Bursa deri në 18.000 denarë në muaj për studentët, Ministria shpall konkursin
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shpallur konkursin për ndarjen e 3.000 bursave studentore për vitin akademik 2026/2027, duke prezantuar një model të ri të shpërndarjes së mbështetjes financiare për studentët.
Sipas modelit të ri, bursat janë ndarë në tri kategori: 1.200 bursa për mbështetje sociale, 1.050 bursa strategjike dhe 750 bursa për studentët me sukses të lartë akademik.
Për herë të parë, në kuadër të bursave sociale parashihen edhe 50 bursa për studentët me aftësi të kufizuara dhe 50 për studentët me sëmundje të rralla.
Bursat strategjike u dedikohen studentëve që studiojnë në fusha me rëndësi të veçantë për zhvillimin e vendit, si matematika, fizika, kimia, bujqësia, pylltaria, biologjia mësimore dhe xehetaria.
Ndërkaq, bursat për sukses të lartë akademik u dedikohen studentëve që kanë notë mesatare së paku 8.50.
Lartësia mujore e bursave strategjike është 18.000 denarë, ndërsa bursat sociale dhe ato për sukses të lartë akademik janë në vlerë prej 6.050 denarësh. Pagesa do të bëhet për nëntë muaj gjatë vitit akademik.
Aplikimi do të bëhet ekskluzivisht në mënyrë elektronike, përmes portalit e-uslugi.mon.gov.mk, nga 6 deri më 20 nëntor 2026.
Ministria sqaron se numri i përgjithshëm i bursave mbetet 3.000, ndërsa ndryshimi në model synon orientimin e mbështetjes drejt nevojave sociale, rezultateve akademike dhe fushave me interes strategjik për shtetin.
