Bukuroca ‘rrëzon’ skenarin e krizës dhe godet opozitën: Qeveria Kurti formohet pa pengesa!
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e të gjitha votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, të cilat i fitoi Lëvizja Vetëvendosje me 51.11 për qind të votave.
Tani, KQZ-ja është e gatshme që të shpallë rezultatin përfundimtar, tha zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.
“Por, sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, theksoi Elezi.
E në lidhje me atë se kur mund të ndodhë formimi i qeverisë së re, në një prononcim për “Bota sot” foli Lis Bukuroca.
Fillimisht, vlerëson se nuk do përsëritet bllokada e vitit të kaluar dhe se do kemi institucionet të reja shpejtë.
Madje, përvveç komunitetit joserb, ai shpreson që edhe LDK ta mbështesë qeverinë e LVV-së.
“Mendoj se procesi i formimit të Qeverisë do të përfundojë pa vështirësi të mëdha dhe se nuk ka mundësi të përsëritet gjendja e vitit të kaluar. Disa deputetë të pakicave të tjera do ta mbështesin Qeverinë. Uroj që këtë ta bëjë edhe LDK-ja dhe të braktisë çerdhen e PDK-së.
Sa i përket Kuvendit, zgjedhja e Albulena Haxhiut do të duhej të procedohej pa pengesa, pasi krijimi i bllokadave nuk i solli dobi opozitës. Përkundrazi. Institucionet duhet të konstituohen dhe vendi të ecë përpara”, shtjelloi publicisti.
Krahas kësaj, përmendi edhe Kushtetuesen dhe atë se çka mund të vendosë për nënkryetarin serb, e që sipas tij është vështirë të parashikohet se çka mund të ndodhë.
Ai nuk kurse edhe kritikat e tij.
“Se si do të sillet Gjykata Kushtetuese është vështirë të parashikohet. Kjo gjykatë është e diskredituar dhe vetë fakti që në përbërjen e saj ka një person të dënuar me gjashtë vjet burg flet shumë, për fat të keq, edhe për kolegët e tij”, përfundoi Lis Bukuroca për “Bota sot”.
Kujtojmë se, në bazë të rezultateve preliminare, LVV-ja e Albin Kurtit ka shënuar rezultatin më të mirë në zgjedhje ndonjëherë, duke fituar 51.11 për qind të votave apo përkthyer në vota, ky subjekt mori 486.994 vota që i japin 57 vende në Kuvend.
Kreu i kësaj partie, Albin Kurti, është personi më i votuar në Kosovë duke marrë 404.023 vota.
Partia e dytë doli Partia Demokratike e Kosovës me 20.19 për qind të votave apo 22 vende në Kuvendin prej 120 deputetësh.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.23 për qind të votave, që i sigurojnë asaj 15 vende në organin ligjvënës.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 5.50 për qind të votave dhe kjo parti do të ketë gjashtë deputetë.
