TË FUNDIT

Osmani pranon ftesë nga Biden për pjesëmarrje në Samitin për Demokraci

Osmani pranon ftesë nga Biden për pjesëmarrje në Samitin për Demokraci

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë ftesë nga Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, për pjesëmarrje në Samitin e Dytë për Demokraci.

Këtë e ka bërë të ditur Presidenca e Kosovës përmes një komunikate për media, shkruan lajmi.net.

Presidenca njofton se Osmani është përzgjedhur në mesin e dhjetë liderëve që do të jenë folës kryesor në seancën plenare në të cilën do të flitet për rolin e demokracisë në krijimin e institucioneve stabile.

Njoftimi i plotë nga Zyra e Presidencës:

Presidentja Vjosa Osmani ka marrë ftesë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden për të marrë pjesë në Samitin e Dytë për Demokraci.

Sipas ftesës, përveç fjalimit që do të mbajë krahas krerëve të shteteve të tjera sipas formatit të vitit të kaluar, Presidentja Osmani është përzgjedhur edhe në mesin e dhjetë liderëve që do të jenë folës kryesor në seancën plenare në të cilën do të diskutohet për rolin e demokracisë në krijimin e institucioneve stabile.

Samiti për Demokraci është nismë e Shtëpisë së Bardhë që mëton të nxjerrë në pah suksesin e demokracisë në dobi të qytetarëve si dhe adresimin e sfidave më të vështira botërore.

Më 9 dhjetor 2021, Presidentja Osmani përfaqësoi Kosovën në edicionin e parë të Samitit për Demokraci, platformë që ka bashkuar vendet anekënd globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato.

Republika e Kosovës, përgjatë vitit që shkoi, ka arritur suksese të rëndësishme në të tri zotimet të cilat kishin për qëllim fuqizimin e sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, luftimin e autoritarizmit, avancimin e të drejtave të njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen me fokus në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore.

Për shkak të këtij suksesi, nga më shumë se 100 shtete pjesëmarrëse, Presidenca e Republikës së Kosovës, është përzgjedhur nga Shtëpia e Bardhë që të bashkë-udhëheqë me grupin tematik për sundim të ligjit. /Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *