Tjetër aktakuzë për keqpërdorim të detyrës për ish-drejtorin e Shërbimeve Publike Enver Shabanin dhe një zyrtar të Komunës së Suharekës
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, tre personave juridikë, si dhe dy zyrtarëve të Komunës së Suharekës, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe keqpërdorim e mashtrim në prokurim publik.
Sipas aktakuzës, E.Sh. dhe B.K. dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa A.S. dhe B.S., së bashku me kompanitë “K.H.” Sh.P.K., “I.” Sh.P.K. dhe “H.S.” Sh.P.K., dyshohen për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”.
Bëhet fjalë për ish-drejtorin e Shërbimeve Publike, Enver Shabanin, dhe zyrtarin për menaxhimin e projekteve dhe menaxherin e kontratës, Berat Kabashin.
Rasti lidhet me dy kontrata për ndërtimin e rrugëve në Komunën e Suharekës, të lidhura gjatë viteve 2021 dhe 2022.
Sipas Prokurorisë, në rastin që lidhet me kontratën e vitit 2022, Enver Shabani, në cilësinë e drejtorit për Shërbime Publike, Mjedis dhe Emergjenca në Komunën e Suharekës, si dhe Berat Kabashi, zyrtar për menaxhimin e projekteve dhe menaxher i kontratës, dyshohet se kanë pranuar dhe certifikuar punime si të realizuara, ndonëse gjatë verifikimeve në terren është konstatuar se ato nuk ishin kryer sipas kontratës.
Po ashtu, sipas aktakuzës, ndryshimet në pozicionet dhe lokacionet e punimeve nuk janë proceduar në përputhje me rregullat e prokurimit publik.
Këto veprime, sipas Prokurorisë, i kanë mundësuar operatorit ekonomik përfitim prej 8,301.78 euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm në të njëjtën shumë.
Ndërsa për kontratën e vitit 2021, Prokuroria pretendon se Enver Shabani dhe Beeat Kabashi në cilësitë e tyre zyrtare, nuk i kanë përmbushur detyrat gjatë menaxhimit dhe mbikëqyrjes së kontratës.
Sipas aktakuzës, ata kanë pranuar punime si të përfunduara, ndonëse një pjesë e tyre nuk ishin realizuar sipas kontratës, ndërsa ndryshimet kontraktuale nuk ishin proceduar sipas rregullave të prokurimit publik. Dëmi i pretenduar në këtë rast është 1,661.20 euro.
Dyshohet se kompanitë deklaruan punime që nuk ishin kryer
Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj operatorëve ekonomikë dhe personave përgjegjës të tyre.
Për kontratën e vitit 2021, A.S. dhe “H.S.” Sh.P.K. dyshohen se nuk i kanë realizuar të gjitha punimet e kontraktuara, ndërsa kanë paraqitur dokumentacion për punime të kryera, duke i shkaktuar, sipas aktakuzës, Komunës së Suharekës dëm prej 1,661.20 euro.
Në rastin e kontratës së vitit 2022, B.S., “I.” Sh.P.K. dhe “K.H.” Sh.P.K. dyshohen se nuk i kanë realizuar punimet sipas kontratës dhe kanë paraqitur dokumentacion për punime të kryera.
Sipas Prokurorisë, në këtë rast dëmi ndaj Komunës së Suharekës arrin në 8,301.78 euro.
Në total, sipas pretendimeve të përfshira në aktakuzë, dëmi i shkaktuar Komunës së Suharekës nga të dyja kontratat kap shumën prej 9,962.98 euro.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Për personat zyrtarë është propozuar edhe shqiptimi i dënimit plotësues “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, ndërsa për personat juridikë është propozuar “Ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë”.
Të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.
