Ish-nënkryetarja e LDK-së i bashkohet ekipit të Kurtit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ekipit të tij i është bashkuar Shqipe Mjekiqi, e cila do të kontribuojë në fushën e politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Kurti bëri të ditur se me Mjekiqin kanë diskutuar për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, zhvillimet politike dhe situatën e sigurisë në vend e rajon.
Shqipe Mjekiqi ka përfunduar doktoraturën në Shkenca Politike në Trinity College Dublin, ndërsa ka përvojë në institucionet publike të Kosovës në fushën e integrimit evropian dhe sigurisë.
Postimi i plotë:
Në ekipin tim si Kryeministër, nga sot u bashkua Shqipe Mjekiqi, për të kontribuar me ekspertizën e saj në politikë të jashtme dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Ishte kënaqësi të bashkëbisedojmë mbi nevojat e Kosovës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, të arriturat tona socio-ekonomike dhe vlerat demokratike, zhvillimet politike në vendin tonë e në rajon dhe situatën e sigurisë.
Shqipe Mjekiqi ka mbaruar studimet e doktoraturës në Shkenca Politike në Trinity College Dublin, Masterin në politikat e Bashkimit Evropian në London School of Economics dhe studimet bazë në Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës.
Shqipja ka një përvojë të gjatë profesionale në institucionet publike të Republikës së Kosovës në fushën e integrimit evropian dhe çështjeve të sigurisë. Aktualisht është Profesor Asistent në Kolegjin UBT dhe e angazhuar si konsulente në projekte të ndryshme që lidhen me zhvillimin dhe proceset reformuese në vendin tonë.
