OPINIONTË FUNDIT

Mandat i dytë për Vjosa Osmanin apo marrëveshje e re politike? Zeqiraj i dërgon mesazh Abdixhikut!

Pas formimit të institucioneve të reja, tani Kosova hyn në një fazë vendimtare të procesit për zgjedhjen e presidentit/es përr një mandat pesëvjeçar.

Presidentja e tanishme, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se synon të kandidojë për një mandat të dytë.

Megjithatë, emra të rinj vazhdojnë të përmenden në diskursin publik, pa asnjë konfirmim zyrtar nga kandidatët apo partitë. Mes tyre janë Lulzim Jashari, djali i komandantit legjendar Adem Jashari; Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, i cili thekson rëndësinë e dialogut politik pa “pazare”; dhe Ramush Haradinaj, i cili shihet si një mundësi konsensuale për opozitën.

Por, se si realisht pritet të vijojë procesi për zgjedhjen e të parit/parës së shtetit, foli publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.

Fillimisht, ai në prononcimin për “Bota sot” e vlerësoi lartë figurën e presidentes Osmani, derisa beson se ajo e meriton edhe një mandat të dytë.

ImageIdriz Zeqiraj.Foto galeri
Ai konsideron se Osmani do e kishte fitoren e sigurtë, nëse presidenti do zgjedhej nga populli e jo nga “pazaret politike” të Kuvendit.

“Presidentja Vjosë Osmani ka shkëlqyer në detyrën e saj fisnike presidenciale, duke përmbushur detyrimet brenda shtetit dhe në diplomacinë e Jashtme, me cilësitë e kompletuara që posedon, në një shtet të emancipuar dhe demokratike, as që do të vihej në votë, për ta vazhduar mandatin e dytë.

E keqja e madhe është pse zgjedhja e presidentit është lënë peng e pazarllëqeve politike të Kuvendit. Në çfarëdo votimi të drejtpërdrejtë nga populli fitoren do ta kishte të garantuar”.

Krahas kësaj, Zeqiraj foli edhe për raportimet e ndryshme mbi figurat që mund të jenë kandidat apo që mund ta synojnë postin e presidentit.

Sa i përket, Abdixhikut, ai vlerëson se ky i fundit nuk do ta provojë përballjen me Osmanin, për disa arsyje.

Ndërsa, për emrat tjerë, nuk konsideron se do ta “rrezikonin” Osmanin as për së afërmi.

“Raportimet spekulative se postin e Presidentit të Republikës të Kosovës e synojnë edhe kandidatë të tjerë. Njëri nga të lakuarit, edhe pse ende nuk ka shpallur kandidaturën është Dr. Lumir Abdixhiku. Pavarësisht se nuk i shkoi për mbarë në drejtimin e LDK-së, edhe pse nuk ishte sovran në vendime, kandidatura e tij do të ishte serioze. Por, nuk besoj ta provojë përballjen me Vjosën, për disa arsye. Lehtësuese për atë është e favozizon përgatitja intelektuale solide dhe mosha e re.

Kandidaturat tjera të përfolura, edhe pse jo zyrtare, nuk do ta rrezikonin, as për së afërmi, Vjosë Osmanin, ngaqë karizma e saj, pas Presidentit Rugova, ka admirim masiv tek shqiptarët vendorë dhe të përbotshëm. Mungesa e shtetit ligjor, u jep mundësi të abuzimit brenda anashisë, paradiksalisht, të quajtur liri, për të livadhisur të lirë, madje edhe për të pretenduar për t`u ngritur në kupolë të shtetit! Të mençurit ia dinë “hallin vetit” dhe frenojnë lakminë për një post kulmor”, theksoi Zeqiraj.

Në këtë pikë, publicisti konsideron se kryetari i LDK-së nuk duhet të synojë postin e presidentit, por rregullimin e raporteve me LVV-në.

Ai potencon se, në koalicione duhet respektuar disa parime.

“Kryetari i LDK-së nuk e besoj të pretendojë, të paktën aktualisht, postin e presidentit. Sepse ka ca punë më të meçme dhe, ndoshta më lehtë të realizueshme, afrimi i gatishmërisë për koalicion me LVV dhe aleatët e saj, në Qeverinë Kurti 3. Paraprakisht, duhet pranuar se koha e babëzive dhe e dallavereve të Pacollit, kur kushtëzonte me 3 deputetë, të merrte 4 ministri ka ikur, ka kaluar. Fajësia e parë është ligji për pragun e ulët 5 %, ndërkohë që duhet të jetë, të paktën 10 %, për të shmangur partizat zhvatëse dhe kalkulatore e korruptive.

Në koalicione përveç pazareve duhet respektuar edhe disa parime dhe rregulla bazike. Përqindja e votave të fituara në zgjedhje, është barometër përcaktues për hisen, kuotën e posteve qeverisëse. Palët e dëgjuara, për prishjen e koalicionit në Mitrovicë, lënë tym dhe mjegullnajë pas”.

Në fund, ai shtoi se, Abdixhiku ka mësuar nga humbja e 28 dhjetorit, dhe kësisoj mund ta lë hapur mundësinë për marrëveshje me LVV-në.

“Faji i përsëritur rëndon më se ai fillestar. Kryetar Lumiri duket se ka mësuar nga humbja. Andaj, lënia e hapur e mundësisë të përafrimit, pse jo, edhe të koalicionit me LVV, është në dobinë reciproke të dy subjekteve të cituara”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *