POLITIKATË FUNDIT

​Bajqinovci: Serbët nuk do të marrin shtetësi, opozita po bullizon me “vaden” e Lupçit

Kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka kundërshtuar pretendimet e partive të ish-opozitës se Ligji për Shtetësinë do të krijojë mundësi të reja për serbët që të pajisen me shtetësi të Kosovës.

Në emisionin “Intervista Zgjedhore” në KosovaPress, ai tha se interpretimet e tilla janë spekulative dhe nuk reflektojnë përmbajtjen e dokumentet të miratuar.

Sipas tij, e drejta për shtetësi që po kontestohet nga opozita, nuk është krijuar me ndryshimet e fundit ligjore, por buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Bajqinovci theksoi se fokusi i ligjit mbetet te mërgata dhe qytetarët që jetojnë jashtë vendit, veçanërisht te ata që në të kaluarën, sipas tij, janë detyruar të heqin dorë nga shtetësia për shkak të legjislacionit të shteteve ku kanë shkuar.

Ligji për shtetësinë është miratuar në muajin prill, në prag të shpërndarjes së legjislaturës së dhjetë.

Bajqinovci: Ligji për Shtetësinë nuk favorizon serbët, fokusi është te mërgata jonë

“Po spekulohet nga opozita se do t’ju lejohet serbëve të marrin shtetësi, nuk është e vërtetë. Nuk ka dallim ligji asgjë, komplet nenet të cilat kanë qenë janë bartur pak a shumë të ngjashme… Këta po spekulojnë për shkak se ky ligj e ka edhe një nen për rikthimin e shtetësisë. Çka nënkupton? Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që me pavullnetin e tyre në Gjermani është dashur ta largojnë shtetësinë për të marrë shtetësinë e Gjermanisë, është dashur të rikthejnë prapë pas ligjit pararendës të gjysmës, që Gjermania e ka futur në fuqi, mund ta kthejnë shtetësinë. E çfarë ka ndodhur? Duhet nëntë dokumente, jo t’i bëni gati për rikthimin e shtetësisë, ndërsa ti ke lindur në Kosovë, je shkolluar, por ke shkuar jashtë. Tash vetëm një kërkesë e bën. 70 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës jetojnë në Gjermani që po kërkojnë me e kthyer shtetësinë. E rikthimin e shtetësisë tash ne t’u lejojmë atyre që me 10 dokumente e me burokraci një njeri i cili ka qenë shtetas i Kosovës? Prandaj opozita po e di ku është problemi. Hallin e ka te mërgata”, tha ai.

Duke komentuar faktin që Lista Serbe e mbështeti këtë ligj në Kuvend, Bajqinovci tha se kjo nuk duhet të interpretohet si dëshmi se ai është hartuar sipas kërkesave të këtij subjekti politik.

Ai pranoi se gjatë procesit të shqyrtimit ka pasur propozime dhe kërkesa nga përfaqësues të komuniteteve, përfshirë edhe Listën Serbe, por theksoi se ato nuk janë reflektuar në versionin përfundimtar të ligjit.

Zbardhen detajet, pse Lista Serbe votoi Ligjin për Shtetësinë?

“Lista Serbe ka votuar edhe ish-presidentin, por nuk na i kanë dashur votat e tyre. Edhe ju e dini që shpesh kanë ardhur në Kuvend për t’i votuar gjërat për t’u dukur që… Ka pasur rekomandime, por ne kurrë gjë, ata kanë tentuar disa gjëra, të gjithë komunitetet kanë marrë pjesë. Por ne në fund kemi vendosur me shumicë… Jo, ka pasur kërkesa të ndryshme, por nuk janë përfillur sepse kanë menduar ata që duhet të jetë ligji pak më fleksibël”, shtoi Bajqinovci.

Ai komentoi edhe debatet e fundit rreth emërtimit të rrugëve në Mitrovicën e Veriut, pas reagimeve që pasuan vendosjen në to të emrave të figurave të njohura historike dhe politike, përfshirë heroin shqiptar Isa Boletini dhe ish-kryeministrin e vrarë serb, Zoran Gjingjiq.

Bajqinovci tha se përgjegjësia për përzgjedhjen e emrave të rrugëve i takon Kuvendit Komunal dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut, duke theksuar se vendimet janë marrë në nivel lokal.

Isa Boletini bashkë me Zoran Gjingjiq – cila është e vërteta sipas Bajqinovcit

“Po mendoj që Kuvendi Komunal atje e ka vendosur dhe nuk kisha me shtuar shumë aty, ajo ka të bëjë… Këtë pyetje kishte me qenë mirë me ia adresu Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, sepse nëse nuk gaboj Kuvendi Komunal është ai që i vendos dhe komuna i vendos emrat… Jo, jo, unë mendoj që Kuvendi Komunal e vendos së bashku dhe nuk besoj që ka… Ajo është pjesë e Republikës së Kosovës. Dhe për dallim prej nesh që përpara thoshin se kjo nuk është pjesë e Republikës së Kosovës, ka qenë dhuratë e Rankoviçit, por mendoj që çdo emër i patriotëve tanë siç është Isa Boletini duhet të jetë në çdo rrugë nëse ka nevojë edhe në kufi me Rashkën. Pra, në pjesën tonë, në territorin e Republikës së Kosovës… Ajo është tash varet prej se si e kanë të rregulluar, por unë mendoj që emrat e patriotëve shqiptarë duhet të vendosen edhe në rrugët në 14% të territorit të Republikës së Kosovës. Tash aty, përveç asaj pjese që po e përmend rrugët aty, kemi mbishkrime të ndryshme të rrugëve që kanë përveç emrave të serbëve, të cilët Kuvendi Komunal i ka vendosur me komunën, sepse e dini që janë shumicë serbë”, theksoi ai.

Ai ka mbrojtur edhe projektin e ujitjes në fshatin Lupç të Podujevës, duke e cilësuar atë si një investim të rëndësishëm për bujqësinë dhe zhvillimin lokal, ndërsa ka kritikuar ish-opozitën për, siç tha ai, “sulme dhe bullizim politik”.

Deputeti i VV-së në legjislatura të mëhershme të Kuvendit të Kosovës vuri në pah faktin që sipas tij, në mandatin aktual janë rritur ndjeshëm investimet publike, teksa përmendi rritjen e buxhetit dhe shtimin e fondeve për sektorë të ndryshëm.

A është “vadja” në Lupç nder investimet më te medha kapitale te qeverisë Kurti?

“E para që ka të bëjë me ujitjen e fshatit Lupç nga Ministria e Bujqësisë dhe Pylltarisë, së bashku me Komunën e Podujevës. Por është normalisht që u panë shumë reagime nga opozita duke e sulmuar në anën e saj, duke bullizuar, që këto janë gjëra minore që të publikohen. Jo, unë mendoj që çdo njeriu të cilit i ndihmohet, çdo fshati, fshati Lupçi, nëse nuk e dini, është një prej fshatrave më të mëdha në Komunën e Podujevës. Dhe unë mendoj që duhet të përkrahet çdo iniciativë e mirë e cila ka të bëjë për çështjet bujqësore. Në fund të fundit, kjo është punë e Ministrisë së Bujqësisë. Jo, jo, dëgjo. Unë mendoj që kjo është një lloj sulmi që e bën opozita, por nëse flasim për çështje të ndryshme, ne e dimë që kemi marrë një buxhet prej 2.4 miliardë dhe e kemi bërë 4 miliardë. Po, ka reflektuar. Po, sepse 1 miliard euro i ke investime kapitale, ndërsa më herët kanë qenë 700 milionë, 600 milionë. Sot i ke 250 milionë euro në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për bizneset e prodhimit, për shërbim. I ke 250 milionë euro për grante në Ministrinë e Bujqësisë. Kurrë në historinë e Republikës së Kosovës nuk ka qenë më mirë. Unë mendoj që është investim. Sot i ke shumicën e brendeve, prodhimeve vendore nëpër zinxhirët e marketeve. Ajo është investim. Pastaj e kemi investime në ushtri”, theksoi ai.

Bajqinovci akuzoi PDK-në dhe LDK-në se po adoptojnë premtimet e tyre si “kopjim të programit të LVV-së”.

“Opozita po na kopjon, i kanë premtimet si LVV”

“Ne mendojmë që kjo opozitë e cila i quajti vitra të gjitha këto projeksione buxhetore për ta ndihmuar popullatën, sot po del dhe po kërkon votën duke thënë se ne do ta bëjmë këtë 500, këtë 300, ka nisur me i rrit çmimet… Jo absolutisht. Ne i kemi ndihmuar në 2026. I kemi ndihmuar në 2025. I kemi ndihmuar në 2024. I kemi ndihmuar në 2023. Po thuajse janë të njëjta. Tash ata që po na kopjojnë, që po e shihni që po na kopjojnë në të gjitha fushat. Të gjitha kërkesat, për shembull për nënat lehona, për pensionistët, për të gjitha po thonë se ne do të ndajmë një buxhet të mjaftueshëm për t’i rritur dhe do t’i subvencionojmë të gjitha… Nëse jeni djathtistë dhe keni punuar deri dje, pse tash po dilni po na kopjoni neve si parti e majtë? LDK-ja doli ashtu, PDK-ja doli prapë e njëjta. Thuajse i kanë të gjitha të njëjta”, shtoi ai.

Krahas kësaj, Bajqinovci tha gjithashtu se qytetarët do të jenë ata që do të vendosin në zgjedhjet e ardhshme nëse vendi do të vazhdojë të udhëhiqet nga Vetëvendosje apo nëse do të krijohet një koalicion qeverisës me partitë opozitare.

Bajqinovci: Populli vendosë a qeveris LLV vetëm, apo me dikë nga opozita në koalicion

“Populli do të vendosë a do të qeverisim vet apo do të kemi nevojë për koalicion. Por unë besoj në bazë të asaj frymës që po e shoh në terren, sepse jam deputet për 6 vjet, dhe nuk e kam parë kurrë më shumë një mllef të popullatës që Albin Kurtin me çdo kusht nuk po duan me e lejuar me qeverisur. A e mbani mend ju që thoshin çdo tre javë, një herë për Bajram, një herë për Vitin e Ri shkon Albini, nuk do të qeverisë. Në pranverë nuk do të jetë, në verë nuk do të jetë, për Bajram ra, për Vitin e Ri nuk do të jetë më kjo qeverisje. Çdo tre muaj e ke pasur një lloj narracioni mos i besoni se kemi me shku në zgjedhje, ky nuk mundet me qeverisur. Ne i bëmë 6 vjet”, përfundoi Bajqinovci.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *