TË FUNDIT

Syla thotë se ka informacione: Nesër në Ohër s’ka nënshkrim, 27 marsi është afati i fundit

Syla thotë se ka informacione: Nesër në Ohër s’ka nënshkrim, 27 marsi është afati i fundit

Nesër do të mbahet takimi i radhës i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq dhe me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Për çështjet që do të diskutohen dhe rezultatet që priten nga ky takim, lajmi.net ka kontaktuar me gazetarin dhe analistin Valon Syla.

Ai është shprehur pesimist sa i përket arritjes së ndonjë marrëveshje përfundimtare mes palëve gjatë ditës së nesërme në Ohër, duke thënë se do të ketë vetëm përafrim të qëndrimeve, ndërsa marrëveshja përfundimtare pritet të nënshkruhet më vonë, përkatësisht më 27 mars të këtij viti.

Syla ka deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të duhet të themelohet para takimit të 27 marsit, ndërsa ka theksuar se është hera e parë në historinë e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, që Serbia dhe pesë vendet e QUINT, të kenë kërkesë të njëjtë sa i përket themelimit të Asociacionit.

Ai ka folur edhe për qëndrimet e kryeministrit Kurti sa ka qenë në opozitë dhe reflektimin e tij pas ardhjes në pushtet.

Intervista e plotë e Valon Sylës për lajmi.net:

1. Çka prisni prej takimit nesër? Çka përfiton Kosova, nëse nuk nënshkruhet? Kundërthënia e Albin Kurtit?

1. Në takimin e Ohrit, nesër më 18 mars, nuk pres ndonjë nënshkrim por pres përafrim të pozicioneve, sepse kështu vijnë informacionet nga burimet diplomatike që kemi në Prishtinë dhe Bruksel. Arsyeja është se edhe Kosova edhe Serbia kanë ngel tek plani i implementimit të Asociacionit. Nëse i vështrojmë mirë, deklaratat edhe të ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, ai vetëm se ka jep pak sinjale që afatet e përcaktuara deri tash, mund të nevojitet edhe pak kohë deri sa të akordohen qëndrimet dhe palët në Kosovë e Serbi.

Çka presin liderët në Kosovë dhe Serbi është që ky takim të bëhet në nivel tjetër më të madh, ku do të formalizohet përfundimisht, që mund të jetë në Paris apo Berlin, prej nga edhe vjen plani franko-gjerman. 27 marsi duket se është afati i fundit për çka presin diplomacia e QUINT-it dhe presin marrëveshje përfundimtare dhe zotim për planin franko-gjerman dhe implementimin e Asociacionit, që nënkupton para marrëveshjes së planit franko-gjerman. Pra, shtetet e QUINT, pesë vendet dhe ana e Serbisë, për herë të parë në histori të negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit, kanë një qëndrim të njëjtë. Edhe Vuçiqi, çka është interesant, edhe pesë ambasadat e QUINT-it, e kërkojnë Asociacionin para marrëveshjes franko-gjermane. Albin Kurti duket se nuk ka problem me marrëveshjen franko-gjermane, por ka problem me paketimin dhe implementimin e Asociacionit që ai e quan “Zajednicë”, të cilin duket se është i interesuar t’ja ndryshojë emrin ose të eskivojë se çfarë të bëjë. Kjo mbetet të shihet pas takimit të Ohrit, por çka është e qartë është që përfundimisht duhet të kemi një marrëveshje përfundimtare më 27 mars të këtij viti. Arsyeja është gjendja dhe lufta ne Ukrainë, pastaj disa nga vendet e QUINT-it mund të hyjnë në zgjedhje dhe askush nuk do të ketë energjinë që të merret edhe me luftën, edhe me Kosovën edhe me problemet. Diplomacia perëndimore, pra QUINT-i janë të interesum me mbyll këtë çështje sa më shpejtë dhe nuk është çështje që mund të diskutohet shumë por është çështje “merre ose leje”, apo “take it or leave it”. Nëse i analizojmë draftet e para të dokumenteve ato kanë ndryshuar pak në nuanca, sa i përket planit franko-gjerman por assesi në esencë.

2. Çka përfiton Kosova, ose çfarë pritet të përmbajë marrëveshja aktuale franko-gjermane që i është propozuar palëve?

2. Në këtë kohë ku Evropa dhe NATO janë në një luftë të hapur, front me Rusinë, askush nuk e ka fokusin të bëj zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Synimi i diplomacive është vetëm të eskivojnë një zonë, ku lufta atje me influencë ruse pra, mund të përshkallëzojë me një krizë në veri të Kosovës, apo edhe në Kosovë dhe të shpërndahet në Ballkan. Qëllimi i diplomacive të forta të botës, pra diplomacive perëndimore dhe vendeve të NATO-s është që Kosova të eskivohet si zonë e krizës. Me marrëveshjen dhe planin franko-gjerman në këtë kohë nuk mund të jetë më i mirë se sa që ka ardh. A është më i miri? A është më i kënaqshmi? Jo! A është ideali? A e ka njohjen brenda? Jo! A presin dhe a ka degradim të kërkesave të vendeve të QUINT-it por edhe të kosovarëve? Po!. Pra, ne hiç më larg se para 8 viteve, kemi pasur shefin e diplomacisë gjermane që thoshte se njohja është zgjidhja përfundimtare për Serbinë dhe Kosovën. Mos të flasim për qëndrimin amerikan, qëndrimin e Biden, qëndrimin e State Department, Trump-it, apo cilësdo administratë që ka ardh në krye të Uashingtonit, të gjithë thonë se Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se njohja nga Serbia është zgjidhja përfundimtare. Ajo çka po bëjnë tash këto diplomaci është që nuk po e kërkojnë këtë, por po kërkojnë stabilizim të regjionit, avancim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi që e çon vendin në një status-quo më të avancuar, por kjo nuk është zgjidhje përfundimtare as për ta, e as për Kosovën. Ajo çka kuptojmë nga deklaratat e diplomatëve perëndimorë, sidomos atyre amerikanë, është se ata e kushtëzojnë Serbinë me njohje para anëtarësisë në BE, por jo në këtë fazë. Kjo fazë është që të njihen de-facto vendet, të zhvillohen disa procese funksionale, të avancohen vendet që të mund të integrohen dhe anëtarësohen në organizata ndërkombëtare, por kjo nuk është marrëveshja përfundimtare. Marrëveshja përfundimtare është njohje dhe ajo njohje mund t’i kërkohet Serbisë rreth vitit 2029 kur janë të gjitha parashikimet që i gjithë rajoni mund të futet në BE. Kjo, gjithsesi varet nga përfundimi i luftës Ukrainë-Rusi.

3. Cilat do të ishin dëmet për Kosovën dhe qytetarët e saj në rast se marrëveshja nuk pranohet nga pala kosovare?

3. Dëmi në mos pranimin e marrëveshjes, dihet çfarë mund të jetë. Së pari është ndalja e donacioneve dhe ndihmave që vijnë nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, USAID dhe fondet e tjera ndërkombëtare që ndihmojnë në Kosovë. E dyta është bllokimi apo izolimi i Kosovës në kuptimin politik. Pra, askush më nuk do të merret të bisedojë me liderët kosovarë, t’i pranojë në vendet e veta, e as të bëj ndonjë investim këtu. E treta është edhe dëmet për qytetarët e Kosovës, nuk jepen vizat, shtyhen afatet, ngrihen të gjitha proceset që kemi me BE. Ngrihen proceset e sigurisë që mund t’i nevojiten Kosovës sidomos në aspektin e fuqizimit të ushtrisë, FSK-së, policisë, mjeteve të tyre për shembull armatim e municion që mund t’ju duhen sigurisë. Sanksionet për Kosovën do të ishin të papërballueshme, duke pasë parasysh se ne faktikisht pas dy viteve COVID dhe një vit të gjatë e të lodhshëm ekonomik me krizën energjetike dhe krizën që e ka shkaktu lufta në Ukrainë, një izolim i Kosovës ekonomik, një ndalim i rrjedhjes së parave në treg, do ta bllokonte Kosovën tej mase.

4. Çfarë nëse Kurti e pranon ose jo marrëveshjen? A do t’i ndryshojë qëndrimet e tij tash që është në pushtet lidhur me çështjen e Asociacionit dhe dialogut në përgjithësi?

4. Albin Kurti gjithçka çka ka premtuar, pothuajse e ka shkelur. Të gjithë votuesit e vet shihet se i ka mashtruar, si në aspektin ekonomik, si në aspektin e rritjes së pagave, si në aspektin e luftimit të krimit e ngrehjes zhag të kriminelëve drejt burgjeve. Njeriu më i madh që është arrestuar deri tash, si i njohur për publikun kosovar, është Burdushi. Është një gjendje qesharake për punën e kësaj Qeverie. Albin Kurtit vetëm një rrenë e madhe, që është Zajednica, që e ka përdor për me ardh në pushtet, i ka mbet pa na rrejt. E dyta rrenë të cilën ne ende nuk e dimë, është ajo se përpos Asociacionit, nëse e rren elektoratin dhe e implementon është rrenë e madhe poashtu dhe është humbje për të. Por, edhe nëse nuk e implementon dhe e ndalon ashtu siç i ka premtuar elektoratit të veti mbi 51% edhe ajo do të jetë rrenë ndaj diplomacive të jashtme, ndaj sponsorëve të pavarësisë së Kosovës, vendeve të QUINT, atyre që e ndihmuan Kosovën deri këtu, të cilët nuk do ta tolerojnë. Pra, Albin Kurti ose do të dëmtohet në aspektin e vet elektoral për atë çka e ka pshty dhe duhet ta lëpijë, ose do të dënohet me sanksione të rënda nga vendet e QUINT dhe diplomacive të forta perëndimore që do ta izolojnë. Pra, Albin Kurti me krejt retorikën e vet, sot ka ardh më një pikë, cilëndo zgjidhje që do ta zgjedh, do të jetë humbëse për të. Në fakt, problemi për krejt këtë, 10 vite të humbura, Albin Kurti duhet të jap llogari dhe këtë duhet t’ja kërkojë opozita. /Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *