Vazhdon aksioni për verifikimin e peshës së bukës dhe peshoreve, kërkesa të shumta nga furrtarët për verifikim
Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK), në bashkërendim me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), po vazhdojnë aksionin e inspektimeve te operatorët ekonomikë, që merren me prodhimin dhe shitjen e bukës në territorin e Republikës së Kosovës.
Inspektimet, që kanë filluar më 25 gusht 2026, kanë për qëllim mbikëqyrjen e peshës së bukës, si dhe verifikimin e afatit të vlefshmërisë së peshoreve të përdorura në furrat që operojnë në Republikën e Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga mashtrimet.
Aksionet e përbashkëta të AMK-së dhe IQMT-së janë zhvilluar fillimisht në rajonin e Prishtinës dhe Fushë-Kosovës, ndërsa aktivitetet e inspektimit kanë vazhduar edhe më 1 dhe 3 shtator 2026.
Si rezultat i interesimit të shtuar të operatorëve ekonomikë, AMK ka pranuar 60 kërkesa nga furrtarët për verifikimin e peshoreve gjatë ditëve të fundit.
Inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke u shtrirë edhe në komuna të tjera të territorit të Republikës së Kosovës.
AMK dhe IQMT u bëjnë thirrje të gjithë furrtarëve në Republikën e Kosovës që të kujdesen për verifikimin me kohë të peshoreve, të sigurojnë matjen e saktë të produkteve dhe të respektojnë të gjitha kërkesat ligjore, me qëllim të garantimit të mbrojtjes së konsumatorëve dhe funksionimit të drejtë të tregut.
