Vota që po shqetëson politikën? Mustafa ngre pikëpyetje për diasporën, analistët e kritikojnë dhe zbërthejnë prapaskenat
Deklarata e ish-kreut të LDK-së, Isa Mustafa, se partitë politike nuk duhet t’u frikësohen zgjedhjeve, por se diaspora nuk duhet “t’i imponojë diktaturë Kosovës”, ka hapur debat të ri për rolin politik të mërgatës dhe ndikimin e saj në proceset zgjedhore të vendit.
Përdorimi i termit “diktaturë” në një kontekst ku përmendet diaspora ka ngritur pikëpyetje nëse po tentohet të relativizohet pesha e votës së qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës, sidomos në një kohë kur vota e tyre mund të ketë ndikim të rëndësishëm në rezultatet zgjedhore.
Në anën tjetër, reagimet ndaj deklaratës së Mustafës kanë rikthyer në vëmendje edhe rolin historik të mërgatës shqiptare, e cila për dekada ka kontribuar financiarisht, politikisht, institucionalisht dhe përmes lobimit ndërkombëtar për Kosovën.
A mund të trajtohet si imponim politik ushtrimi i një të drejte demokratike dhe kushtetuese? A po shihet diaspora si problem vetëm atëherë kur vota e saj nuk përputhet me pritjet e partive të caktuara? Dhe mbi të gjitha, a po harrohet sot kontributi i mërgatës, e cila në periudhat më të vështira ishte një prej shtyllave kryesore të Kosovës?
Për “Bota sot”, për këtë çështje kanë folur PhD. Dashnim Hebibi, president i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me qendër në Zvicër, dhe analisti nga diaspora, Eduard Gashi.
Hebibi: Mërgata nuk është dirigjent i Kosovës, ajo është pjesë e atdheut
Fillimisht, Dashnim Hebibi vlerëson se deklarata e Isa Mustafës duhet parë me kujdes, duke pasur parasysh përvojën e tij të gjatë politike dhe faktin se, sipas tij, Mustafa e njeh shumë mirë rolin që diaspora shqiptare ka pasur në zhvillimet politike të Kosovës.
Ai thotë se në situata të vështira politike, figurat me përvojë duhet të bëjnë thirrje për unitet dhe dialog, e jo të thellojnë ndarjet.
“Mendoj se deklarata e Prof. Isa Mustafës duhet parë me shumë kujdes, sidomos për shkak të përvojës së tij të gjatë politike dhe faktit se ai e njeh mirë edhe rolin që ka pasur mërgata shqiptare në zhvillimet politike të Kosovës. Së pari, Prof. Mustafa nuk duhet t’i gëzohet zgjedhjeve vetëm pse ato mund të vijnë si rezultat i një situate kaq të vështirë politike. Nëse Kosova po shkon në këtë drejtim, ajo që do të duhej të dëgjonim nga njerëzit me përvojë është thirrja për unitet, jo gëzimi për një tjetër përplasje politike. Prof. Mustafa, nga përvoja e tij, do të duhej të jepte ide se si të bashkohemi në këto momente të vështira që po përjeton Kosova. Do të duhej të ishte një nga zërat që fton për dialog, për uljen e tensioneve dhe për gjetjen e një zgjidhjeje në interes të vendit”, deklaroi Hebibi në një prononcim për “Bota sot”.
ImageDashnim HebibiFoto galeri
Sipas tij, diaspora nuk mund të shihet si një element i jashtëm që tenton të dirigjojë Kosovën, pasi ajo është pjesë e pandashme e vendit.
“Jo për inatet tona. Jo për interesat tona partiake. Por për Kosovën. Nga syri dhe shpirti i mërgimtarit kjo situatë shkakton një dhimbje të madhe. Sepse mërgata shqiptare është pjesë e atdheut në çdo situatë, jo vetëm para luftës, gjatë luftës dhe pas saj. Ajo është pjesë e Kosovës edhe sot dhe do të jetë pjesë e saj nesër. Prandaj, mërgata nuk është dirigjent i Kosovës. Ajo është pjesë e atdheut. Dhe gabojnë rëndë ata që merren me negativitet ndaj saj ose përpiqen të krijojnë një ndarje artificiale mes mërgatës dhe atdheut. Nuk e kuptoj pse duhet të krijohet kjo ndarje. Mërgata nuk është popull tjetër. Është pjesë e atdheut”, theksoi ai.
Hebibi thotë se nuk dëshiron të besojë se pesha politike e mërgatës po relativizohet për shkak të ndikimit të saj në rezultatet zgjedhore, por paralajmëron se ndarja e qytetarëve mbi bazën e vendbanimit do të ishte gabim.
“Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme. Nuk dua të besoj se pesha politike e mërgatës po relativizohet vetëm sepse vota e saj mund të ketë ndikim në rezultatet zgjedhore. Por nëse dikush mendon se mund ta ndajë mërgimtarin nga atdheu vetëm pse ai jeton jashtë Kosovës, atëherë është duke bërë një gabim të madh. Mërgimtari gjykon në shumë raste më realisht situatën në atdhe, sepse nuk është aq i veshur me petkun e partisë dhe, në shumë raste, nuk ka ndonjë interes personal të drejtpërdrejtë në betejat politike brenda vendit. Ai vepron jashtë vendit të tij, punon, jeton dhe përballet me një realitet tjetër shoqëror. Ai e krahason Kosovën me vendin ku jeton. Dhe pikërisht për këtë arsye kërkon rezultate, sepse bota po ecën përpara”, u shpreh Hebibi.
Gjithashtu, ai shton se sidomos gjeneratat e reja të diasporës nuk votojnë vetëm mbi bazën e emocioneve, por kërkojnë rezultate konkrete nga institucionet dhe partitë politike.
“Mërgata shqiptare nuk është vetëm emocionale. Sidomos gjenerata e re kërkon rezultate konkrete. Ajo do që Kosova të jetë një vend si ato shtete ku shqiptarët jetojnë, punojnë dhe ndërtojnë jetën e tyre: me institucione funksionale, me drejtësi, me përgjegjësi dhe me perspektivë. Nuk mund t’ia blejë askush votën e lirë mërgimtarit. Ai voton sipas bindjes së tij. Dhe këtë të drejtë duhet ta respektojë secili. Nëse partitë duan votën e mërgatës, duhet të punojnë për ta fituar atë. Ata që janë në pushtet duhet të punojnë që ta mbajnë besimin e saj, ndërsa opozita duhet të punojë edhe më shumë për ta fituar. Kjo është demokracia”, tha ai.
Hebibi është kategorik se mërgata nuk mund të konsiderohet e dobishme vetëm kur kontribuon financiarisht e më pas të problematizohet kur voton.
“Nuk mund të jetë mërgata e mirë kur dërgon para, investon, lobon, ndihmon dhe kontribuon, ndërsa të bëhet problem kur shkon të votojë. Mërgimtari ka dhënë gjithçka që ka fituar me punë për atdheun. Prandaj nuk mund të pranojmë që tani t’i vihet një uniformë politike dhe të thuhet se ai po dirigjon Kosovën. Mërgata nuk dirigjon. Mërgata voton. Dhe vota e lirë nuk është diktaturë”, deklaroi Hebibi.
Duke folur për vetë të drejtën e votës, ai thotë se largësia gjeografike nuk e zvogëlon lidhjen qytetare me Kosovën.
“Këtu duhet të jemi shumë të qartë: mërgimtari që voton nuk po imponon diktaturë. Ai po ushtron një të drejtë demokratike. Kushdo që përpiqet ta paraqesë votën e mërgimtarit si një lloj imponimi politik, duhet të pyesë veten se çfarë po i kërkon në të vërtetë mërgatës: të mos votojë? Nëse një qytetar ka të drejtë të votojë, ai duhet të votojë lirshëm. Nuk ka rëndësi nëse jeton në Prishtinë apo në Zürich. Nuk ka rëndësi nëse jeton në Gjermani, Amerikë, Austri apo diku tjetër. Largësia gjeografike nuk e fshin lidhjen me atdheun dhe nuk duhet ta shndërrojë qytetarin në qytetar të dorës së dytë”, theksoi ai.
Hebibi rikujton lidhjen historike të LDK-së me mërgatën
Hebibi rikujton edhe raportin historik të LDK-së me diasporën, veçanërisht gjatë periudhës së Ibrahim Rugovës.
“Mërgata është shembull dhe ambasadori më i mirë i atdheut. Ajo ka krijuar imazh të mirë të shqiptarëve dhe të Kosovës në vendet ku jeton. Ka ndërtuar miqësi, ka lobuar, ka mbështetur procese dhe ka ruajtur lidhjen me atdheun. Nga mërgata janë nisur e ruajtur shumë procese. Për kontributin e saj janë shkruar këngë, poezi, janë bërë punime shkencore e doktorata. Pra, nuk kemi të bëjmë me një rol të shpikur sot për arsye politike. Kemi të bëjmë me një histori të tërë”, tha Hebibi.
Ai shton se edhe vetë LDK-ja ka pasur dikur mbështetje të fuqishme në diasporë.
“Dhe në këtë histori duhet të kujtojmë edhe LDK-në e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Prof. Isa Mustafa e di shumë mirë se sa e fuqishme ishte LDK-ja në mërgatë. Sallat ishin përplot në takimet e saj. Mërgimtarët e mbështetën fuqishëm vizionin paqësor të Presidentit Rugova, një vizion që ishte shumë i pranueshëm për mërgatën shqiptare. Sa e sa veprimtari të LDK-së në mërgatë janë zhvilluar dhe sa kontribut është dhënë! Prandaj, nuk duhet harruar ajo histori”, u shpreh ai.
Në vijim, Hebibi thotë se vetë Mustafa e njeh jetën në mërgim dhe, për këtë arsye, sipas tij, duhet ta kuptojë edhe më mirë lidhjen e mërgimtarit me vendin.
“Edhe Prof. Mustafa nuk duhet të harrojë se edhe ai vetë ka qenë pjesë e mërgimit dhe, siç thotë populli, e ka kërkuar bukën e gurbetit. Pikërisht për këtë arsye, ai duhet ta kuptojë më mirë se çfarë do të thotë të jetosh larg atdheut dhe ta mbash atë në zemër. Është pjesë e atdheut dhe ka të drejtë të votojë”, tha Hebibi.
Sipas tij, kontributi i diasporës para, gjatë dhe pas luftës nuk duhet të reduktohet vetëm në remitanca.
“Mërgata shqiptare ka qenë me Kosovën para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës. Nuk ka qenë aty vetëm kur ishte nevoja për të dhënë para. Ka qenë aty me zemër, me punë, me sakrificë, me organizim, me lobim dhe me përkushtim. Po të mos ishte mërgata, ndryshe do të ishte atdheu. Këtë nuk duhet ta harrojë askush. Mërgata është një nga arteriet e së ardhmes së Kosovës. Dhe këtë rol e ka dëshmuar për dekada”, deklaroi ai.
Hebibi kërkon që raporti i Kosovës me diasporën të institucionalizohet më fuqishëm, duke përmendur arsimin, kulturën dhe përfaqësimin politik.
“Mungon Muzeu i Mërgatës. Mungon Universiteti që e kam projekt në kuadër të Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me qendër në Cyrih të Zvicrës. Shkollat plotësuese shqipe kanë nevojë për mbështetje shumë më serioze. Jeta kulturore në mërgatë shpesh mbështetet vetëm aq sa për një fotografi, një takim dhe një fjalim. Ndërkohë që nevojiten politika konkrete dhe investime të qëndrueshme”, tha ai.
Madje, ai propozon që të diskutohet edhe mundësia e vendeve të rezervuara për diasporën në Kuvend.
“Kosova duhet të bëjë më shumë për mërgimtarët. Madje, duhet të mendojë edhe për një përfaqësim më të fuqishëm institucional të tyre. Unë mendoj se do të duhej të shqyrtohej edhe ideja që të paktën pesë deputetë të ishin vende të rezervuara për përfaqësues të mërgatës. Ata do të mund të sillnin përvojën e vendeve ku jetojnë, lidhjet dhe miqësitë e tyre ndërkombëtare dhe një qasje të re në shumë fusha. Kjo nuk do të ishte privilegj për mërgatën. Do të ishte investim për Kosovën”, përfundoi Hebibi për “Bota sot”.
Gashi: Mërgata nuk është problem për demokracinë e Kosovës
Ndërkaq, analisti nga diaspora, Eduard Gashi vlerëson se diaspora nuk duhet të paraqitet në asnjë mënyrë si problem për demokracinë e Kosovës.
Sipas tij, mërgata është një nga shtyllat historike të lirisë, mbijetesës politike dhe shtetndërtimit.
ImageEduard GashiFoto galeri
“Mërgata e Kosovës nuk është dhe nuk duhet të paraqitet kurrë si problem për demokracinë tonë. Përkundrazi, ajo është një nga shtyllat historike të lirisë, mbijetesës politike dhe shtetndërtimit të Kosovës. Në periudhat më të vështira për popullin tonë, diaspora nuk ishte vetëm burim financiar për familjet në Kosovë. Ajo ishte pjesë aktive e rezistencës politike, e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës dhe e mbështetjes së institucioneve që u ndërtuan në rrethana jashtëzakonisht të vështira”, tha Gashi.
Ai veçon posaçërisht periudhën e Ibrahim Rugovës.
“Veçanërisht në kohën e Presidentit Ibrahim Rugova, mërgata luajti një rol të pazëvendësueshëm në forcimin e projektit politik të Kosovës, në mbajtjen gjallë të institucioneve dhe në krijimin e lidhjeve me botën demokratike perëndimore. Pikërisht për këtë arsye, e drejta e çdo qytetari të Kosovës për të votuar, pavarësisht nëse jeton në Prishtinë, Pejë, Gjilan, Berlin, Cyrih, Nju Jork apo diku tjetër, është një e drejtë demokratike që duhet respektuar pa asnjë rezervë”, nënvizoi ai.
Megjithatë, Gashi thotë se duhet bërë dallim mes së drejtës për të votuar dhe mënyrës se si një shumicë politike e ushtron pushtetin pas zgjedhjeve.
“Por këtu duhet bërë një dallim shumë i rëndësishëm. E drejta për të votuar është një gjë. Mënyra se si ushtrohet pushteti pas zgjedhjeve është diçka tjetër. Asnjë shumicë politike, sado e madhe të jetë dhe sado vota të ketë marrë, nuk merr me këtë automatikisht të drejtën që të sillet sikur shteti, institucionet dhe Kushtetuta i përkasin vetëm asaj. Demokracia nuk është thjesht matematikë elektorale. Nuk është vetëm pyetja se kush ka më shumë vota. Demokracia është edhe respekt për opozitën, respekt për procedurat, për ndarjen e pushteteve, për institucionet e pavarura dhe për rendin kushtetues”, deklaroi Gashi.
Ai shton se asnjë fitore zgjedhore nuk mund të përdoret për të justifikuar përqendrimin e pushtetit.
“Një shumicë mund të fitojë zgjedhjet, por nuk mund të fitojë të drejtën për të përjashtuar logjikën institucionale, për të delegjitimuar çdo kritikë ose për të trajtuar kundërshtarët politikë si pengesë që duhet neutralizuar. Në këtë kuptim, shqetësimi i Isa Mustafës duhet lexuar në një kontekst më të gjerë politik dhe institucional”, tha ai.
Gashi nuk e interpreton deklaratën e Mustafës si mohim të së drejtës së diasporës për votë, por pranon se formulimi mund të jetë problematik.
“Unë nuk e lexoj deklaratën e tij si mohim të së drejtës së diasporës për të votuar. Përkundrazi, mendoj se ai ngre një shqetësim për mënyrën se si një shumicë politike mund ta përdorë mbështetjen elektorale si argument për përqendrim pushteti dhe për imponim politik. Megjithatë, edhe këtu duhet të jemi të drejtë dhe të qartë: përdorimi i fjalës ‘diktaturë’ në një kontekst ku përmendet diaspora mund të jetë problematik në komunikim”, tha Gashi.
Sipas tij, problemi do të ishte nëse krijohet përshtypja se vota e diasporës është vetë burimi i një problemi demokratik.
“Jo sepse nuk lejohet kritika politike. Kritika është thelb i demokracisë. Por sepse mund të krijohet përshtypja e gabuar sikur vetë vota e diasporës apo vetë diaspora po paraqitet si burim i një problemi demokratik. Kjo do të ishte e gabuar. Problemi nuk është kush voton. Problemi është se çfarë kulture politike ndërtohet pas votës”, theksoi ai.
Gashi: LDK-ja duhet të pyesë pse nuk e bind më diasporën
Duke u ndalur te LDK-ja, Gashi thotë se kjo parti ka arsye historike që diasporën ta konsiderojë pjesë organike të identitetit të vet.
“Për LDK-në, kjo është veçanërisht e rëndësishme. LDK-ja historikisht nuk duhet ta shohë diasporën si elektorat të humbur apo si një realitet që duhet kritikuar nga distanca. Përkundrazi, LDK-ja duhet ta shohë diasporën si pjesë organike të identitetit të saj historik. Lëvizja politike e Ibrahim Rugovës nuk do ta kishte pasur të njëjtën fuqi pa diasporën. Prandaj, përgjigjja e LDK-së ndaj një rezultati të dobët në diasporë nuk duhet të jetë zhgënjimi ndaj votuesit, por pyetja: pse nuk kemi arritur ta bindim më shumë?”, deklaroi Gashi.
Ai thotë se kjo është pyetja që duhet të bëjë çdo parti demokratike.
“Kjo është pyetja demokratike. Jo: pse votuan kështu? Por: pse ne nuk arritëm t’i bindim? Një parti serioze, shtetformuese dhe properëndimore duhet ta kërkojë përgjegjësinë fillimisht te vetja. Duhet të rikthejë komunikimin, besimin, praninë dhe lidhjen me qytetarët jashtë vendit. Diaspora nuk duhet vetëm të kujtohet në prag të zgjedhjeve. Ajo duhet të trajtohet si partner strategjik i Kosovës”, shtoi ai.
Megjithatë, Gashi thekson se respektimi i votës së diasporës nuk do të thotë se zgjedhjet politike të saj nuk mund të kritikohen.
“Në të njëjtën kohë, edhe diaspora duhet të shihet si pjesë e plotë e debatit politik. Dhe kjo do të thotë se edhe zgjedhjet e saj politike mund të diskutohen, kritikohen dhe analizohen, ashtu si vota e çdo qytetari tjetër. Respekti për votën nuk nënkupton ndalim të kritikës ndaj zgjedhjes politike. Kjo është demokracia”, tha Gashi.
Ai kundërshton fuqishëm edhe ndarjen mes qytetarëve që jetojnë në Kosovë dhe atyre që jetojnë jashtë vendit.
“Prandaj, unë nuk do ta ktheja këtë debat në një konflikt mes diasporës dhe qytetarëve që jetojnë në Kosovë. Kjo do të ishte shumë e dëmshme. Nuk kemi dy Kosovë. Nuk kemi një Kosovë të diasporës dhe një Kosovë të brendshme. Kemi një Republikë të Kosovës. Të gjithë qytetarët e saj kanë të drejta të barabarta, por edhe një përgjegjësi të përbashkët: që shteti të mos reduktohet në interesin e një partie apo të një lideri”, deklaroi Gashi.
Sipas tij, sfida e vërtetë nuk është diaspora, por mënyra se si vota përkthehet në funksionim institucional.
“Sfida e vërtetë nuk është diaspora. Sfida është që çdo votë, kudo që jepet, të shndërrohet në forcim të institucioneve, të demokracisë dhe të orientimit properëndimor të Kosovës. Dhe këtu LDK-ja duhet të jetë shumë e qartë. Nuk duhet të konkurrojë me populizmin duke u bërë populiste. Nuk duhet të imitojë gjuhën e polarizimit. Duhet të ofrojë alternativën”, tha ai.
Në këtë kuadër, Gashi thekson edhe rëndësinë e orientimit euroatlantik të Kosovës.
“Një Kosovë institucionale. Një Kosovë demokratike. Një Kosovë të lidhur fuqishëm me SHBA-në. Një Kosovë të integruar në NATO dhe Bashkimin Evropian. Një Kosovë ku pushteti kufizohet nga Kushtetuta dhe ku shteti është më i rëndësishëm se partia. Ky është, sipas meje, edhe thelbi i trashëgimisë politike të Ibrahim Rugovës”, deklaroi ai.
Në fund, Gashi vlerëson se debati nuk duhet reduktuar te pyetja nëse diaspora duhet të ndikojë në zgjedhje.
“Prandaj, debati për deklaratën e Isa Mustafës nuk duhet reduktuar në pyetjen nëse diaspora duhet ose nuk duhet të ndikojë në zgjedhje. Natyrisht që duhet. Ajo ka të drejtë të plotë. Pyetja më e rëndësishme është tjetër: Çfarë shteti ndërtojmë me votën tonë? Një shtet të shumicës së përkohshme apo një republikë të qëndrueshme kushtetuese? Për mua, përgjigjja duhet të jetë e qartë: një Republikë të Kosovës demokratike, sovrane, pluraliste, të sigurt dhe të ankoruar përgjithmonë në Perëndim”, përfundoi Eduard Gashi për “Bota sot”.
