Vendosen mbishkrime “Albin Zajednica” në objektin e gjykatës në Mitrovicë
Mbishkrime me përmbajtje “Albin Zajednica” janë hasur në objektin e gjykatës në Mitrovicë.
Siç njofton policia, këto mbishkrime janë vendosur nga katër persona të dyshuar dhe rasti është cilësuar si “Vandalizëm”.
“Në objektin e gjykatës janë vërejtur disa mbishkrime me përmbajtje “Albin Zajednica”. Pas shikimit të kamerave të sigurisë është vërejtur se këto mbishkrime janë shkruar nga 4 të dyshuar meshkuj kosovarë”, ka njoftuar policia.
Rasti është duke u hetuar.
Kujtojmë se pak ditë më parë, Partia Socialdemokrate (PSD), gjatë një aksioni simbolik ka vendosur mbishkrime të tilla në sheshet dhe rrugët e Prishtinës.
Sipas tyre Asociacionin “Zajednicë” e ka pagëzuar Albin Kurti. Ata kanë thënë se “Zajednica” po bëhet mbiemri i Kurtit.
“Asociacioni u pagëzua “Zajdenicë”. Zajednica është momenti kur Kurti shkëputet prej të vërtetës. Është vegla mohuese e pushtetit si qëllim në vetvete. Sot që Asociacionin po pret ta zbatojë vetë, e kemi një tjetër akrobacion gjuhësor: Asociacioni është vetëmenaxhim. Asociacionin “Zajednicë” e ka emëruar Kurti. Paradoksalisht, “Zajednica” po bëhet mbiemri i vetë Albinit”, thuhej në njoftimin e PSD-së.