Avni Islami reagon pas dënimit të Hysri Selimit për spiunazh
Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka reaguar pasi Hysri Selimi u dënua me gjashtë vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale të spiunazhit.
Përmes një postimi publik, Islami e cilësoi vendimin si një mesazh për të gjithë ata që veprojnë kundër interesave të Kosovës, duke theksuar se Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA) vazhdon të synojë mbledhjen e informacioneve për çështje që lidhen me luftën dhe sigurinë në vend.
Ai vlerësoi punën e institucioneve të sigurisë, në veçanti të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe Policinë e Kosovës, duke theksuar se zbulimi dhe dënimi i rasteve të spiunazhit është rezultat i angazhimit të tyre në mbrojtje të sovranitetit të vendit.
Postimi i plotë:
Mesazh për të gjithë ata që veprojnë, janë ose mendojnë të punojnë kundër interesave kombëtare të Republikës së Kosovës:
Sot, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykim dënues ndaj Hysri Selimit, duke e dënuar me 6 vjet burgim për veprën penale të spiunazhit. I njëjti, i cili më parë ka qenë i dënuar edhe për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS, do ta vuajë këtë dënim të ri pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA) vazhdon të jetë e fokusuar në mbledhjen e informacioneve që lidhen me veprimtarinë e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, vrasjet gjatë luftës, si dhe për personat e radikalizuar që morën pjesë në luftën e Sirisë.
Falë punës profesionale të institucioneve të sigurisë së Kosovës — posaçërisht Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) dhe Policisë së Kosovës — ky nuk është rasti i parë (dhe as i fundit) që zbardhet dhe dënohet për spiunazh.
Punë të mbarë Prokurorisë, Gjykatave dhe të gjithë atyre që janë në vijën e parë të frontit në luftën kundër spiunazhit dhe në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës!
