TË FUNDIT

Gjykimi i krerëve të UÇK-së, Specialja merr një vendim të ri

Trupi gjykues në rastin ku po akuzohen Hashim Thaçi dhe të tjerët, ka nxjerrë vendimin e gjashtë lidhur me pjesëmarrjen e viktimave në procedurë.

Në këtë vendim, janë refuzuar shtatë aplikacione të pretenduara për viktima, kurse janë pranuar tri.

Kjo është bërë e ditur në një vendim të bërë publik në faqen e Gjykatës Speciale.

“Trupi Gjykues II nxori vendimin e gjashtë mbi pjesëmarrjen e viktimave në çështjen Thaçi dhe të tjerët. Tre parashtrues të tjerë kërkesash u pranuan si viktima pjesëmarrëse në proces gjyqësor, të cilët do t’i shtohen grupit ekzistues të viktimave në këtë çështje (grupi 1 i cili numëronte 137 viktima pjesëmarrëse) dhe do të përfaqësohen nga i njëjti mbrojtës viktimash. Në vendimin më të fundit u refuzuan shtatë kërkesa. Bashkë me këta, numri i gjithsejtë i viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore arrin në 140”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *