Kjo komunë zvicerane u dhuron nga 100 franga të gjithë banorëve
Një komunë në Zvicër ka vendosur t’i shpërblejë të gjithë banorët e saj me nga 100 franga, pas një suficiti të konsiderueshëm të regjistruar në buxhetin komunal.
Bëhet fjalë për komunën e Baar-it , në kantonin e Zug-ut, ku 25.540 banorë do të përfitojnë nga 100 franga Baar, në kuadër të vendimit të marrë në kuvendin komunal më 10 qershor 2026.
Në atë mbledhje u diskutua se si duhej të përdorej suficiti prej 55.5 milionë frangash zvicerane, i mbetur në buxhetin e komunës në fund të vitit fiskal 2025.
Fillimisht, partia “Die Mitte” propozoi që secili banor të përfitonte nga 15 franga Baar. Ndërkaq, Partia Socialdemokrate (SP) kërkoi që kjo shumë të rritej në 100 franga, transmeton Telegrafi.
Propozimi i SP-së u miratua me 138 vota pro dhe 127 kundër, duke bërë që shuma totale e kuponëve për banorët të arrijë në 2 milionë e 554 mijë franga.
Kuponët do të dërgohen në dhjetor
Sipas njoftimit të komunës, përfitues do të jenë 25.540 personat që ishin të regjistruar si banorë të Baar-it në datën përkatëse të përcaktuar për këtë vendim.
Për shpërndarjen e shumës është zgjedhur një sistem digjital, në bashkëpunim me Shoqatën e Biznesit Baar, e cila administron monedhën lokale “Frangu Baar”.
Secili përfitues do të marrë në dhjetor një kupon të personalizuar me kod individual QR, përmes shërbimit postar A-Post Plus.
Kuponët mund të përdoren në bizneset pjesëmarrëse në komunën e Baar-it dhe do të kenë vlefshmëri prej dy vjetësh.
Sistemi i ri digjital synon ta bëjë procesin më të sigurt, transparent dhe të gjurmueshëm. Gjithashtu, bizneset nuk do të kenë më nevojë t’i këmbejnë kuponët në Bankën Kantonale të Zug-ut, pasi vlerën përkatëse do ta marrin drejtpërdrejt nga komuna.
Pas përfundimit të afatit dyvjeçar, kuponët e pashfrytëzuar dhe bilancet e mbetura do të skadojnë.
Komuna ka bërë të ditur se sistemi digjital e-guma do të vazhdojë të përdoret edhe pas përfundimit të kësaj fushate, ndërsa Frangu Baar do të ofrohet në të ardhmen edhe në formë digjitale, krahas versionit tradicional në letër. /Telegrafi/
