Shkupi, më i shtrenjtë se Londra! Gati treçereku i rrogës për shpenzime mujore
Shkupi është kryeqyteti i shtatë më i shtrenjtë në Evropë, sipas raportit të Tradingpedia që tregon standardin më të mirë të jetesës. Barra financiare e një familje katëranëtarëshe, është e lartë, në raport me të ardhurat mujore, pasi rreth treçereku i tyre shkon për të përballuar shpenzimet e përditshme. Më i shtrenjti në Evropë është Lisbona, në rajon është Tirana dhe më i liri Sarajeva
Evis HALILI
Shkup, 23 qershor – Shkupi renditet si një ndër kryeqytetet ku kostoja e jetesës është e papërballueshme për buxhetet familjare. Raporti i fundit i Tradingpedia që krahason të dhënat nga 37 kryeqytete evropiane tregon se cilat kryeqytete ofrojnë standardin më të mirë të jetesës me barrën më të vogël financiare në raport me të ardhurat mujore. Duke marrë parasysh shpenzimet e përditshme dhe pagat mesatare neto mujore, shkruan gazeta KOHA.
Në Shkup, ku paga mesatare neto është 769 euro në muaj, shpenzimet mujore për një familje me 4 persona janë 1037 euro, duke zënë 67 për qind të të ardhurave. Kjo përqindje e radhit Shkupin në vendin e shtatë më të shtrenjtë në Europë, ku një familje me dy të rritur dhe dy fëmijë i duhet të shpenzojë thuajse treçerekun e të ardhurave për të bërë një jetesë normale. Ndërsa pas Shkupit, si kryeqytete më të përballueshme radhiten Kishinau, Londra me një barrë financiare prej 56.5 për qind, e më mirë Budapesti, Praga, Lubjana… Tirana është renditur në vendin e dytë, pas Lisbonës, pasi një familje shpenzon 89 për qind të të ardhurave të saj për një jetës normale. Sa i takon vendeve të tjera të rajonit Beogradi radhitet përpara Shkupit, ku paga neto është 1081 euro, ndërsa shpenzimet mujore janë 68.2 për qind të të ardhurave.
Vendet e tjera qëndrojnë më mirë, si Podgorica, apo Sarajeva, që është qyteti me koston më të ulët të jetesës në rajon, në raport me të ardhurat. Të dhënat për Kosovën nuk janë të përfshira në këtë raport.
Raporti ofron një analizë të detajuar të shpenzimeve bazë, përfshirë strehimin, ushqimin, transportin, kujdesin personal dhe argëtimin, për të dhënë një pasqyrë të qartë të përballueshmërisë në të gjithë kontinentin. Sipas të dhënave më të fundit mbi kostot e jetesës dhe pagat në 37 kryeqytete evropiane, Lisbona është bërë shembulli më i qartë i përkeqësimit të krizës së përballueshmërisë së banesave në Evropë. Në Lisbonë, qiraja mesatare mujore për një apartament me një dhomë gjumi në qendër të qytetit tani është 1.331 euro, ndërsa paga mesatare neto është vetëm pak më e lartë, 1.343 euro. Qyteti më i lirë për të jetuar është Brukseli, ku paga mesatare neto mujore për një person është 2945 euro, ndërsa shpenzimet mujore janë 2653 euro, ose 45 për qind të të ardhurave. (koha.mk)
