OPINIONTË FUNDIT

Vuçiq paralajmëroi armatim të ri / Ish-ushtaraku flet për prapaskenat – përmend disa nga qëllimet dhe synimet strategjike

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në një postim në rrjetet sociale se vendi i tij po përballet me presione të ndryshme politike nga rajoni, duke përmendur në mënyrë direkte Prishtinën, Tiranën dhe Zagrebin, dhe paralajmëroi blerje të reja ushtarake.

“Situata e sigurisë është disi më komplekse sesa në janar, kur e trajtuam atë, kryesisht për shkak të veprimeve dhe aktiviteteve të mëtejshme të aleancës ushtarake të Prishtines, Tiranës dhe Zagrebit. Angazhimi ynë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit nuk ka ndryshuar, dhe ne mund ta ruajmë atë vetëm nëse jemi mjaftueshëm të fuqishëm”, shkroi Vuçiq në Facebook.

Ai shtoi se, pavarësisht këtyre zhvillimeve, institucionet serbe do të vazhdojnë punën për forcimin e shtetit dhe mbrojtjen e interesave kombëtare në rajon.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur ish-ushtaraku Hafir Hoxha.

Hoxha thotë se deklaratat e Vuçiqit për “presione” nga vendet fqinje nuk janë të rastësishme, por përdoren për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme në Serbi dhe për të krijuar ndjenjën e një kërcënimi të jashtëm.

ImageHafir HoxhaFoto galeri
Ai gjithashtu nënvizon se këto deklarata shërbejnë për të justifikuar masa ushtarake dhe për të ushtruar presion politik në rajon, veçanërisht ndaj Kosovës.

“Deklaratat e Aleksandar Vuçiq për “presione” nga Prishtina, Tirana dhe Zagreb nuk janë të rastësishme.

Ato kanë disa qëllime të qarta:

Së pari, për konsum të brendshëm – për të larguar vëmendjen nga protestat dhe problemet politike në Serbi, duke krijuar ndjenjën e një “rreziku të jashtëm”.

Së dyti, për të justifikuar forcimin ushtarak dhe masa si shërbimi i detyrueshëm – 70 ditor duke i paraqitur si të domosdoshme për “mbrojtje”.

Së treti, i bën këto deklarata për presion politik në rajon – sidomos ndaj Kosova në proceset dialoguese”, u shpreh ai.

Duke vazhduar ish-ushtaraku shton se një sulm ushtarak ndaj Kosovës është shumë i pamundur për shkak të pranisë së KFOR-it dhe NATO-s, prandaj këto deklarata janë më shumë propagandë dhe strategji politike sesa një plan real për luftë.

“Megjithatë, duhet të jemi realistë: një sulm i hapur ushtarak ndaj Kosovës është shumë pak i mundshëm për shkak të pranisë së KFOR dhe rolit të NATO këtu në Kosovë.

Në thelb, kemi të bëjmë më shumë me një strategji politike dhe propagandistike sesa me një plan real për konflikt të armatosur”, thotë ish-ushtaraku.

Në fund, ai nënvizon prononcimin duke u shprehur se Serbia vazhdon ta shohë Kosovën si të paligjshme dhe ushqen narrativën e rikthimit të saj në të ardhmen, prandaj Kosova duhet të forcojë mbrojtjen dhe të synojë anëtarësimin në NATO, duke iu përgjigjur kësaj situate me qetësi dhe maturi.

“Por pa marrë parasyshse si sillet e çka flet Serbia, deri sa ne me luftë jemi nda, kemi shpall pavarësinë, Serbia është detyruar me dhun të largohet nga Kosova dhe nuk e njef pavarsin dhe institucionet e Kosoves politike dhe të siguris si legjitime por paralele, jo legale dhe armiqsore, Serbia ashtu kultivon narrativen e saj ne popullin serb, ne gjeneratat e reja dhe se në momentin e par kur do të jet e mundur (kur do të tërhiqen forcat e NATO-s nga Kosova ata do të kthehen me ushtrinë e Policinë e tyre përsëri në okupim për ne por në çlirim të Kosovës për ta , kjo mund të ndodhë pasi Serbia po punon e përgatitet për një gjë të tillë dhe detyrë e parë kryesore për Kosovës është që sa më parë të bëhet pjesë e NATO-s dhe të përgatitet me armatim dhe Doktrin mbrojtëse ndaj sulmit eventual nga Serbia .

Qetësia, analiza dhe maturia janë përgjigjja më e mirë ndaj kësaj retorike”, përfundoi ish-ushtaraku Hafir Hoxha për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *