg dhe përpjekjet për t’i shpjeguar publikut kërkesat për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe çlirimin e institucioneve nga ndikimi politik.

Në analizë bëhet edhe një krahasim me Revolucionin Laraman në Maqedoninë e Veriut, por Popovski konsideron se lëvizja studentore serbe kishte një dimension tjetër, veçanërisht për nga shtrirja territoriale, qëndrueshmëria dhe përpjekjet për të komunikuar drejtpërdrejt me qytetarët në të gjithë vendin.

Autori kritikon gjithashtu një pjesë të opinionit maqedonas që, sipas tij, nuk arriti të kuptonte se të rinjtë jashtë strukturave partiake mund të krijonin strategji të qëndrueshme për t’u përballur me një makineri të fuqishme politike.

Një pjesë të rëndësishme të analizës Popovski ia kushton edhe Bashkimit Evropian, duke kritikuar liderët evropianë për tolerimin dhe mbështetjen e gjatë ndaj Vuçiqit, në emër të stabilitetit politik në rajon. Sipas tij, Brukseli për vite me radhë preferoi një partner të parashikueshëm në pushtet, pavarësisht kritikave për regres demokratik në Serbi.

Popovski ndalet edhe te marrëdhëniet politike ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe Partisë Progresive Serbe (SNS), duke përmendur përpjekjet e partive maqedonase për t’u distancuar nga lidhjet politike me Vuçiqin pas zhvillimeve të fundit në Serbi.

Në këtë kontekst, ai rikthen në vëmendje edhe përplasjet e vitit 2017 ndërmjet Vuçiqit dhe ish-kryeministrit Zoran Zaev, kur presidenti serb përdorte termin „skenari maqedonas“ për të paralajmëruar kundër një zhvillimi të ngjashëm politik në Serbi.

Në përfundim, Popovski thekson se humbja e një lideri autoritar është vetëm fillimi i procesit, ndërsa sfida e vërtetë mbetet çmontimi i institucioneve të ndërtuara mbi kontrollin politik.

Sa u përket studentëve në Maqedoninë e Veriut, autori vëren se ata aktualisht janë të angazhuar në betejën për rritjen e shumës së racionit studentor, duke e krahasuar këtë mobilizim me përmasat e lëvizjes studentore në Serbi.(INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *