OPINIONTË FUNDIT

Fundi i një epoke apo lojë e pistë e presidentit serb, Vuçiqi mes panikut të protestave dhe skenarit të dorëheqjes…

Deklarata e presidentit serb Aleksandër Vuçiq nga Pekini, ku ai u shpreh se mandati i tij “po mbaron së shpejti” dhe se “mund të japë dorëheqjen”, ka ngjallur reagime të shumta në analizat politike rajonale. Edhe pse në dukje një fjali e thënë shkarazi, ajo shihet nga analistët si një sinjal që lidhet me rritjen e presionit të brendshëm politik në Serbi, në një kohë kur protestat masive në vend po vazhdojnë dhe po marrin vëmendje të gjerë publike. Sipas vlerësimeve politike, protestat që shpesh nga pushteti cilësohen si “boshe” apo “pa përmbajtje”, po shndërrohen gjithnjë e më shumë në një faktor real presioni ndaj qeverisjes së Vuçiqit. Edhe vetë fakti që presidenti i referohet vazhdimisht tubimeve dhe raporteve të shërbimeve të sigurisë, interpretohet si tregues se situata nuk po kalon pa ndikim në nivelin e lartë politik. Analistët theksojnë se kur një lider që ka mbajtur kontroll të fortë mbi institucionet, median dhe aparatin shtetëror nis të flasë për dorëheqje, kjo mund të ketë dy lexime: presion real politik ose strategji komunikimi.

Dy skenarë të mundshëm

Kur një president që ka mbajtur fort kontrollin, mbi institucionet, mbi mediat proqeveritare dhe mbi aparatin shtetëror, fillon të flasë për dorëheqje, ka dy shpjegime të mundshme. E para: protestat po e bëjnë të kushtueshme qeverisjen dhe po e godasin te ajo që i duhet më shumë, te imazhi i stabilitetit dhe kontrollit. E dyta: kjo mund të jetë edhe taktikë. Vuçiqi shpesh e përdor dramën politike për të testuar terrenin a do të tremben njerëzit, a do të ndahen protestuesit, a do të fillojnë të mendojnë “po ikën ky, çka pastaj?”. Pra, ideja e dorëheqjes mund të përdoret si presion psikologjik mbi shoqërinë dhe kundërshtarët. Në diskursin zyrtar, protestat shpesh cilësohen si “të zbrazëta” dhe pa strukturë. Kjo, sipas analizave, synon t’u ulë legjitimitetin dhe ndikimin. Megjithatë, realiteti i protestave masive në rajon tregon se ato nuk lindin domosdoshmërisht nga programe të strukturuara politike, por nga pakënaqësia e akumuluar ndaj korrupsionit, kapjes së shtetit dhe mungesës së ndryshimit.

A është dorëheqja sinjal real apo strategji politike?

Një tjetër element i vënë në dukje është përqendrimi i pushtetit te numrat e pjesëmarrjes në protesta. Duke i minimizuar shifrat, synohet të krijohet perceptimi se tubimet nuk kanë peshë reale. Por në dinamikën e protestave, sipas analistëve, ndikimi nuk matet vetëm me numra, por edhe me vazhdimësinë, pamjet publike dhe efektin psikologjik që ato krijojnë në shoqëri. Deklarata e Vuçiqit për dorëheqje, edhe nëse nuk përbën një vendim konkret, konsiderohet nga disa analistë si një sinjal i qartë se protestat po ndikojnë në ekuilibrin politik të brendshëm. Mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një reflektim të vërtetë mbi situatën, apo për një lëvizje të qëllimshme për të kontrolluar narrativin publik. Pavarësisht interpretimit, një gjë mbetet e qartë: protestat në Serbi kanë hyrë në një fazë ku nuk mund të injorohen lehtë nga pushteti. Deklarata e presidentit, qoftë si mesazh i drejtpërdrejtë apo si manovër politike, tregon se situata po ndiqet me vëmendje të lartë në nivelet më të larta të shtetit serb.

Protestat

“Jemi këtu si patriotë për të mbrojtur të drejtën tonë dhe vendin tonë”, theksuan pjesëmarrësit e demonstratës masive të shtunën (23.05.2026) në mbrëmje në Beograd. Thirrjen për protestë e kishin bërë grupet studentore në Serbi. Policia njoftoi për më shumë se 34.000 pjesëmarrës që u mblodhën në qendër të qytetit. Vrojtuesit, nga ana tjetër, e vlerësuan numrin në rreth 100.000. Demonstruesit ankohen edhe për korrupsionin e vazhdueshëm në vend. Gjatë protestës në Beograd, kritikët e qeverisë tërhoqën vëmendjen me daulle dhe bilbila. Ata kishin ardhur nga gjithë Serbia. Folësit kërkuan fundin e sundimit të presidentit Aleksandër Vuçiç, i cili është në pushtet që nga viti 2017, si dhe zgjedhje të parakohshme. Sipas planit, zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbaheshin vetëm në fund të vitit 2027. Në fund të tubimit pati përplasje mes personave të maskuar dhe forcave të sigurisë. Incidentet ndodhën rreth një kilometër larg sheshit Slavija, qendra e protestës. Koshat e plehrave u dogjën, ndërsa policia u sulmua me fishekzjarre. Policia përdori gaz lotsjellës dhe granata trullosëse. Forcat e sigurisë të pajisura për ndërhyrje bllokuan hyrjen drejt bashkisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *