POLITIKATË FUNDIT

LDK-ja dhe Vjosa Osmani: Djathtistë vetëm në fjalë, apo në shërbim të së majtës shqiptare?

Publiku po kërkon nga Osmani ta lërë propagandën politike kundër Kurtit, i cili e ngriti në qiell politikisht, ndërsa sot, nga ai “qiell”, Osmani po e godet me gurë Kurtin dhe 350 mijë votuesit që i besuan.

Pyetjet që publiku pret t’i dëgjojë: heshtja ndaj Edi Ramës, largimi nga e djathta shqiptare dhe misteret politike që vazhdojnë të mbesin pa përgjigje.

Në politikën kosovare prej vitesh dëgjojmë deklarime për “bashkimin e krahut të djathtë”, për orientim konservator dhe për afërsi ideologjike me forcat e djathta shqiptare.

Por, në praktikë, qytetarët nuk kanë parë pothuajse asnjë veprim konkret që ta dëshmojë këtë, qoftë nga LDK-ja, qoftë nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Që nga ardhja e Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së, partia është paraqitur më shumë si një forcë e afërt me politikën e Edi Ramës sesa me të djathtën tradicionale shqiptare.

Në vend të afrimit me Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe me Sali Berishën, me të cilët pretendohet se ndajnë orientim të djathtë politik, drejtuesit e LDK-së janë parë vazhdimisht pranë kryeministrit socialist të Shqipërisë, Edi Rama.

Edhe ish-presidentja Vjosa Osmani, gjatë pesë viteve në krye të shtetit dhe më herët si politikane, nuk dha ndonjë sinjal të qartë politik që do ta lidhte me të djathtën shqiptare.

Përkundrazi, ajo u pa vazhdimisht në raport të afërt me Edi Ramën, duke mos krijuar asnjë urë komunikimi me të djathtën në Shqipëri.

Ndërkohë, shumë qytetarë në Kosovë tashmë kanë krijuar bindjen e tyre për Edi Ramën, duke e konsideruar si një politikan që me veprimet e tij ka dëmtuar interesat kombëtare të Kosovës.

Pikërisht për këtë arsye lind pyetja: si mund ta quajnë veten të djathtë ata që vazhdimisht qëndrojnë politikisht pranë së majtës shqiptare?

Në këtë kontekst, ka disa pyetje që kërkojnë përgjigje të qarta nga LDK-ja dhe nga Vjosa Osmani:

— A ka pasur ndonjëherë bashkëpunim real mes LDK-së dhe Partisë Demokratike të Shqipërisë, duke pasur parasysh se të dyja pretendojnë orientim të djathtë?

— Pse nuk është parë asnjë afrim serioz me Sali Berishën dhe me të djathtën shqiptare?

— Si mund të flitet për “bashkim të së djathtës”, kur raportet politike dhe personale kanë qenë pothuajse ekskluzivisht me Edi Ramën?

Një tjetër çështje që vazhdon të mbetet e paqartë është takimi i 25 shtatorit 2025 në Nju Jork mes Vjosa Osmanit, Richard Grenell dhe Marko Gjurićit.

Publiku ende pret përgjigje:

— Kush e organizoi atë takim?

— Kush e ftoi presidenten?

— Çfarë u diskutua në atë takim?

—Pse institucionet e Kosovës nuk u njoftuan publikisht?

— Pse takimi u mbajt i fshehtë derisa u përmend publikisht nga Baton Haxhiu?

— Pse reagimi erdhi vetëm përmes zyrës së shtypit dhe jo nga vetë presidentja?

Po ashtu, pa përgjigje kanë mbetur edhe deklaratat e Edi Ramës lidhur me pretendimet se Vjosa Osmani ishte kërcënuar në lidhje me hetimet e Gjykatës Speciale.

— Sa të vërteta janë këto pretendime?

— Pse këto informacione iu treguan Edi Ramës?

— A ishte e informuar qeveria e Kosovës?

— Dhe pse vetë Osmani nuk reagoi publikisht për t’i sqaruar qytetarët?

Sot, kur raportet politike mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit janë ftohur dukshëm, shumë qytetarë pyesin: pse këto kritika ndaj Kurtit po dalin vetëm tani?

A lidhet kjo me faktin se LDK-ja nuk pranoi t’ia sigurojë votat për një mandat të dytë presidencial?

Nga një aleancë e fortë politike me Kurtin, sot kemi akuza dhe distancime publike. Dhe pikërisht këtu lind pyetja më e madhe politike: çfarë ndryshoi kaq shumë në raportet mes tyre?

Publiku po kërkon nga gazetarët që intervistat me Osmanin dhe me politikanët e tjerë të mos jenë të kontrolluara apo të kurdisura, por të përballen me pyetje konkrete dhe temat kyçe të mos anashkalohen. Qytetarët meritojnë përgjigje të qarta dhe të drejtpërdrejta, jo propagandë politike apo shmangie të së vërtetës.

Prandaj, si qytetarë kërkojmë më shumë transparencë, përgjegjësi publike dhe gazetari të guximshme që i shërben interesit shtetëror dhe kombëtar.

Për ta shkruar këtë shkrim më shtyu dhe më inspiroi shkrimi i gazetares Elida Buçpapaj, me qëllim që t’i përforcoj dhe t’ia shtroj më drejtpërdrejt këto pyetje LDK-së dhe ish-presidentes Vjosa Osmani, nga të cilat presim përgjigje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *