POLITIKATË FUNDIT

LVV padit Komunën e Prishtinës për shtrenjtimin e biletave të autobusëve

Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka dorëzuar padi në Gjykatën Supreme kundër vendimit të kryetarit të Komunës, Përparim Rama, për rritjen e çmimit të biletave të transportit publik.

Asamblistët e LVV-së kanë kërkuar anulimin e vendimit, si dhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tij deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata.

Sipas padisë, kryetari i Komunës nuk ka kompetencë ligjore për të caktuar çmimet e biletave të transportit publik.

“Kryetari i Komunës, Përparim Rama, nuk ka kompetencë ligjore të caktojë çmimin e biletave të transportit publik. Kjo kompetencë sipas ligjit i takon Kuvendit Komunal”, thuhet në arsyetimin e padisë.
LVV-ja pretendon gjithashtu se vendimi krijon trajtim të pabarabartë për qytetarët.

“Vendimi krijon trajtim diskriminues, duke vendosur çmime të ndryshme për të njëjtin shërbim publik, vetëm mbi bazën e mënyrës së pagesës, pa një justifikim objektiv dhe proporcional”, thuhet në komunikatën e asamblistëve.

Sipas tyre, vendimi është marrë edhe në kundërshtim me procedurat ligjore.

“Vendimi nuk përmban as arsyetimin e detyrueshëm ligjor”, thuhet në komunikatën me të cilën u njoftua për padinë.

LVV-ja vlerëson se vendimi nuk respekton parimin e ligjshmërisë dhe standardet e legjislacionit në fuqi, duke kërkuar që Gjykata Supreme ta shfuqizojë atë dhe ta pezullojë zbatimin deri në shqyrtimin përfundimtar të rastit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *