TË FUNDIT

Kurti shkakton të qeshura në Kuvend: Pylli nuk duhet të injorohet për shkak të pemëve

Kurti shkakton të qeshura në Kuvend: Pylli nuk duhet të injorohet për shkak të pemëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sot në seancën e Kuvendit të Kosovës për zhvillimet e fundit në vend.

Duke folur për takimin e fundit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kurti ka folur edhe për pjesën e marrëveshjes ku flitet për themelimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe dhe statusin e Kishës Ortodokse serbe në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Kurti ka deklaruar se do të fillojë një proces të gjerë konsultimesh brenda Kosovës dhe me partnerët e vendit, pakicat e tjera të vendit, në mënyrë që të diskutohet në mënyrë gjithëpërfshirëse për këtë çështje.

Por, ai ka garantuar se nuk do të ketë autonomi brenda territorit të Kosovës.

“Unë kurrë, e përsëris, kurrë, nuk do ta konsideroj asnjë model të autonomisë territoriale”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se në marrëveshjet që janë nënshkruar më herët nga qeveritë e kaluara të vendit, është përfshirë edhe pjesa e autonomisë së territorialitetit, duke thënë se kjo ka qenë e gabueshme andaj edhe nuk do të përsëritet.

“Andaj, unë ju ftoj të gjithëve si deputetë të Kuvendit të Kosovës, të kalojmë nga standardet e Daçiqit e Vuçiqit në vitin 2013, në standardet e Këshillit të Evropës dhe vullnetit qytetar”, ka thënë Kurti duke nxitur reagimin e deputetëve të opozitës në Kuvend.

Ai nuk ka lënë anash as krahasimet e tij rreth qasjes së bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë.

“Shpesh herë është vendosur që Serbia të shihet përmes gishtave, me një sy, ose edhe me sy mbyllur kur ajo sillet në mënyrë dekonstruktive. Asnjë vend i cili synon të bëhet anëtar i BE-së, nuk do të tolerohej në këtë formë. Nuk na pëlqen aspak kjo dinamikë, por pylli nuk duhet të injorohet për shkak të pemëve. Kjo është arsyeja pse unë si kryeministër i republikës, kam thënë se jam për dialog për marrëveshje, për dialog për marrëveshje që nënshkruhet qysh tash. Më i përgjegjshëm se kaq, nuk është e mundur.”, ka deklaruar Kurti, duke shkaktuar të qeshura tek deputetët e opozitës.

Kryeministri ka folur edhe për statusin e Kishës Ortodokse serbe në Kosovë, duke thënë se nuk është nënshkruar marrëveshje e re e veçantë për statusin e kishës.

“Ne jemi marrë vesh që do të zbatojmë të gjitha marrëveshjet e arritura brenda kornizës kushtetuese të vendit. Ne kemi shprehur gatishmëri për të ofruar një nivel të lartë mbrojtjeje për objektet fetare. Modelet tona në këtë drejtim, i tejkalojnë shumë përvoja evropiane. Nuk kam arsye që ta shmang dialogun me krerët e Kishës Ortodokse për këtë temë, por nuk do të hyjmë në diskutim me Qeverinë serbe për këtë temë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka ftuar publikisht krerët e Kishës Ortodokse serbe në Kosovë që të ulen dhe të diskutojnë për hapat e mëtutjeshëm. /Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *