Askush s’merr përgjegjësi për vrasjen e shtatzënës që ishte në “mbrojtje” të shtetit
Para se të vritej dje nga ish-burri i saj, Hamide Magashi, kishte kaluar nëpër rrugën që kalon pothuajse çdo grua që u vra viteve të fundit në Kosovë nga burrat. Prej muajsh, ajo e kishte denoncuar Sokol Halilin për dhunë dhe kanosje.
Vrasësi, edhe në këtë rast, nuk hasi në asnjë pengesë nga asnjë mekanizëm shtetëror, për ta kryer krimin në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar me një postim në Facebook rreth vrasjes, 21 orë pasi u bë publike se ajo kishte ndodhur. Ai tha se është tronditur dhe se ka kërkuar raport mbi rastin.
“…që nga momentet e para e në vazhdimësi kam kërkuar raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër”, ka shkruar ai.
Fatkeqësisht, historinë e tmerrshme të Hamide Magashin e mësuan të gjithë, por pasi ajo u vra.
Gjykata Themelore e Ferizajt dhe Prokuroria thonë se Policia e Kosovës e ka pasur detyrë ta zbatojë masën e urdhër-mbrojtjes, të lëshuar ndaj Sokol Halilit, që akuzohej për dhunë ndaj gruas së tij, të cilën e vrau dje.
Sveçla thotë se ka kërkuar të hetohet puna e policëve të përfshirë në trajtimin e këtij rasti.
“Në të njëjtën kohë kam kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti në secilën instancë. Pa asnjë dilemë, sapo të pranoj zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës.
Deri të enjten pasdite nuk ka asnjë shkarkim dhe asnjë dorëheqje.
Pas vrasjes, çështja më e komentuar ishte një shkrim i çuditshëm i Kryeministrit Albin Kurti i publikuar dje në Facebook.
Po raportohej se vrasja ishte kthyer brenda një institucioni publik dhe institucionet shtetërore ishin të njoftuara me dhunën e mëhershme të vrasësit ndaj viktimës. Kryeministri i vendit kishte provuar që t’i jepte një përshkrim letrar gjithë asaj që kishte ndodhur.
Reagimin që e kishte titulluar “dy engjëj në qiellin e pistë”, Kurti e përfundonte me mendimet që mund t’i ketë “armiku” për “dy shqiptarë më pak”.
Një përshkrim të ngjarjes dhe specifikisht të repartit të Gjinekologjisë ia ka bërë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Gruaja që priste fëmijën të sillte në këtë botë, vritet nga burri i saj, në vendin ku lindin fëmijët e vendit tonë, ku gratë bëhen nëna, nga atje ku lindë një jetë e re. Me shpresën për një botë më të mirë”, thuhej në postimin e Haxhiut.
Si erdhi burri dhunues deri te vrasja?
Autoritetet e drejtësisë kanë nxjerrë raporte lidhur me rastin e Hamide Magashit. Krerët institucionalë tanimë e kanë “historikun e rastit”, të cilin Sveçla tha se e ka kërkuar.
Prokuroria Themelore në Ferizaj thotë se me datë 20 korrik 2022, ka pranuar kallëzim penal kundër Sokol Halilit nga komuna e Shtimes, për shkak të dyshimit se ai ka kryer vepër penale “Dhuna në familje”.
Më 9 gusht, është intervistuar e dëmtuarën Hamide Magashi, dhe ka udhëzuar palën e dëmtuar në prezencë të mbrojtësit të viktimave nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave që funksion në kuadër të Prokurorisë së Shtetit që të bëjë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për marrjen e urdhrit mbrojtës.
Më 10 gusht të këtij viti, Sokol Halilit i ishte ngritur aktakuzë për kanosjen e Hamide Magashit.
Gjykata Themelore në Ferizaj më 13 shtator të këtij viti ka lëshuar aktvendimin për urdhër-mbrojtje. Prokuroria përmend se kompetent për zbatimin e urdhrit është Policia e Kosovës.
“Ky urdhër i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Policisë së Kosovës – Stacionit Policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, kompetent për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës”.
Nga Policia e Kosovës dhe nga Ministria e Brendshme akoma nuk është thënë asgjë rreth zbatimit të këtij urdhri.
Sipas ligjit, masa mbrojtëse e ndalimit të afrimit viktimës së dhunës në familje si dhe vartësit të tij/saj dhe personave tjerë nëse është e nevojshme, mund t’i shqiptohet personit i cili ka kryer dhunë në familje, nëse ekziston rreziku i përsëritjes së dhunës në familje.
Sokol Halilit i ishte shqiptuar kjo masë për gjashtë muaj.
Më 23 shtator, Halili, ishte shpallur fajtor për posedim të paautorizuar të armës. Siç njofton gjykata, ai i është shqiptuar dënim me gjobë.
Gazeta Express sot ka qëndruar te familja e gruas së vrarë dje në oborrin e QKUK-së. Siç thotë një nga motrat e viktimës, ajo priste të hynte në operim sot, më 1 dhjetor.
Familjarët janë shprehur të frikësuar se Sokol Halili, që është akoma në arrati, mund ta vrasë edhe dikë tjetër nga familja e tyre, pasi i kishte kërcënuar se do t’u hidhte “tri bomba” në shtëpinë e tyre në një fshat të Lipjanit. /Express