Flamuri serb mbi hartën e Kosovës, reagon Mekuli: Paralajmërim për skenarë të rrezikshëm!
Një reagim i fortë ka ardhur nga publicisti Gëzim Mekuli pas pamjeve nga protestat në Beograd, ku është shfaqur një flamur serb mbi hartën e Kosovës. Sipas tij, kjo simbolikë nuk duhet parë thjesht si gjest proteste, por si mesazh politik me ngarkesë të theksuar gjeopolitike, që lidhet me narrativat për Kosovën dhe rajonin.
Mekuli ka interpretuar këtë akt si një sinjal shqetësues për rikthim të retorikave të vjetra nacionaliste në Serbi dhe si pjesë e një diskursi më të gjerë politik për ndikim në Ballkan. Ai ka kritikuar gjithashtu perceptimin e disa vëzhguesve që i shohin këto protesta si thjesht lëvizje pro-demokratike, duke theksuar se, sipas tij, simbolika e përdorur në sheshet e Beogradit mbart mesazhe më të thella politike dhe territorial, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Flamuri në Beograd dëshmon se Serbia e moçme është gjallë; do territore shqiptare, do gjak, përdhunime dhe spastrime etnike.
Ata që shohin pamjet e protestave në Beograd dhe besojnë se aty po ngrihet zëri për demokraci serbe apo vlera evropiane, ata po shohin ëndrra me sy çelë: po bien pre e një naiviteti të rrezikshëm gjeopolitik.
Retorika vizuele e atyre shesheve e zhveshë plotësisht çdo iluzion: prania e organizuar e flamujve serbë që shtrihen mbi hartën e Kosovës së pavarur nuk është thirrje për liri të brendshme, por një manifestim i qartë i projektit hegjemonist të “Botës Serbe”.
Të dashur lexues,
Ky nuk është thjesht një provokim simbolik, por një paralajmërim i hapur për pretendime territoriale dhe një thirrje publike për konflikte e gjakderdhje të reja në rajon e veçanërisht në tokat shqiptare.
Në thelb, ky flamur serb mbi Kosovën shqiptare dëshmon se epiqendra e strategjisë së Beogradit mbetet e njëjtë: shigjetimi dhe dobësimi i vazhdueshëm i faktorit gjeopolitik shqiptar. Dhe ky agresion serb gjen hapësirë për të depërtuar përmes kanaleve të ndryshme; duke shfrytëzuar edhe hapësirën tonë të brendshme shqiptare.
Ky sulm çubrilloviqian ushqehet nga mediat shqiptare në Prishtinë e Tiranë që prodhojnë lajme defetiste, nga agjendat bllokuese të “Listës Serbe”, nga oportunizmi i opozitës, si dhe nga interesat e oligarkëve të pasluftës që prioritet kanë kapitalin e jo shtetin. Edhe nismat si “Ballkani i Hapur” në këtë dritë treguan se rrezikonin të ktheheshin në vegla të dominimit ekonomik e gjeo-politik serb.
