Masat po bien, presioni po zbehet / Voca zbërthen prapaskenat: Kosova përballë një kthese të madhe!
Komisioni Evropian ka konfirmuar se të gjitha masat ndaj Kosovës mund të hiqen brenda disa javësh, sapo të përfundojnë procedurat e brendshme në strukturat e Brukselit.
Drejtori i Drejtoratit për Zgjerim, Jan Koopman, ka bërë të ditur se, së bashku me pjesën e masave që tashmë janë hequr, për Kosovën do të lirohen mbi 400 milionë euro.
Aktualisht, sipas tij, po punohet në fazën e programimit dhe kontraktimit.
“Ndërmjet programimit dhe kontraktimit, ne, në mënyrë efektive, në javët e ardhshme do t’i kishim hequr të gjitha masat financiare. Kjo është pak a shumë ajo që ka thënë Presidentja jonë dhe ajo që po planifikojmë të bëjmë tani, si dhe ajo që ne në të vërtetë po bëjmë në praktikë”, tha Jan Koopman.
Por, se çka pritet pas largimit të këtyre masave, për “Bota sot” foli doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, si dhe ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Mirsad Voca.
Ai vlerëson se me këtë, hapet mundësia për rivendosjen e raporteve mes Kosovës e BE-së, derisa pritjet janë domethënëse.
“Heqja graduale e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës përfaqëson më shumë se një lehtësim teknik sepse ajo shënon një rivendosje të kujdesshme të raportit politik mes Kosovës dhe BE-së pas një periudhe tensioni dhe mosbesimi. Pritjet në këtë fazë të re janë të matura, por domethënëse, në veçanti nëse ky vendim shoqërohet me një qasje më koherente nga të dyja palët”, deklaroi ai.
ImageDoktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, si dhe ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Mirsad Voca.Foto galeri
Sipas Vocës, me largimin e masave do hapet mundësia për vazhdimin e dialogut me Serbinë, ku edhe pritet të ulet presioni ndaj Kosovës.
Kurse, sa i përket, ndikimit ekonomik, thotë se do ndikojë në investime dhe projekte të reja financiare.
“Në planin politik, heqja e masave pritet të krijojë hapësirë për normalizimin e dialogut institucional mes Kosovës dhe BE-së. Ajo mund të ulë presionin politik mbi institucionet e Kosovës dhe të forcojë legjitimitetin e qeverisjes, duke e zhvendosur fokusin nga menaxhimi i krizave drejt agjendave afatgjata reformuese. Në të njëjtën kohë, kjo fazë mbetet e kushtëzuar sepse BE-ja do të presë stabilitet institucional, përmbajtje politike dhe angazhim konstruktiv në dialogun rajonal.
Në nivel ekonomik, heqja e masave mund të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e besimit të investitorëve, në përshpejtimin e projekteve të financuara nga BE-ja dhe në rifunksionalizimin e instrumenteve financiare evropiane. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për një ekonomi të vogël si ajo e Kosovës, e cila varet ndjeshëm nga mbështetja ndërkombëtare dhe nga perceptimi i stabilitetit politik”.
Në vazhdim, ai shtjelloi edhe aspektin diplomatik dhe atë të integrimit evopian, e që për këtë të fundit tha se është gazë e rëndësishme për shtetin tonë.
“Në dimensionin diplomatik, ky vendim mund të ndihmojë Kosovën të rifitojë terren ne arenën ndërkombëtare, duke forcuar argumentin se ajo mbetet një partner i besueshëm dhe i përkushtuar ndaj vlerave evropiane. Heqja e masave mund të lehtësojë gjithashtu përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, jo si garanci automatike, por si parakusht politik për avancim.
Sa i përket integrimit evropian, kjo fazë nuk duhet parë si përparim linear drejt anëtarësimit, por si një rikthim në kornizën normale të procesit. Heqja e masave e rikthen zgjerimin në funksionin e tij transformues, por vetëm nëse BE-ja e zhvendos fokusin nga stabiliteti formal drejt funksionalitetit real të institucioneve, ndërsa Kosova demonstron konsistencë në sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike”.
Në fund, Voca shtoi se, kjo është mundësi e madhe politike, por që duhet të shfrytëzohet nga institucionet e Kosovës, e që kjo mund të bëhet sipas tij përmes një strategjie të qartë shtetërore.
“Në thelb, kjo është një mundësi politike, jo një shpërblim përfundimtar. Ajo mund të shfrytëzohet për të përshpejtuar reformat, për të riforcuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës dhe për ta afruar vendin me standardet evropiane. Por pa performancë konkrete institucionale dhe pa një strategji te qartë shtetërore, edhe kjo fazë rrezikon të mbetet simbolike”, përmbylli Mirsad Voca për “Bota sot”.
