Policia jep detaje: Vdes një polic pasi u godit nga vetura në pikën kufitare të Morinës, i dyshuari është nga Shqipëria
Në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, më 29.06.2026 rreth orës 02:40, është raportuar një aksident trafiku me pasoja fatale.
Një person është goditur nga një veturë që drejtohej nga një i dyshuar mashkull, shtetas i Shqipërisë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante të policisë dhe emergjenca.
Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar në vendin e ngjarjes.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ka humbur jetën Rexhep Zenel Gashi, pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si pasojë e një aksidenti trafiku.
Lajmi është bërë i ditur nga familjarët përmes një postimi në Facebook.
Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në vendin e punës, në Pikën Kufitare në Morinë, ku i ndjeri kishte dalë për të marrë ajër të pastër e më pas është goditur nga një veturë.
“Me pikëllim të thellë ju njoftoj se sot, në orët e para të mëngjesit, në vendin e punës, në Pikën Kufitare në Morinë, si pasojë e një aksidenti tragjik trafiku, ndërroi jetë kushëriri im, Rexhep Zenel Gashi, pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas informatave të para, ai kishte dalë për të marrë ajër të pastër kur u godit nga një veturë. Për kohën e ceremonisë së varrimit do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftimin e familjarëve.
