OPINIONTË FUNDIT

Vjosa dhe Albini ndryshuan imazhin për Kosovën, të rrënuar nga Hashimi me bandën e tij

Zvarritja e propozimit të kandidatit/es, për president/e nga kryeministri Albin Kurti, ecejaket e tij në kërkim të një figure simbolike, u vetë zbulua se ai shpërfilli një partnere koalicioni cilësore, nga e cila ka përfituar shumë. Gjenerali freng, Napoleon Bonaparti, thoshte: “Më shumë i urrej mosmirënjohësit, se sa tradhtarët”. Nëse nuk reflekton në qëllimet e errëta që ka aktualisht, Kurti do të humbasë shumë në sytë e shqiptarëve.

Tashmë, nuk është sekret se Kurti kërkon kuadro të bindur, “lepe-peqe”, – siç thonë turqit. Një sundimtar dhe filozof i antikitetit i tha vartësit të tij: “Të lutem, më kundërshto një herë, që ta di se jemi në dialog, dy veta!” Andaj, heziton, më saktë, anashkalon emrin e gatshëm, Vjosë Osmanin. Rebelimi i saj, besoj fort, se ka pasur bazë parimore. Mjafton të kujtojmë se çfarë mendonte Kurti, dikur: “Amerika ishte partner i luftës, i të kaluarës, por, jo i së tashmes dhe të ardhmes”! Komenti është i tepërt! Edhe pse duket se ka reflektuar për Amerikën, dhe mirë ka bërë, por jo edhe ndaj aleates së dikurshme, Vjosë Osmanit.

Kryeministri Kurti nuk po e vlerëson, madje as nuk po i intereson roli i presidentes Vjosë, në përafrimin e aleatëve dhe të miqve të Presidentit Rugova, faktorë vendimtar në konsolidimin e shtetit të Kosovës. Dhe, këtë nuk mund t`ia mohojë askush, madje as Albin Kurti me akrobacirat e tashme të tij. Për rrjedhojë, nga ky konsolidim ka përfituar dhe vazhdon të përfitojë bollshëm edhe Kurti, në forcimin e pushtetit të tij.

Me diplomacinë e shkathtë presidentja Vjosë Osmani, ka begatuar punën e shkëlqyer të bërë nga Ministria e Jashtme, të drejtuar nga kolegia e saj, Donikë Gërvalla. Paragjykimi i veprimtares më të shquar nga Mërgata shqiptare, për çështjet madhore të Kosovës, Donikë Gërvallës, nga opozita PAN-iste, ka qenë dhe mbetet i qëllimshëm, sepse ajo i ka dhënë krimit emër, dje dhe sot. Dhe, kjo shqetëson të inkriminuarit, andaj edhe e sulmojnë, me qëllim denigrimi. Megjithatë, kundërshtarët e saj, të cilët janë edhe të Kurtit, kanë dështuar turpshëm, sepse Gërvalla ka qenë dhe mbetet një luftetare dhe atdhetare e pakompromis.

Dikur, kalkulimet politike të Kurtit binin ndesh me interesat e Kosovës, sepse ai ishte i dyzuar në mes të Lindjes dhe Perëndimit. Pikërisht, këtë fakt e denoncoi presidentja Vjosë, duke e paralajmëruar Kurtin se duhet ndryshuar kahjen. Dhe, vërtet, Kurti ka ndryshuar pozitivisht, duke e vënë si preferencë Amerikën të parë, në raport jo vetëm me Lindjen, por edhe me vetë Evropën. Dhe, kjo duhet vlerësuar në masën e duhur.

Por, Kurti nuk ka arritur ta tejkalojë atë përplasjen e hapur, por mjaft të nevojshme dhe të sinqertë me Presidenten Osmani, edhe pse kjo i shërbeu Kurtit në reflektim, për të mirë. Por, mbi të gjitha i shërbeu Kosovës. Pasuan marrëveshjet me krye partnerët tanë, u hoqën sanksionet e BE-së dhe të botës ndaj Kosovës.

Presidenti Donald Trump, me autorizimin e nënshkrimit të Marrëveshjes për sigurinë, mbrojtjen, zhvillimin ekonomik, favorizon shumë edhe Kosovën. Bashkë autorësia e Kosovës me SHBA, në themelimin e “Boshtit të Paqes”, me nënshkrimin e presidentes Osmani, është mjaft domethënës. Mbi të gjitha, presidentja jonë, me diplomacinë inteligjente, -par exelence-, në SHBA, Evropë dhe botë, në koordinim dhe bashkëpunim me kryeministrin Albin Kurtin, ndryshuan imazhin për Kosovën, të rrënuar, me fund, nga Hashim Thaçi, me bandën e tij pushtetare aktive Dhe, kjo është arritje kulmore, që meriton shpërblim dhe assesi ndëshkim, siç e kanë vu në shënjestër kundërshtarët e saj ziliqarë, Vjosë Osmanin!

Binomi Vjosa-Albini të suksesshëm, i duhen Kosovës, për konsolidimin e shtetit

Hashimi, me pushtetin e tij të plotfuqishëm, kishte kapur dhe rrënuar tri shtyllat e rëndësishme shtetërore:

1. Sistemin e drejtësisë: Prokuroritë dhe Gjykatat qendrore e lokale;

2. Mediat publike dhe private, asociacionin e gazetarëve, me lukuninë e analistëve mercenarë, me seli në Prishtinë dhe Tiranë;

3. Shoqërinë Civile, me pak përjashtime, njëjtë si ato 66 të tilla, shoqata dhe organizata, sa parazite, aq edhe politike, nga të cilat u tërhoq Amerika, duke ndërprerë financimin për ato, me arsyetimin e presidentit Donald Trump, se “ne paguajmë dhe ato veprojnë kundër nesh, SHBA-së!”

Vjosë Osmani dhe Albin Kurti ishin projektues dhe zbatues të planit, për shtrirjen e sovranitetit në veriun e Kosovës, të cilin ia kishin dorëzuar Serbisë KFOR-i francez, së bashku me agjentin e tyre Hashim Thaçin. Presidentja Vjosë Osmani me kryeministrin Albin Kurtin, ndanin mendimin e njëjtë për Sistemin e Drejtësisë, i cili ka bllokuar VETTING-un dhe BYRONË e hetimeve të pasurive të paligjshme; mediat publike dhe private, të kapura nga opozita PAN-iste; si dhe të ashtuquajturën Shoqëria Civile, e cila, në pjesën më të madhe, është vënë në shërbim të bandës partiake PAN-iste.

Mos vallë, ky koordinim dhe bashkëpunim harmonik, i presidentes me kryeministrin, sot kur është rasti i zgjedhjes të presidentes, përdoret për akuza fiktive, të rrejshme, kinse, “presidentja ishte vetëm zbatuese e verbër e urdhrave, notere e kryeministrit!?”

Dëshmohet sheshit se PAN-i vazhdon të mbrojë shtyllat e kapura të shtetit, ndërsa shpifjet tjera janë politike, me qëllim denigrimi, në rastin konkret të presidentes Vjosë Osmanit. Por, bashkëpunimi u kuptua drejtë nga populli, duke ua dhënë besimin shtetëror dhe pushtetar LVV, me aleatët Guxo. Alternativa, PSHDK, njëherësh, duke refuzuar dhe rrëzuar bandën e PAN-it, për të tretën herë radhazi.

Fillim e mbarim, zgjedhja e presidentit/es, po përshkohet nga një mister dhe paqartësi hileqare. E gjithë kjo shtoi oreksin e opozitës PAN-iste, për pretendime hiç realiste, në hisen e presidentit/es të vendit. Nga abuzimi që ka bërë PDK-ja, me presidentin e saj të shantazhuar me dosje penalizuese, për krime serike, për pasojë agjent i trefishtë, i Tiranës, Parisit, Beogradit, nuk ka fytyrë as të përmend marrjen e postit të presidentit të Kosovës.

Konspiracioni për emrin e presidentit/es nga kryeministri Kurti, trimëroi subjektet politike PDK, AAK, NISMA, të koalicionuara në PAN, për t`i lakuar emrat partiakë të tyre, për postin e Presidentit/es. Ndërkohë, shqiptarët, në shumicën absolute të tyre, duke parë arritjet e prekshme, domethënëse të bëra nga Vjosë Osmani, në cilësinë e presidentes të Kosovës, ndjehen të shokuar, të fyer, pse mungon propozimi emëror i saj, për postin në fjalë?! Me keqardhje të madhe, i dyshuari i parë, për këtë “harresë” për opinionin, është kreu i LVV, Albin Kurti!

Kurti ka objektiva afatgjata. Për dy dekada radhazi ka protestuar, duke mos zgjedhur mjetet, për t`i larguar nga pushteti bandat shqipfolëse, që kishin uzurpuar pushtetin, duke përgjakur dhe vrarë kundërshtarët politikë, luftëtarët ushtarakë dhe veprimtarë të LDK-së, për lirinë e Kosovës.

“Komandantët”, duke keqpërdorur emrin e UÇK-së, pa hyrë fare në luftë, uzurpuan pushtetin dhe zhvatën shtetin. Me privatizime, tenderime abuzive, haraç të përgjakshëm, me makro-kontrabandë, me bandat e Radoiçiqit, Veselinoviçëve dhe të viçave të tjerë serbë, dëmtuan miliarda euro buxhetin e shtetit dhe nga çobanë leckamanë, u bënë milionerë, shtetarë e pushtetarë!

Vrazhdësia, deri në egërsi, përgjatë opozitarizmit të Kurtit, ishte e justifikueshme, sepse kishte përballjen me banditër në pushtet dhe bandat mercenare të tyre.

Tani, në kuadrin e forcimit të pushtetit, Albini synon presidentin/en ta këtë nën kontrollin e tij, në momentet e rëndësishme politike. Andaj, uragani diplomatik i presidentes Osmani llogaritë që e pengon, qoftë edhe në të ardhmen e largët. Prandaj, preferon “ta hajë pabesinë dhe turpin me bukë”, – siç thotë populli, duke e tradhtuar partneren e fuqishme Vjosë, për ta gjetur një sheleg urtak në vend të saj!

Kosova është sakatosur për afro një çerek-shekulli, duke u sunduar nga “komandantët” të shantazhuar me dosje penalizuese, rrjedhimisht, agjentë të shteteve armike. Shantazhimi të shqetëson edhe në gjumë. Me forcën pushtetare që ka Albin Kurti, me LVV të tij dhe aleatët Guxo, Alternativa, PSHDK, dhe Vjosën presidente, prisnim të bëjë punë të mira për shtetin e Kosovës. Në vend që ta ndihmojë riformimin e opozitës PAN-iste, rrastë të kriminalizuar, për t`i spastruar subjektet e tyre politike, nga krimi dhe kriminelët, për ta emancipuar shoqërinë kosovare, Kurti po bënë të kundërtën, me pazaret me atë.

Përkundrazi, duke mos e nominuar Vjosë Omanin për kandidate për presidente, po i provokon, deri në mosdurim, aleatët e saj besnikë, duke e goditur themelin e kësaj aleance të suksesshme. Sinqerisht, e dija më të mençur Albin Kurtin.

Këndellja e LDK-së është domosdo, për emancipimin dhe demokracinë e Kosovës

Më në fund, LDK-ja ka filluar këndelljen, duke u distancuar nga vrastarja e saj PDK-ja. Ishte veprim i duhur i LDK-së, mosnënshkrimi i Rezolutës së turpshme dhe kriminale, “Drejtësi, dhe jo politikë”, të nismuar nga OVL të UÇK-së, përkatësisht, subjektet politike, PDK, AAK, NISMA, të koalicionuara në PAN-in kriminal, e cila, falsifikueshëm, flet në emër të shqiptarëve, ndërkohë që 80 %, e shqiptarëve vendorë dhe botërorë, kërkojnë ndëshkimin e krimit dhe të kriminelëve.

Prononcimi i kryetarit Lumir Abdixhiku, pas takimit me liderin e LVV, Albin Kurtin, është racional dhe realist: “Në këtë fazë nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt, aq më pak ndaj zonjës Osmani”. “Edhe zogjtë e malit e dinë”, se vajzat tribune, Vjosa dhe Donika, janë përzënë nga klani i fuqishëm, autonom, brenda Kryesisë të LDK-ë, për arsye të konkurrencës, i lidhur “këmbë krye” me PDK-në intriguese.

Disa deputetë të LDK-së po hamenden apo edhe po reagojnë ndryshe nga kryetar Lumiri, nëse duhet votuar Vjosë Osmani? Po ua kujtojmë se keni votuar ose ia keni bërë kuorumin agjentit të trefishtë, Hashim Thaçit për president, përkundër kundërshtisë të strukturave dhe anëtarësisë të LDK-së; keni bërë koalicionin me PDK-në; ia keni vazhduar dy herë radhazi mandatin e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës, me votim aklamativ, të hapur, në kundërshtim me elektoratin, anëtarësinë, strukturat e partisë, madje edhe të shumicës të kryesisë të LDK-së.

Ua keni mbyllur dyert e Kuvendit të 8-të të LDK-së, delegatëve të Kuvendit, për dy Degët më të organizuara të Mërgatës, Zvicrës dhe Gjermanisë, përfshirë edhe kryetaren Donikë Gërvalla; bodiguardet e ministrave të LDK-së, kanë tërhequr zvarrë nga salla e Konventës, vajzën krenare të heroit Jusuf Gërvalla, Donikën, dhe ju nuk keni reaguar, në vend që ta bojkotonit atë palo Kuvend-maskaradë! Në shenjë zemrate, atë ditë shumë-mijëra anëtarë u larguan nga LDK-ja.

Në përballjen e Isa Mustafës me Vjosë Osmanin, për kryetar të LDK-së, udhëheqja e partisë nuk ka pranuar që të bëhet votimi i fshehtë për kuotën e shpikur 50+1, enkas për të pamundësuar kokurrimin e Vjosës dhe e përlotur është larguar nga salla kuvendore “zgjedhore”! Megjithatë, delegatët e Konventës, “nuk e luajtën, me nder, të pasmen! Dhe, rezultati i 14 shkurtit 2021, në zgjedhjet parlamentare LDK-ja fitoi vetëm 9.8 %, sepse hisedar ishte edhe Pacolli me disa partiza djathtiste.

LDK-ja ka qenë dhe duhet të bëhet faktor relevant, në skenën politike të Kosovës. Bashkimi i sinqertë, do të shërbente si bazë e shëndetshme, për ngritjen e serishme të LDK-së.

Kujdes, gjykimit të elektoratit dhe të historisë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *