A e refuzoi ftesën Arijon Ibrahimovic si dhe qysh i bindi Osmanin, Avdylin e Kacurin? Foda shpalos detajet
Përzgjedhësi i Kosovës Franco Foda thotë se nuk i ka dërguar ftesë yllit të Augsburgut Arijon Ibrahimovic, por mbetet në kontakte me të.
Ibrahimovic mori ftesë nga Gjermania U21, ndërsa ende duket se nuk e ka pranuar ta përfaqësojë Kosovën në nivelin ndërkombëtar.
Foda në konferencë për media nënvizoi se nuk ka dërguar ftesë zyrtare për lojtarin.
“Jo, Arijoni nuk ka marrë ftesë nga ana ime, por jam në kontakt që thuajse një vit me të dhe herë pas here shkëmbejmë mesazhe. Të shohim se si do të shkojë situata”.
I pyetur për objektivat e ardhshëm, Foda shtoi se Kosova është gati për t’u përmirësuar edhe më shumë.
“Futbolli nuk shkon me të kaluarën, por jetojmë në të tashmen. Tash duhet ta dëshmojmë nga e para sërish. Futbollistët të jenë të gatshëm qysh të enjten”.
“Unë pres që lojtarët të jenë të uritur për fitore dhe është me rëndësi që rezultatet në të kaluarën të mos ndalen, por të vazhdojmë. Është e vërtetë që kemi tre kundërshtarë shumë të fortë, si Austrinë, Irlandën dhe Izraelin. Do të provojmë të gjejmë një ekip të mirë, të bashkuar që dëshiron të luajë futboll të mirë”.
“Pas gjashtë ndeshjeve, do t’i mbledhim pikët dhe të shohim se ku jemi”.
Ndër të tjera, Foda foli edhe për tri afrimet e tjera si Erblin Osmani, Dion Kacuri dhe Milot Avdyli.
“Kemi tre lojtarë të rinj të ftuar. Avdyli që ka luajtur një sezon të mirë dhe ka pasur paraqitje shumë të mira. Ai luajti në mbrojtje në anën e majtë, por edhe në ofansivë, pra mund të luajë në disa pozita. E ka merituar ftesën time”.
“Kacurin e kam njohur edhe më herët, e kam përcjellë kur ka luajtur për Baselin. Është lojtar mesfushor shumë i mirë, në mënyrë universale luan në shumë pozita dhe për të ardhmen e Kosovës ka potencial”.
“Për Osmanin që disa muaj kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm. Ai ka luajtur në mënyrë të shkëlqyer dhe më ka bindur. Të gjithë kemi pasur kontakt me të, nga presidenti te Bajrami. Të gjithë e kemi kontaktuar dhe e kemi bindur. Ai luan me zemër për Kosovën, luan me pasion dhe kjo më pëlqen te lojtarët. Këta lojtarë i japin energji të ri kombëtares, por secili duhet të dëshmohet nga fillimi”./Telegrafi/
