OPINIONSPORTI

“Mision i pamundur” – Profesori paralajmëron krizë dhe flet për skenarët e koalicioneve!

Pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, skena politike në Kosovë vazhdon të mbetet e paqartë sa i përket krijimit të institucioneve të reja.

Ndërsa pritet certifikimi i rezultateve dhe nisja e komunikimeve zyrtare mes partive politike, sinjalet për negociata nuk duken të thjeshta.

Mirëpo, sa do të ndikojnë përçarjet e brendshme në aftësinë e partive për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve?

Në lidhje me këtë çështje, për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi, i cili fatkeqësisht tha se unifikimi i skenës politike në Kosovë është një “mision i pamundur”.

Sipas tij, partitë opozitare janë bërë bllok dhe po e bllokojnë fituesin e tri palë zgjedhjeve vetëm për ego dhe inate personale.

ImageEnver BytyçiFoto galeri
“Unifikimi i politikës shqiptare në përgjithësi, por edhe unifikimi i politikës në Kosovë, duket se është një mision i pamundur. Historikisht ata që qeverisin kërkojnë unifikim për të krijuar mbështetje për qeverisjen, për programin dhe projektet e tyre. Pavarësisht se projektet, si p.sh. në Shqipëri, kanë të bëjnë me grabitjen e territorit dhe të pasurive kombëtare. Opozitarët bëhen bllok, p.sh. në Kosovë, për t’i dëshmuar atij që qeveris se “nuk mundet të qeverisë pa opozitën”! Nëse janë bërë tri palë zgjedhje parlamentare, ato kanë ndodhur për shkak të egos së politikës, për t’i “dëshmuar” fituesit se nuk mundet ta qeverisë Kosovën i vetëm. Pra për të dëshmuar forcë, ego dhe inat!

Vetëm te shqiptarët ndodh që kur dikush fiton, inati ndaj tij shtohet. Ndërsa në planin praktik, kur dikush është i fortë në Shqipëri, ai respektohet, atij i lëshohet rruga duke iu përulur e kështu me radhë. Kudo në botën demokratike dinjiteti dhe integriteti dëshmohen me punë, rezultate, arritje e besim, te një marrëveshje dhe koalicion me shumicën e shqiptarëve ky integritet dhe ky dinjitet duket se ka marrë kahje tjetër. Ka shumë tendenca që kjo të dëshmohet me anën e forcës, të obskurantizmit, bojkotit dhe bllokimit të formimit të institucioneve”, deklaroi profesori.

Pas kësaj, Bytyçi u ndal edhe te deklarata e Kusari-Lilës për mundësinë e një koalicioni ose një kompromisi mes LVV-së e opozitës.

Në këtë pikë, ai përmendi skenarët që e presin shtetin në ditët në vijim dhe atë se si mund të shkojë mbarëvajtja e formimit të institucioneve dhe zgjedhjes së presidentit. Ai po ashtu nënvizoi rëndësinë që presidenti/ja e shtetit të jetë jopartiak dhe unifikues.

“Tani të vijmë te deklarata e Mimoza Kusari-Lilës, e cila ka konstatuar se një koalicion ose marrëveshje e mundshme midis fituesit (Vetëvendosjes) dhe humbësve (opozitës) së paszgjedhjeve të 7 qershorit është thuajse i pamundur për shkak të ekzistencës së grupeve radikale brenda partive opozitare. Kjo panoramë e rrezikon seriozisht formimin e institucioneve, pra zgjedhjen e kreut të shtetit në Kosovë, për të cilin duhet konsensus midis mazhorancës dhe opozitës. Rezultatet e 7 qershorit dëshmojnë se sovrani është dakord që Albin Kurti të qeverisë, por nuk është dakord që ai ta ketë edhe kreun e shtetit si “pronë” të partisë fituese. Pra, sovrani edhe kësaj here votoi për kompromis, njësoj si në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Çfarë pritet të ndodhë? Si mund të dilet nga kjo situatë e vështirë? Si duhet të sillen partitë politike? Këto pyetje janë të vështira për t’iu përgjigjur.

Por nëse do të duhej një këshillë e vlefshme, atëherë do të thoja që presidentin ta përcaktojë opozita. Por jo me pazare politike, duke favorizuar një ose dy kandidatura. Jo sipas formulës, emri që kam unë është kryetari ose nënkryetari i partisë që pranon kompromisin dhe askush tjetër. Ky është diktat dhe nëse kryetari i shtetit përcaktohet mbi bazën e këtyre parimeve, atëherë ai është i komprometuar dhe i njëanshëm që në momentin që pranohet si kandidat, ende pa u zgjedhur president/e i vendit. Nuk besoj në zgjidhje të tilla, sepse ato në vend që ta forcojnë e dëmtojnë institucionin e presidentit dhe e bëjnë atë ose një opozitar radikal me qeverinë dhe parlamentin, ose një manekin në duart e opozitës. Kjo ka rrezik ta dëmtojë këtë institucion. Kosova nuk ka nevojë për një president/e të tillë, ashtu siç nuk ka nevojë për një president kukull, që plotëson vetëm apetitet e kreut të mazhorancës. Presidenti duhet të jetë i paanshëm, objektiv, i qartë në vendimet e tij dhe i qëndrueshëm e konsistent në qëndrime. Ndryshe e humbet rolin dhe ekuilibrin institucional, gjë që shkakton dëme të pallogaritshme për shtetin dhe të ardhmen e Kosovës”.

Më tej, profesori tha se zgjidhja e vetme është që partitë opozitare të propozojnë disa kandidatura dhe ato të diskutohen në Kuvend dhe më pas të votohet.

“Në këto kushte ka vetëm një zgjidhje: Opozita si tërësi ose njëra nga dy partitë e mëdha opozitare të përcaktojnë shumë kandidatura, së paku katër ose pesë, dhe mbi këtë bazë të diskutohet me mazhorancën se cili prej tyre plotëson kriterin bazë të ruajtjes së balancës midis institucioneve të shtetit dhe pikërisht për atë kandidat të votohet në parlament. Të tillë kandidatë ka mjaftueshëm në radhët ose te grupimi i simpatizantëve të opozitës, ose të njërës prej dy partive të mëdha opozitare”.

Në fund, ai kërkoi nga partitë politike që ta kursejnë veten nga njolla e zezë në historinë politike, por të bëjnë kompromis dhe të mos bojkotojnë shtetin.

“Përçarjet e brendshme si dhe ato midis opozitës dhe mazhorancës duhen evituar. Kush kapet pas egos dhe interesave personale për të dëmtuar shtetin dhe Republikën, ai do të mbajë përgjegjësi historike. Mazhoranca dhe opozita duhet t’ia kursejnë veten njollën e zezë në historinë e tyre politike, duke bojkotuar shtetin, për të cilin janë derdhur tonelata gjak shqiptarësh! Cilido personazh politik që vendos interesin e tij mbi interesin e shtetit dhe të Kosovës është i destinuar të dështojë dhe të mbulohet me turp. Nuk ndodh kjo askund në botë. Nuk ndodh as te shtetet, të cilat janë të njohura ndërkombëtarisht. Nëse ndodh në Kosovë, e cila është një republikë e pavarur e panjohur plotësisht dhe jo anëtare e OKB-së, dëmi që i shkaktohet asaj është shumë herë më i madh sesa në vendet anëtare të OKB-së. Është sinjal i zhvleftësimit të pavarësisë dhe të shtetësisë. Ata që kanë luftuar me mendje ose me armë për lirinë dhe shtetin e Kosovës nuk mund t’ia lejojnë vetes të vënë në diskutim fatin e sotëm dhe të ardhmen e shtetit! Ndryshe do të duhet të themi se këta politikanë janë patriotë të rrejshëm!” – përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *