Dhjetëra vajza kanë marrë vaksinën kundër kancerit të qafës së mitrës në Kosovë
Dhjetëra vajza kanë marrë vaksinën kundër kancerit të qafës së mitrës në Kosovë
Dhjetëra vajza janë vaksinuar me vaksinën kundër kancerit të qafës së mitrës. Vaksinimi është bërë në bazë vullnetare, ndërsa pritet që e njëjta të futet në kalendarin e rregullt të vaksinimit.
Sipas OBSH-së, vaksina rekomandohet te vajzat nga 9-15 vjet, ndërsa Ministria e Shëndetësisë planifikon që kjo vaksinë të futet në kalendarin e rregullt.
Nga 300 doza të vaksinës kundër kancerit të qafës së mitrës janë vaksinuar më se 40 vajza në Kosovë.
“Deri më tani janë vaksinuar 48 vajza, me vaksinën kundër HPV, të gjitha në vullnetin e tyre të shprehur për vaksinim. Vajzat e vaksinuara janë të grupmoshave të ndryshme. Asnjë rast nuk është raportuar për ndonjë efekt anësorë të mundshëm pas vaksinimit”, thuhet në përgjigjen e Institutit.
Onkologu Arben Bislimi e vlerëson si lajm pozitiv nisjen e aplikimit të kësaj vaksine, por thekson se është i vonuar si proces.
Arben Bislimi, kryetar i Shoqatës së Onkologëve
“Është lajm i mirë që ka ardhur, sepse është shumë efektiv. Në Kosovë regjistrohen rreth 60 raste në vit me kancer të qafës së mitrës”, tha Arben Bislimi, kryetar i Shoqatës së Onkologëve.Edhe prindërit e kanë mirëpritur këtë informatë, ndonëse kanë edhe dilema.Se ka interesim nga qytetarët tregojnë edhe në Institutin e Shëndetit Publik aty ku kjo vaksinë po jepet.
“Interesimi ka qene i shprehur nga qytetarët për të siguruar mbrojtje tek vajzat e moshave te reja. Ndërsa prioritet iu ofrohet atyre të cilat kanë histori familjare të sëmundjeve malinje. Dozat e tanishme janë në numër të kufizuar, ndërsa presim furnizime të reja”, thuhet në përgjigje.
Zëvendësministrja e shëndetësisë, Dafina Gexha, ka thënë se brenda vitit do të arrijnë numër më i madh i dozave.
“Në vitin 2022 për herë të parë Kosova ka siguruar 300 doza të para të kësaj vaksine dhe janë ftuar vajzat e familjeve që kanë indikacione apo histori pozitive të kancerit të qafës së mitrës te familjarët e tyre, ndërsa në vitin 2023 do të vijnë një numër më i madh i dozave”, deklaroi Dafina Gexha, zëvendësministre e Shëndetësisë, raporton Televizioni Publik i Kosovës.
Parandalimi i kancerit të qafës së mitrës, që bëhet përmes vaksinës kundër papilloma virusit është një nga pikat kryesore në kuadër të programit kombëtarë për kontrollin e kancerit.