“Nuk ka pajtim pa drejtësi” – Kuçi kritikon financimin e “Beretave të Kuqe”
Qeveria e Serbisë vazhdon të ndajë fonde nga buxheti shtetëror për Shoqatën e Veteranëve të “Beretave të Kuqe”, organizatë që përfaqëson ish-pjesëtarët e Njësisë për Operacione Speciale (JSO) të Sigurimit Shtetëror serb.
Kjo njësi speciale, e njohur si “Beretat e Kuqe”, ishte aktive gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 dhe më vonë u shpërbë. Emri i saj është lidhur me operacione të shumta gjatë konfliktit në Kosovë.
Në lidhje me këtë, në një prononcim për “bota sot”, ka folur Dr. Gurakuç Kuçi, profesor në Kolegjin Universum dhe bashkëpuntor i jashtëm në ISLH “OCTOPUS”.
Ai deklaroi se Serbia vazhdon të mbajë gjallë strukturat dhe frymën e kohës së Millosheviqit, duke financuar dhe rehabilituar institucionalisht organizata si “Beretat e Kuqe”.
Sipas tij, mungesa e transparencës për projekte me përmbajtje memoriale dhe identitare paraqet normalizim të trashëgimisë së viteve ’90 në hapësirën publike.
“Serbia asnjëherë nuk është distancuar nga krimet e së kaluarës, por përkundrazi, ende vazhdojnë njerëz dhe struktura të kohës së Millosheviqit të jenë në pushtet. Financimi dhe rehabilitimi institucional që Serbia u bën strukturave si “Beretat e Kuqe”, nëpërmjet parasë publike, strukturë që mban identitetin, simbolikën dhe trashëgiminë e një njësie të lidhur me aparatin represiv të viteve 1990, është normalizim dhe ri-integrim i asaj trashëgimie në hapësirën publike.
ImageGurakuç KuçiFoto galeri
Problemi bëhet edhe më i rëndë sepse projektet e financuara kanë tituj me ngarkesë memoriale dhe identitare, si “Zavet slobode”, ndërsa nuk ka transparencë publike se çfarë përmbajnë, çfarë narrative promovojnë dhe çfarë rezultatesh kanë prodhuar”, ka thënë ai.
Tutje, Kuçi tha se përmes këtyre veprimeve, familjeve shqiptare viktima të luftës dhe gjithë shqiptarëve u dërgohet mesazhi se Serbia nuk po distancohet nga krimet e së kaluarës, por po i trajton ato si trashëgimi dhe frymëzim për të ardhmen.
Ai theksoi se nuk mund të ketë pajtim të vërtetë derisa strukturat dhe simbolet e luftës vazhdojnë të financohen nga shteti serb, ndërkohë që viktimat ende presin drejtësi dhe përgjegjësi. Sipas tij, qasja e Serbisë ndaj së kaluarës po krijon mobilizim të rrezikshëm politik e shoqëror kundër shqiptarëve.
“Familjeve shqiptare që janë viktima të luftës së Serbisë, si dhe gjithë shqiptarëve, po u dërgohet mesazhi se Serbia kujtesën e krimeve të saj nuk e trajton si arsye për distancim dhe përgjegjësi, por si trashëgimi që mund të përdoret si frymëzim për veprime të ngjashme në të ardhmen.
Nuk ka pajtim real kur një shtet financon simbolet e strukturave të luftës, ndërsa viktimat ende presin të vërtetën, drejtësinë dhe përgjegjësinë.
Përderisa në Serbi e kaluara vazhdon të shihet si model për veprim në të tashmen dhe të ardhmen, dhe si pjesë e një projekti shtetëror, kjo prodhon mobilizim të rrezikshëm politik e shoqëror, jo vetëm për veprime të dhunshme konvencionale, por edhe për forma ekstreme të veprimit kundër shqiptarëve” – përfundoi ai.
