Mesazh i fortë nga SHBA: Pa Vjosa Osmanin presidente Kosova rrezikon të humbas momentin historik
Muaji mars pritet të sjell dinamika të reja në skenën politike të Kosovës përsa i përket zgjedhjes së Presidentit të ri.
Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur synimin e saj që ta rimarr edhe një mandat presidencial, por ende nuk dihet se a do të mund t’i sigurojë votat e partive opozitare për t’i bërë gjithsej 81 sa i duhen për rizgjedhje.
Megjithatë rizgjedhja e Osmanit në postin e presidentes po konsiderohet si domosdoshmëri në situatën në të cilën ndodhet Kosova.
Publicisti dhe anëtari i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA), Hafiz Shala, ka deklaruar se zgjedhja e Vjosa Osmanit Presidente nuk është çështje dëshire individuale apo kalkulim politik, por një domosdoshmëri e momentit aktual gjeopolitik në të cilin ndodhet Republika e Dardanisë (Kosova).
Në një deklaratë për “Bota sot”, Shala thekson se zgjedhjet e fundit nacionale kanë dëshmuar pjekuri të lartë demokratike, duke e cilësuar procesin si shembull unik në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë në Evropë.
Sipas tij, rezultati plebishitar që solli rizgjedhjen e Albin Kurtit Kryeministër përbën një verdikt të qartë të sovranit, i cili rrëzoi, siç thotë ai, “teoritë subversive dhe propagandën e opozitës, të ndihmuar nga qarqe të brendshme dhe të jashtme, përfshirë edhe Serbinë”.
“Vjosa Osmani Presidente nuk është dëshirë individuale apo kolektive, por imperativ i momentit aktual në të cilin gjendet Republika e Dardanisë.
Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale, të cilat përfunduan në mënyrën më të avancuar demokratike – shembull unik në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë – u nxor rezultati që, në radhë të parë, e priti dhe e dëshiroi sovrani. Në mënyrë plebishitare, me një rezultat që kurrë më parë në historinë e Dardanisë (Kosovës) nuk ka ndodhur, u zgjodh z. Albin Kurti për Kryeministër, duke hedhur poshtë teoritë subversive propagandistike të opozitës, në bashkëpunim me qarqe të ndryshme brenda dhe jashtë atdheut, përfshirë shtetin fqinj, i cili, sipas shumë informatave, ka shpenzuar para të mëdha për t’ia arritur qëllimit: pengimin me çdo kusht të ardhjes së Albin Kurtit në krye të qeverisë”, u shpreh Shala për “Bota sot”.
Sipas tij, vetëdija kombëtare e qytetarëve bëri që pjesa veriore të kthehej përfundimisht në duart e organeve shtetërore të Dardanisë.
“Vetëdija kombëtare e qytetarëve brenda dhe jashtë atdheut, duke analizuar kontributin e tij në periudhën pesëvjeçare në krye të Qeverisë, në radhë të parë çlirimin definitiv të pjesës veriore, e cila ishte plotësisht e kontrolluar nga strukturat terroristo-kriminale serbe të dirigjuara nga Beogradi, bëri që kjo pjesë të kthehej përfundimisht në duart e organeve shtetërore të Dardanisë. Kjo u shndërrua në një pengesë të paprecedent, duke e votuar njeriun më të respektuar, më të dashur, më të pastër në çdo aspekt dhe më të besuarin deri tani në historinë tonë kombëtare.
Me ndryshimin e gjendjes në veri, u vërtetua para Amerikës dhe Evropës se, me zbatimin e ligjeve dhe Kushtetutës së vendit, jeta e përbashkët është e mundur pa pengesa, por gjithmonë duke e penguar përzierjen e Serbisë në punët e brendshme të një shteti sovran dhe demokratik”, u shpreh Shala.
Tani, për ta vazhduar suksesin në marrëdhëniet ndërkombëtare në kuadër të gjeopolitikave që po pësojnë ndryshime rapide dhe të paparashikuara, Shala thekson se në krye të shtetit na duhet një personalitet si Zonja e nderuar dhe e respektuar Vjosa Osmani.
“Nuk janë fjalë kurtuazie, por meritë e saj e pakontestuar që Republika e Dardanisë, si kurrë më parë, ka qenë e përfaqësuar, përmes së cilës ka fituar besim dhe simpati nga qarqet vendimmarrëse të botës, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – partneri, miku dhe gardiani ynë i pazëvendësueshëm – e cila, përmes ombrellës së sigurisë kombëtare amerikane, e ka futur edhe Republikën e Dardanisë (Kosovën) gradualisht drejt Bashkimit Evropian, duke pasur parasysh ndikimin rus në disa shtete evropiane si aleate të saj.
