Opozita: Trusti pa Bord, po rrezikohen kursimet pensionale të kosovarëve
Opozita: Trusti pa Bord, po rrezikohen kursimet pensionale të kosovarëve
Me përfundimin e muajit shkurt të këtij viti, ka përfunduar edhe mandati i të gjithë anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK).
Këtë e ka konfirmuar për EkonomiaOnline Jeton Demi, zëdhënës i Trustit Pensional të Kosovës.
Konkursi për zgjedhjen e anëtarëve të rinj është mbyllur më 23 dhjetor 2022, por që nga atëherë Komisioni përgjegjës nuk i ka shqyrtuar kandidatët që kanë aplikuar.
Në mungesë të Bordit, partitë opozitare po vlerësojnë se kursimet e kontribuuesve kosovarë janë të rrezikuara. Opozita dyshon se partia në pushtet dëshiron që aty t’i këtë “militantët e saj partiakë”.
Në anën tjetër nga pozita thonë se me ligjin për kursimet pensionale parashihet që pasi i skadon mandati Bordit ekzistues, ata kanë afat edhe për 90 ditë të tjera deri në zgjedhjen e bordit. Sipas tyre nuk ka rrezik për përkeqësimin e mjeteve të investuara.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, tha se është shqetësuese fakti që mbi 2.5 miliard euro të investuara brenda dhe jashtë vendit, janë “pa nivel të lartë menaxhimi”, në “kohën e lëvizjeve të mëdha në tregjet globale”.
“Është shqetësuese për ekonominë e vendit, për sistemin financiar vendor, neglizhenca dhe përbuzja e Qeverisë në këtë relacion, kur ne sot të gjithë kapacitetet financiare të Trustit, mbi 2.5 miliard euro, të investuara brenda dhe jashtë vendit, i kemi pa nivel të lartë menaxhimi, i kemi jashtë kontrollit”.
“Këto para i kemi jashtë sistemit menaxherial në kohën e lëvizjeve të mëdha në tregjet globale, në kohën e një shkalle të lartë të inflacionit. Rreth 500 milion euro mjete në sistem ose në instrumente mikrofinanciare, praktikisht në para kesh, janë pa nivel të duhur të menaxhimit si rezultat i një politike të pa qartë, të pa njohur, të pa parë deri më tani te Qeverisë së Kosovës”.
“Është e pakuptueshme se si është kaq inferiore, kaq neglizhencë, kjo qeveri në raport me mjetet e taksapaguesve, me mjetet e Trustit, me mjetet e të gjithë atyre kontribuuesve”, tha ai për EO.