Zgjedhjet e 7 qershorit, Gashi: Integriteti i Albin Kurtit duhet të vazhdojë në qeverisje
Në një intervistë për “Bota sot”, ka folur kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, për zgjedhjet nacionale që do të mbahen më 7 qershor.
Gashi ka deklaruar se kandidimi i tij nga Lëvizja Vetëvendosje është motivuar nga besimi në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës dhe mbështetjen për qytetarët e bizneset e ndershme.
Ai ka vlerësuar si sukseset më të mëdha të qeverisë Kurti, shtrirjen e sovranitetit në veri, rritjen e punësimit, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Tutje, Gashi u shpreh i bindur se Vetëvendosje do ta sigurojë shumicën për formimin e qeverisë, duke theksuar se qytetarët kanë parë rezultatet e qeverisjes Kurti.
Ai tha se partneri kryesor i VV-së mbetet qytetari, ndërsa opozita, sipas tij, ende nuk ka ofruar alternativë bindëse.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Çfarë ju motivoi të kandidoni për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje?
Hekuran Gashi: Vendosa të kandidoj për Lëvizjen Vetëvendosje sepse besoj në vizionin e saj për zhvillim ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës dhe mundësi më të mira e të barabarta për të rinjtë, por edhe për të gjithë qytetarët.
Një ekonomi e fortë kërkon institucione të pastra, të pakorruptuara, transparencë dhe mbështetje për bizneset e ndershme. Dua të kontribuoj në këtë drejtim që mbështet prodhimin vendor, hap vende të reja pune dhe krijon kushte më të mira për bizneset.
“Bota sot”: Cilat i konsideroni sukseset më të mëdha të qeverisë Kurti?
Hekuran Gashi: Padyshim shtrirja e sovranitetit dhe ligjshmërisë në veri, rritja e punësimit, pakot sociale dhe mbështetja e qytetarit, lufta kundër korrupsionit, rritja e buxhetit pa prekur normat tatimore, forcimi i pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, e shumë të arritura të tjera.
“Bota sot”: A besoni se VV do ta sigurojë shumicën për ta formuar e vetme qeverinë?
Hekuran Gashi: Padyshim që po! Populli i Kosovës i ka përjetuar ndryshimet dhe përfitimet nga qeverisja Kurti 1 dhe 2, prandaj vullneti i tyre për vazhdimin e punëve të mira është evident.
“Bota sot”: A ka “vija të kuqe” për koalicione pas zgjedhjeve?
Hekuran Gashi: Partneri kryesor për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje mbetet qytetari i Kosovës.
“Bota sot”: A mendoni se opozita aktuale ofron alternativë më të mirë?
Hekuran Gashi: Roli i opozitës në demokraci është shumë i rëndësishëm, por mendoj se deri tani ajo nuk ka arritur të ofrojë një alternativë më të mirë dhe bindëse për qytetarët. Kritika është e nevojshme, por qytetarët presin edhe vizion, drejtësi, program dhe zgjidhje konkrete për sfidat e vendit. Unë besoj se Lëvizja Vetëvendosje ka treguar me veprime se mund të qeverisë dhe të sjellë dinjitet dhe rezultate, prandaj vazhdon të gëzojë besimin e shumicës së qytetarëve.
“Bota sot”: A duhet Albin Kurti të vazhdojë edhe një mandat tjetër si kryeministër?
Hekuran Gashi: Sigurisht, Z. Kurti është lideri me integritet të pathyeshëm dhe konsistencë të palëkundur, i cili dëshmoi se interesi i shtetit dhe dinjiteti i qytetarit qëndrojnë gjithmonë mbi çdo presion e kompromis.
