Ymeri: Kompromisi Kosovë-Serbi i mundur të arrihet vetëm nëse një palë e tretë na obligon të arrijmë atë
Ymeri: Kompromisi Kosovë-Serbi i mundur të arrihet vetëm nëse një palë e tretë na obligon të arrijmë atë
Analisti Visar Ymeri konsideron se kompromisi në mes të Kosovës dhe Serbisë është i mundur të arrihet vetëm nëse një palë e tretë e propozon atë.
Në emisionin “Debat Plus”, Ymeri ka thënë se sjellja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti “na ka sjellë deri në këtë pikë”.
“Po dëshmohet edhe njëherë që kompromisi në mes të Kosovës dhe Serbisë është i mundur të arrihet vetëm nëse një palë e tretë e propozon atë dhe na obligon të arrijmë atë kompromis. Përndryshe ne bashkë me Serbinë për një presje e prishim krejt procesin”, ka thënë Ymeri.
Sa i përket Aneksit, Ymeri ka thënë se nuk ka pritur që do të jetë konkretizim dhe sekuencim i zbatimit të pikave të marrëveshjes.
“Ndërkohë aneksi në disa aspekte është më i përgjithësuar se vetë teksti i marrëveshjes dhe kjo shkakton dy probleme madhore, e para që ne ende nuk e dimë si do të ecë procesi dhe e dyta është që kjo ja jep hapësirën gati maksimale BE-së që ta interpretojë atë tekst”, shtoi Ymeri.
Ai thotë se BE-ja praktikisht është ajo që do ta kryejë punën kryesore dhe pastaj palët do të jenë ato që do të pranojnë me komente, vërejtje që sipas Ymerit, nënkupton se hapësira për palët do të jetë më e kufizuar.
“Më problematike më është dukur që në aneks shihet kërkesa kryesore e Serbisë për themelimin e strukturës institucionale, ajo është konkretizuar, por përfitimet e Kosovës nga plani nuk ka konkretizim dhe kjo nuk është korrekte”, ka thënë Ymeri.
E dyta çka për Ymerin është e rëndësishme në këtë proces dhe ku i ka bërë gabimet më të mëdha Kurti “është që për arsye që nuk janë vlerësuar nga partnerët tanë si shumë të rëndësishme, ky e ka ngritur nivelin e kundërshtimit maksimalisht deri në atë masë sa ka pasur mosrespektim të shqetësimeve të palës tjetër partnere e cila pastaj na është reflektuar në formë ndëshkimi në procesin e mëtutjeshëm”.