Alban Hyseni injoron MAPL-në për shkurtimin e orarit të punës në komunë
Alban Hyseni injoron MAPL-në për shkurtimin e orarit të punës në komunë
Vendimin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni për shkurtimin e orarit të punës në muajin e Ramazan, për të gjithë zyrtarët që agjërojnë, e kanë arsyetuar sot zyrtarë të kësaj komune. Derisa e këtë e kanë komentuar ministri Administrimit të Pushtetit Lokal dhe komuniteti i biznesit.
Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi kanë thënë se nuk janë të informuar për këtë vendim, pavarësisht se është e obliguar që vendimet e tilla të raportohen në MAPL.
Zyrtarë të komunës së Gjilanit kanë thënë për KosovaPress se kësi lloj vendimi ka pasur për vite me radhë nga ish-kryetari, Lutfi Haziri.
Besart Selimi nga Zyra e kryetarit të Komunës së Gjilanit, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress ka thënë se qëllimi i vendimit është që të respektohet besimi e ritualet i secilit zyrtarë, ndërsa të lehtësohet sado pak përditshmëria e atyre që agjërojnë.
“Vendimi as nuk ka qene ide e as propozim nga kryetari, Alban Hyseni. Vendimi i tillë në Gjilan është nxjerr për vite me radhe nga ish kryetari i komunës dhe një numër shume i madh i zyrtareve kane kërkuar qe një vendim i tille te aprovohet përsëri. Qëllimi është qe te respektohet besimi e ritualet e secilit zyrtar, ndërsa te lehtësohet sado pak përditshmëria e atyre qe agjërojnë”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga zyra e kabinetit të kryetarit të Komunës së Gjilanit.
Ndërkaq, Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal tha se për vendimet e tilla kryetarët e komunave janë të obliguar të informojnë MAPL-në, megjithatë një gjë të tillë në këtë rast nuk e ka bërë kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.
Krasniqi tha se momentin që e pranojnë këtë vendim, do e trajtojnë sikurse secilën lëndë tjetër.
“Secilin vendim që e merr Kuvendi i Komunës, dërgohet për verifikim të ligjshmërisë në Ministri të Administrimit të Pushtetit Lokal, momentin kur ata e dërgojnë vjen tek ministria jonë dhe trajton fillimi i ligjshmërisë. Vendimet e kryetarit sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale janë të obliguara ku kryetarët e komunave të na informojnë mbi këto vendime në secilin fillim të muajit nga data 1 deri me datën 10. Në momentin kur ne e pranojmë këtë vendim mundemi të fillojmë dhe ta shohim secilin vendim…Ligji për Vetëqeverisje Lokale ja mundëson komunës dhe kryetarit edhe mundësimin e diskutimit paraprak të vendimeve, ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë për shkak se është një vendim i zyrtarit. Por, momentin që ne e pranojmë e trajtojmë sikurse secilën lënde tjetër”, tha Krasniqi.
Ndërkaq, Zana Beqiri, drejtoreshë nga Dhoma Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka thënë se një vendim i tillë nuk është më ligj, porse në deskrecion mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.
Megjithatë, Beqiri inkurajon edhe sektorin privat që të shohin cilat janë modalitetet që t’i përdorin në mënyrë që të mos shkelen të drejtat e punëtorëve.
“Vendimi i Gjilanit ka qenë vendim si punëdhënës dhe me ligj të punës si punëdhënës nuk jemi të obliguar të shkurtojmë orarin, megjithatë në një numër të rasteve edhe në shumë vende të botës praktikohet që në emër të orës së pauzës së drekës i shkurtohet orari. Ka raste të tilla kur kompanitë ose punëdhënësi qoftë publik ose privat që e përdorin si benifit për staf. Pra, nuk është me ligj, megjithatë është në diskrecionin si do ta aranzhojnë punëdhënësi me punëmarrësin…Inkurajomë edhe sektorin privat që të shohin cilat janë modalitetet që t’i përdorin në mënyrë që mos të shkelen të drejtat e punëtorëve, por edhe të shohin mundësitë që t’i trajtojnë sa më mirë punëtorët. Nëse punëdhënësi ose biznesi dëshiron t’i jap një orë shtesë atëherë nuk e ka të ndaluar por nuk e ka me ligj”, tha Beqiri.
Kujtojmë se më vendimin e nxjerrë më 23 mars, kryetari i Gjilanit Alban Hyseni i ka obliguar drejtoritë që të mbajnë evidencë për stafin që agjërojnë.
Sipas vendimit, orari i punës do të filloi nga ora 9:00 dhe do të zgjas deri në orën 16:00.
Vendimi ka hyrë në fuqi nga data 24, dhe do të jetë në fuqi deri më datën 20 prill.