Spitali ushtarak në kazermën “Adem Jashari” jashtë funksionit të plotë
Teksa Forca e Sigurisë së Kosovës ndodhet në fazën përfundimtare të tranzicionit 10-vjeçar drejt transformimit në ushtri me kapacitete të plota, funksionalizimi i spitalit ushtarak vazhdon të mbetet një nga projektet më të rëndësishme ende të papërfunduara në kuadër të ngritjes së kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Forca e Sigurisë së Kosovës ndodhet në dyvjeçarin e fundit të tranzicionit 10-vjeçar drejt transformimit në një forcë me kapacitete të plota ushtarake.
Gjatë kësaj periudhe, FSK-ja ka shënuar avancime të vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve operative, armatosjen, shtimin e numrit të personelit dhe zhvillimin profesional të trupave. Megjithatë, një nga komponentët që ende nuk është funksionalizuar plotësisht mbetet spitali ushtarak, ndonëse ky segment është pjesë e planifikimit të paraparë në kuadër të fazës 10-vjeçare të tranzicionit.
“Sa i përket spitalit ushtarak, kur kam qenë unë drejtues i kësaj force, ne kemi ndërtuar një objekt në kuadër të kazermës ‘Adem Jashari’ dhe ai objekt ka qenë i planifikuar që të jetë një spital ushtarak, i mirëfilltë ku do të trajtoheshin ushtarët e forcës së sigurisë, pjesëtarët e ministrisë dhe zyrtarët ose VIP-at, njerëzit me rëndësi të veçantë siç është presidenti, kryeministri, kryetari i parlamentit, ministra të ndryshëm që do të trajtoheshin aty, do të mjekoheshin dhe do të kishin një siguri maksimale fizike, nuk është lëviz në atë drejtim. Aty marrin disa udhëzime, disa shërbime shumë të vogla pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, por për ta bërë një gjë të tillë do të duhej një financim shumë më i fortë, shumë më i madh sesa është duke u ndarë”, tha për RTK, Kadri Kastrati, ish-komandant i FSK- së.
Ndërkaq Hysen Gecaj, ekspert i sigurisë, thotë për RTK, se spitali i ndërtuar në kohën kur ai ishte pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes, ka ngecur tanimë.
“Viteve të fundit dëgjoj që çdo gjë është hesht dhe aty nuk ka më ndonjë progres dhe sigurisht që kjo në aspakëtin e plotësimit të standardeve të Forcës së Sigurisë për ecjen përpara është një pengesë përpara dhe derisa kjo nuk përfundon do të kemi telashe edhe në këtë drejtim për tu pranuar si një institucion kredibil në NATO”, tha Gecaj.
Megjithatë, ditë më parë, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pati theksuar se FSK-ja po zhvillon kapacitetet mjekësore sipas modelit të sistemit mjekësor ushtarak amerikan.
