Kriza e presidentit, juristi nga Belgjika mbështet LVV-në – opozita po saboton procesin në Kuvend
Kuvendi i KosovësA do të shkojë Kosova përsëri në zgjedhje të jashtëzakonshme?
Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Kushtetuesja tha se vendimi ia ndalon çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe ia ndalon çdo veprim Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.
Gjykata vlerëson se masa e përkohshme “është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyç në Kosovë”.
Kjo nënkupton se Osmani nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja derisa masa është në fuqi, ndërsa Kuvendi nuk mund ta vazhdojë seancën për zgjedhjen e presidentit, e nisur më 5 mars.
Mirëpo, në vend, ka shpërthyer debati në lidhje me interpretimet e ndryshme që po i bëhen Kushtetutës, si dhe asaj se kush ka të drejtë në këtë pikë.
E për këtë temë, më gjerësisht për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.
Fillimisht, ai foli mbi atë se si dështoi seanca për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit dhe bojkotin që e bënë partitë opozitare.
“Pas dështimit të seancës së Kuvendit të Kosovës mbajtur me 5 mars 2026, që ishte dita dhe ora e fundit për zgjedhjen e presidentit/es, kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, edhe pas thirrjeve dhe disa tentativave që të gjithë deputetët t’i kthejë në sallë, në mungesë të kuorumit, ajo u detyrua t’a ndërpresë seancën, duke paralajmëruar se seanca do të vazhdojë, kur për këtë të plotësohen kushtet. Edhe pse opozita, nuk ishte në sallë, me të kuptuar se zgjedhja e presidentit/es dështoi, ata njëzërit i bënë thirrje presidentes Osmani, që pa humbur kohë t’a nënshkruaj Dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, që nënkuptonte shkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme!
Sëkëndejmi, presidentja Osmani, menjëherë në mëngjes në konferencë për shtyp, njoftoi se, duke u bazuar në kompetencat e saja, në mbështetje të nenit 86 pika 2, ndërlidhur me nenin 82 pika 1.3 të Kushtetutës, ka nënshkruar Dekretin për shpërndarjen e Legjislaturës së Dhjetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dekreti i Zonjës Osmani, shkaktoi reagime të ndryshme në opinion, derisa PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja e përshëndetën, LVV-ja e kndështoi duke e dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese për interpetim, me arsyetimin se ende nuk ishin ekzauruar afatet për zgjedhjen e presidentit/es.
Gjykata Kushtetuese, lidhur me kërkesën e LVV-së, vendosi masë të përkohshme, që nënkupton pezullimin e ekzekutimit të Dekretit të presidentes, deri në marrjen e një Aktgjykimi”.
ImageSkënder Musliu.Foto galeri
Për këtë vendim të Kushteuteses dhe interpretimit të dy neneve nga Osmani dhe LVV, vlerëson se janë të kundërta.
Si jurist, ai tha se do sqarojë dy nenet, në të cilat mbështeten LVV e Osmani, e që rrjedhimisht tha se do ndihmonte në daljen nga kriza.
“Është interesant se, interpretimi i këtyre dy neneve nga ana e presidentes Osmani dhe LVV-së, nuk është i njëjtë, respektivisht ato janë diametralisht të kundërta.
Në këtë kontekst të ngjarjeve, në vazhdim, si profesionist i fushës, do të përpiqem t’i interpretoj dy nenet në fjalë dhe t’a analizojë shkurtimisht situatën e krijuar dhe daljen nga kriza.
1. Neni 86 pika 2, decidivisht thotë se: « Zgjedhja e presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual ». Në gjykimin tim, kjo dispozitë e trajton zgjedhjen e presidentit, vetëm atëherë kur ai e ka konsumuar deri në fund mandatin e tij të rregullt pesëvjeçar, që nënkupton, se rizgjedhja apo zgjedhja e një presidenti tjetër, bëhet më së voni 30 ditë para se t’i skadojë mandati. Në këtë kontekst, ky është afati i vetëm për mandatin e rregullt, dhe nëse dështon, konsiderohet se presidenti/ja nuk është zgjedhur.
2. Kurse neni 82, ku flitet për shpërndarjen e Kuvendit, pika 1.3 thotë se: » nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet Presidenti i Republikës së Kosovës. » Nga pikëpamja ime, ky dispozitiv, nuk vlen për rastin e tanishëm konkret në të cilën gjindemi, por ky afat prej 60 ditëve kosiderohet, nënkuptohet apo aplikohet në raste të jashtëzakonshme, respektivisht, kur presidenti ndërron jetë, kur ai jep dorëheqje ose kur ai shkarkohet nga Kuvendi”.
Rrjedhimisht, juristi nga Belgjika potencoi se nuk ka logjikë që të ketë dy afate për një çështje të njëjtë, në këtë rast për zgjedhje të presidentit.
Për këtë, ai potencoi se edhe nëse Kushtetuesja mbështet ankesën e LVV, prapë do ketë bllokadë, pasi partitë opozitare nuk do marrin pjesë në votimin e radhës të mundshëm për president dhe do e sabotojnë atë si proces.
“Gjykoj se, për zgjedhjen e presidentit, absolutisht nuk ka logjikë, e as sens juridik të ketë dy afate, sepse afati prej 30 ditëve vlenë kur presidentit i mbaron mandati i rregullt 5 vjeçar, kurse afati prej 60 ditëve, në rastet e jashtëzakonshme që i përmenda më sipër. Edhe vet logjika juridike nënkupton se, presidenti duhet të zgjidhet para se t’i përfundojë mandati, sikurse çdo kund në botë, e jo deri në 60 ditë pasi që t’i kaloj mandati, sepse shkaktohet vakum presidencial i paprecedent. Konsideroj se këtë paqartësi, Gjykata Kushtetuese do të duhej t’i sqarojë në Aktgjykimin e saj.
Edhe sikur Gjykata Kushtetuese t’a aprovonte kërkesën e LVV-së dhe t’a shpallte nul Dekretin e presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, dhe sikur t’a kthente procedurën për zgjedhjen e presidentit/es që nga fillimi, mendoj se kriza nuk do të zgjidhej, sepse deputetët, nën diktatin e liderëve partiak, prapë mund t’a bojkotojnë seancën dhe t’a sabotojnë zgjedhjen e pesidentit/es”.
Tutje, Musliu potencoi se e vetmja rrugëdalje nga kjo krizë dhe shmangia e zgjedhjeve të reja, është obligimi i Kushtetueses për deputetët opozitarë që të qëndrojnë në sallë dhe të marrin pjesë në votim, qoftë kundër, pro apo abstenim.
Sipas tij, nuk ka si të veprohet ndryshe në këtë situatë, derisa të merret vendim që presidenti të zgjedhet nga populli.
“Pikërisht për shkak largimit të papërgjegjshëm dhe antikushtetues të deputetëve nga salla e Kuvendit, vitin e kaluar Gjykata Kushtetuese miratoi Aktgjykim, me të cilin, përveç tjerash, decidivisht i obligoi deputetët të jenë prezent, e jo t’a lëshojnë sallën e Kuvendit gjatë konstituimit të institucioneve, duke përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit/es.
Prandaj, për daljen nga ky ngërç institucional dhe kushtetues, nëse deputetët gjatë votimit largohen nga salla, duke e dështuar zgjedhjen e presidentit/es, LVV-ja, çështjen duhet t’ia dërgojë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për interpretim, me kërkesë që, edhe pse deputetët nuk kanë qenë të pranishëm në seancën e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese konform Kushtetutës dhe Aktgjykimit të saj të vitit të kaluar, të konstatojë se, të gjithë deputetët, përveç atyre me arsye, kanë qenë prezent në sallë gjatë votimit, dhe të konstatojë zgjedhjen e presidentit/es me 2/3-ën e votave, sepse LVV-ja me pakicat jo serbe i ka votat e nevojshme, me çka do të merrnin fund bllokadat e orkestruara nga opozita. Edhe pse propozimi është paradoksal dhe nonsens, për këtë opozitë të çoroditur, nuk ka se si të veprohet ndryshe, derisa të miratohet Ligji për Referendum, ku do të parashihej që zgjedhja e presidentit të bëhet përmes votës së drejtpërdrejtë të sovranit, me referendum, e jo t’i lihet kastava politike që përmes pazareve të pandershme t’a kontrabandojnë vullnetin dhe votën e sovranit në Kuvendin e Kosovës”.
Në fund, juristi kërkoi nga Kushtetuesja që të mos merret me pazare politike dhe të krijojë kriza të reja, por të të vendosë një normë të re kushtetuese, me të cilën do t’iu pamundësonte deputetëve t’a lëshojnë sallën e Kuvendit në momente kyçe.
“Konsideroj se Gjykata Kushtetuese nuk duhet të merret me pazaret politike që po krijojnë një krizë të re të panevojshme institucionale, të shkaktuar nga politikan dhe deputet të papërgjegjshëm dhe të paskrupulut, por ajo duhet në mënyrë pragmatike, t’ua mbyllë rrugën tugjarëve dhe të inkriminuarve që bllokojnë institucionet më vitale të shtetit. Gjykata Kushtetuese, një herë e përgjithmonë, duhet të vendosë një normë të re kushtetuese, me të cilën do t’iu pamundësonte deputetëve t’a lëshojnë sallën e Kuvendit gjatë konstituimit të institucioneve më të rëndësishme të shtetit”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.
