Policia: Një grua dhe një burrë të dy rreth 30-vjeçarë janë vrarë në Gjilan
Një burrë dhe një grua, të dy rreth 30-vjeçarë, janë vrarë me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit. Policia dyshon se të dy viktimat janë vrarë nga i njëjti person.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar të premten, më 9 tetor, rreth orës 14:25, kur Stacioni Policor në Gjilan ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri.
Njësitë relevante policore dhe dy prokurorë të shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se një burrë, rreth 30-vjeçar, është gjetur i vrarë brenda një veture.
Ndërkohë, në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan është dërguar një grua, po ashtu rreth 30-vjeçare, pa shenja jete. Sipas Policisë, dyshohet se edhe ajo është vrarë me armë zjarri nga i njëjti i dyshuar.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.
Policia dhe Prokuroria po merren me hetimin e rastit, ndërsa deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera për motivin e mundshëm apo identitetin e të dyshuarit.
Njoftimi zyrtar i Policisë:
Sot, më 09.10.2026 rreth orës 14:25, Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Gjilan, ka pranuar një informatë lidhur me të shtëna me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët, në Komunën e Gjilanit.
Menjëherë pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, si dhe dy prokurorë të Shtetit, me ç’rast është konstatuar se bëhet fjalë për një incident të rëndë, ku dyshohet se nga arma e zjarrit është vrarë një person i gjinisë mashkullore rreth 30-vjeçar i cili është gjetur brenda një veture. Po ashtu ne vendin e ngjarjes ka dal edhe Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.
Gjithashtu në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan është sjellë pa shenja jete një person i gjinisë femërore, rreth 30-vjeçare, e cila dyshohet se po ashtu është vrarë nga arma e zjarrit nga i njëjti i dyshuar.
