TË FUNDIT

Kusari-Lila: 6 deputetët e LDK-së e kanë problemin me Kurtin, jo me kandidatin për president

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se kundërshtimi i gjashtë deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut për president të Kosovës nuk lidhet me figurën e tij, por me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Në emisionin “Intervista e Javës” në KosovaPress, Kusari-Lila tha se Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Hykmete Bajrami, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Arben Gashi do të kundërshtonin marrëveshjen mes LDK-së dhe LVV-së edhe nëse kandidat për president do të ishte një figurë tjetër konsensuale.

“Problemin e kanë pasur me Albin Kurtin. Do të thotë me kryeministrin Kurti. Dhe në atë situatë, unë këtu e shoh esencën e problemit. Kushdo që do të ishte kandidat tjetër, në vend të zotit Bekim Sejdiu, ata qasjen e njëjtë e kanë, pasi nuk po deklarohen se problemin e kanë me kandidatin, por problemin po e tregojnë që e kanë me kryeministrin Kurti. E kryeministri Kurti nuk është rastësisht në pozitën ku është. Nuk është një vendim i gjashtë deputetëve ose sado që mund të jenë të tjerë që e rrëzon kryeministrin Kurti. Ata po e shohin me vetëdije që zgjedhje pas zgjedhje, kryeministri Kurti, Lëvizja Vetëvendosje me partnerë po i fiton zgjedhjet. Dhe në situatën kur po ndodh një rrethanë e tillë ku deklarohet se inati është me të, mbështetja në popull po rritet”, tha ajo.

Duke folur për marrëveshjen politike dhe raportet me LDK-në, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë tha se marrëveshja ekzistuese për emrin e Bekim Sejdiut për president është valide, ndërsa shprehu dëshirën që edhe gjashtë deputetët e LDK-së ta mbështesin atë.
Ajo përmendi edhe raste të mëhershme kur deputetë të LDK-së, kanë mbështetur kandidatë për presidentë që nuk kanë qenë pjesë e subjektit të tyre politik.
“Përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë votuar për Hashim Thaçin president. Kanë votuar për Atifete Jahjagën presidente. Kemi votuar, domethënë, e kam mbështetur unë një kandidate jashtë subjekteve politike. Po atëherë, pse nuk është dikush nga jashtë, të na thotë, që duhet të votohet një kandidat për president”, theksoi ajo.

E pyetur nëse do të zbatohen kërkesat e Aleancës, ku mes tyre është edhe gazi amerikan si parakusht për mbështetje për presidentin, ajo u shpreh skeptike për një gjë të tillë.

Sipas saj, nuk është e arsyeshme që një subjekt me shtatë deputetë të kërkojë nga partia e parë zbatimin e projekteve të mëdha kapitale.

Në anën tjetër, kryetarja e Alternativës tregoi arsyet pse po zvarritet konstituimi i Kuvendit, derisa shtoi se nuk e konsideron situatën si anarki, por si kohë të nevojshme për arritjen e një vendimmarrjeje që do t’i mundësonte vendit krijimin e institucioneve.

E pyetur nëse ka qenë strategji e tyre zvarritja e konstituimit që zgjedhjet e ardhshme të mbahen në dhjetor, ajo tha se fokus i tyre është shmangia e zgjedhjeve.

Kusari-Lila foli edhe për pretendimet nëse kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mund të jetë në dijeni për përmbajtjen e aktgjykimit të 16 shtatorit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së.

Ajo e mohoi një mundësi të tillë, duke thënë se as Kurti dhe askush tjetër në Kosovë apo jashtë saj nuk mund ta dijë përmbajtjen e aktgjykimit para shpalljes zyrtare.

Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht. Seanca e fundit për këtë çështje është mbajtur një ditë më vonë, ndërsa prej atëherë nuk është thirrur vazhdimi i saj.

LDK-ja dhe Vetëvendosja arritën marrëveshje që profesori universitar Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për president. Por kundër marrëveshjes dolën deputetët e LDK-së Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Arben Gashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *