TË FUNDIT

LDK në përplasje për Presidentin, ish-deputeti: Përçarja ka marrë përmasa shqetësuese

Deputetët e LDK-së, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Janina Ymeri, kanë refuzuar ta mbështesin marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), për presidentin konsensual, Bekim Sjediun, duke dalë kundër qëndrimit të Kryesisë së LDK-së.

Ky qëndrim ka thelluar përçarjet brenda LDK-së dhe ka vënë në pikëpyetje zbatimin e marrëveshjes së arritur mes dy partive. Kundërshtimi i gjashtë deputetëve vjen në një moment të ndjeshëm politik, kur sigurimi i votave dhe i kuorumit për zgjedhjen e Presidentit mbetet një nga çështjet kryesore.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar vendimin e tyre si një dëm “të pariparueshëm ndaj gjithë procesit”. Ai ka paralajmëruar se, nëse nuk gjendet një zgjidhje, zhvillimet mund ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, ka thënë se përçarjet politike në Kosovë kanë marrë përmasa shqetësuese.

Ai ka vlerësuar se Bekim Sejdiu do të ishte një figurë e pranueshme për President, por ndarjet brenda LDK-së po e vështirësojnë zgjedhjen e tij.

“Në Kosovë çështjet kanë degraduar shumë. Kur përmendej si figurë për president Murat Jashari, pati parti politike ( të krahut të luftës) që thanë se nuk do të qëndrojnë në sallë. Pra, jo Bekim Sejdiu, por tashmë as një figurë nga familja Jashari nuk është një figurë që bashkon spektrin politik. Përçarja në Kosovë tashmë ka marrë përmasa shqetësuese. Bekim Sejdiu do të ishte një mundësi e mirë. Nga ajo që shohim, ai është një figurë e pranueshme. Sipas mendit tim, cilado figurë që është e pranueshme nga dy të tretat, është në rregull.

Ndarjet brenda LDK-së, po e bëjnë të pamundur zgjedhjen e tij, kështu që kriza institucionale do të zgjasë pa fund. Kosova po përjeton ditë të këqija, me pasoja të rënda”, ka thënë si për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *