Sfidat në zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve
Sfidat në zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve
Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve ende nuk është mjaftueshëm i njohur për të gjithë zyrtarët dhe qytetarët e tjerë të punësuar në institucione publike dhe private. Kjo po konsiderohet sfidë për zbatimin e tij, duke shtuar këtu edhe mosimplementimin e tij në sektorin privat.
Përmes sinjalizimit, të punësuarit në sektorin publik dhe atë privat kanë të drejtë të raportojnë për keqpërdorime.
Megjithatë, drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj thotë se në këtë agjenci kohën e fundit ka pasur rritje të rasteve që paraqiten para zyrtarëve përgjegjës për sinjalizim.
“Vitet e fundit kemi parë rritje të vazhdueshme të rasteve që paraqiten para zyrtarëve përgjegjës për sinjalizim, qoftë brenda institucionit apo ndërmarrjet publike, apo tek ne. Rritja është e madhe, por nëse flasim me numra absolut nuk është që është numër tepër i madh. Nëse në vitin 2021 kemi pasur 9-10 raste, vitin e kaluar i kemi pasur 14. Ka një rritje nëse e marrim me përqindje është rritje e mirë sepse është mbi 40% rritje, por si numra nuk jemi ende të kënaqur se sa po përdoret ky mekanizëm nga ata që mund të kenë informata për keqpërdorime të ndryshme, duke përfshirë edhe korrupsionin”, u shpreh Buleshkaj.
Sipas Buleshkajt, rritje të rasteve të sinjalizimit ka edhe brenda institucioneve në të cilat janë rreth 170 zyrtarë përgjegjës për sinjalizim.
“Brenda institucioneve ky numër ka pasur rritje të vazhdueshme, nga viti 2021 kur ka qenë rreth 30, vitin e kaluar ka qenë 101, ku ka pasur institucione por edhe ndërmarrje publike që kanë trajtuar mbi 20 raste të sinjalizimit të brendshëm. Këtu vlen të përmendet rasti i mirë, po besoj, i KEK-ut ku kanë pasur mbi 27 raste të cilët i kanë trajtuar zyrtarët dhe kanë nxjerrë mbi 100 rekomandime të cilat gati të gjitha janë zbatuar tashmë nga menaxhmenti i KEK-ut. Po ashtu, kemi pasur edhe një praktikë të mirë të Ministria e Drejtësisë të cilët kanë trajtuar mbi 20 raste, ka pasur edhe të Qendra Klinike Universitare (QKUK) që kanë trajtuar rreth 20 raste. Duke parë si numër shihet që ky mekanizëm në disa institucione është përdorur mjaft mirë dhe mjaft shumë, të disa të tjera gati fare. Sepse i kemi rreth 170 zyrtarë përgjegjës brenda institucioneve dhe brenda ndërmarrjeve publike, ndërsa i kemi 100 raste të trajtuara, rreth 70 janë trajtuar vetëm nga tri institucione, të gjitha të tjerat i kanë trajtuar 30 raste”, thotë ai.
Ndërsa Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se fokusi kryesor duhet të jetë në vetëdijesim dhe informim të madh mbi mundësitë e sinjalizimit.
“Problematikë fillestare qe mund të përmendet në rastin konkret është fakti që ky ligj nuk është ende mjaftueshëm i njohur për të gjithë zyrtarët dhe në këtë drejtim, kjo më pas ndikon që të njëjtit ndoshta të mos e zbatojnë. Mundësitë e mëdha që i jep Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve, ka një dallim në këtë drejtim, në mes të sektorit publik dhe sektorit privat, pasi Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve zbatohet në të dy sektorët. S i përket sektorit publik, përkundër faktit që kanë ndodhur disa vonesa të theksuara prapëseprapë në njëfarë forme ato veprime të cilat kërkohen për konsolidimin e sistemit të sinjalizimit janë ndërmarrë, për shembull janë caktuar zyrtarët përgjegjës për trajtimin e rasteve të sinjalizimit. Dhe ka qenë ndoshta një lajm i mirë që të paktën në disa institucione kemi parë që janë gjeneruar një numër i caktuar i rasteve të sinjalizimit”, thotë Shala.
Ajo që ka ngecur, sipas drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, është përdorimi i këtij mekanizmi në ndërmarrjet private.
Buleshkaj thekson se vitin e kaluar janë paraqitur vetëm tri kompani të cilat kanë dorëzuar raport për caktimin e zyrtarëve përgjegjës.
Ndërsa ligji obligon kompanitë private që numërojnë 50 punëtorë të kenë një zyrtar përgjegjës për sinjalizim.
“Ajo që është tepër e rëndësishme dhe nuk është duke u zhvilluar është përdorimi i këtij mekanizmi në kuadër të ndërmarrjeve private. Kemi shumë pak ndërmarrje që e kanë caktuar e të gjitha ato që kanë mbi 50 punëtorë janë të obliguar të kenë një zyrtar… Vitin e kaluar i kemi vetëm tri kompani të cilat kanë dorëzuar të ne raport që i kanë caktuar zyrtarët, një nga to ka pasur edhe një rast që ka trajtuar, është një bankë, ndër bankat kryesore në Kosovë, një tjetër është ndërmarrje që ofron shërbime të telekomunikimit, dhe një tjetër është biznes që merret me tregti. Kemi shumë numër të vogël të këtyre kompanive që i caktojnë zyrtarët kontaktues dhe pastaj që trajtojnë raste”, thotë Buleshkaj.
Mungesën e zbatimit të Ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve në sektorin privat e thekson edhe Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
“Problematikë shumë e theksuar mbetët në sektorin privat për shkak se në sektorin privat duket se nuk ka një mbikëqyrje adekuate në kuptim të zbatimit të obligimeve dhe që realisht edhe nuk kemi informata nëse ka pasur sinjalizime nga ky sektor apo jo dhe në rastin konkret, duke pasur problemet e shumta me të cilat përballet sektori privat, definitivisht ndoshta mund të themi se ndërtimi ose konsolidimi i sistemit të sinjalizimit në sektorin privat është ende shumë më larg se ai në sektorin publik”, vijoi Shala.
Në Lëvizjen Fol, organizatë kjo që e bën monitorimin e zbatimit të këtij ligji, thonë se institucionet e Kosovës vazhdojnë të kenë mungesë të njohurve për zinxhirin raportues të sinjalizimit.
Hulumtuesja Albana Hasani thotë se ndër vështirësitë e evidentuara është edhe mospublikimi i emrave të zyrtarëve përgjegjës në web-faqet e institucioneve.
“Zyrtarët për mbrojtjen e sinjalizuesve janë duke u përballur me sfida të ndryshëm sa i përket zbatimit të ligjit, duke filluar nga mungesa e njohurive për zbatimin e ligjit, pra mungesa e njohurive rreth zinxhirit raportues të sinjalizimit, pastaj mungesa e kushteve për sinjalizim, për shkak se zyrtarët përgjegjës kanë theksuar se zyrat i ndajnë me kolegë, pastaj mungesa e konfidencialitetit, sidomos raportimet përmes emailave sepse sipas tyre të gjithë zyrtarët e IT-së kanë qasje në emailet zyrtarë, pastaj probleme të ndryshme të kësaj natyre që për bëjnë të pamundur zbatimin efikas të dispozitave të këtij ligji”, thotë Hasani.
Hasani vlerëson se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit nuk ka bërë sa duhet drejt zbatimit të këtij ligji, shkak sipas saj është mungesa e mekanizmave dhe kapaciteteve për monitorim.
“Ky joefikasitet në zbatim të ligjit rrjedh edhe prej faktit se qeveria e ka pasur obligim ligjor për nxjerrjen e akteve nënligjore për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit… Këto akte do të duhej të nxirreshin në korrik të vitit 2019 ndërsa të njëjtat janë nxjerrë në korrik të vitit 2021, pra dy vite pas obligimit. Kjo padyshim se lë për të nënkuptuar se ekziston një mungesë të vullnetit dhe një mungesë të seriozitetit”, thotë Hasani.
Ne janar të vitit 2019 ka hyrë në fuqi Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve i cili shërben edhe si udhërrëfyes ligjor që tregon se kush dhe si mund të bëhet sinjalizues. Ligji përfshin të dy sektorët, atë publik dhe privat.