Tali: Serbia nuk është reformuar kurrë, vetëm është ushqyer me “karrotën” evropiane
Tonino Picula, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, reagoi ashpër ndaj programit skandaloz të Krishtlindjeve në TV Informer në Beograd, në të cilin u kënduan këngë nacionaliste (çetnike), ku kishin marrë pjesë edhe zyrtarët e lartë serbë.
“Thjesht me njerëz të tillë dhe me një politikë të tillë, nuk mund të ecet përpara në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.
Analisti Driton Tali, në një prononcim për “Bota sot”, thotë shkurt se Serbia e sotme e drejtuar nga Vuçiçi nuk ka ndryshuar në thelb, por është vazhdimësi e të njëjtës paradigmë politike e kulturore që nga Garashanini e deri te Millosheviçi, e cila vetëm është përshtatur me kohën, pa u reformuar realisht.
“Unë në vazhdimësi e them se “kjo Serbi” e Vuçiçit në esencë nuk ka ndryshuar: është vazhdimësi e Serbisë së Garashaninit, Pashiçit, Stojadinoviçit…, Rankoviçit e Millosheviçit!
Është e njejta paradigmë kulturore e cila është kultivuar në vazhdimësi, me pak ndryshime në nuanca, të cilat ja ka imponuar koha. Pra “kjo Serbi” paradigmen e saj nuk e ka ndryshuar apo reforfmuar që nga atëherë por veç e ka adaptuar konform këtyre kërkesave kohore, gjersa thelbi akoma është i njejtë” – shprehet ai.
Tali, thotë se BE-ja e përshtat qasjen ndaj Serbisë sipas zhvillimeve në Ukrainë, duke përdorur “karrotën” për të shmangur kriza në Ballkan, ndonëse e njeh mirë hegjemonizmin dhe racizmin serb.
“Sa i përket sjelljes së BE’së, për aq sa marrë vesh unë nga këto gjëra, sjellja e saj varësisht nga zhvillimet në luftën e Ukrainës. Sa herë që kishte indicie se Rusia nëpërmjet Serbisë po përgatit diçka në Ballkanin Perendimor, për ta filluar një krizë ne Europë dhe tërheq vemendjen nga Ukraina, qoftë në Kosovë apo Bosnje, BE sikur ndërmerrte aksione në favor të Serbisë për t’i evituar ato dhe ç’tensionuar situatën, edhe pse e dinte se ato nuk do të japin ku me ditë se çfarë rezultati.
Pra, reagonin me strategjinë e karrotës në stilin “ngre e mos e këput”. Gjersa në Kosovë e dijnë që popullata e saj është pro BE pa marrë parasysh.
Për ndryshe, edhe BE por edhe gjitha institucionet që merren me Ballkanin, e njohin shumë mirë Serbinë – e njohin edhe racizmin edhe hegjemonizmin serb – sepse i kanë ekspertët e tyre që e studiojnë Serbinë por edhe ekspertët autokton të Ballkanit qoftë kroatët, boshnjakët apo neve, shqiptarët, që jua kemi shpjeguar dhe ju shpjegojmë sa herë që kanë nevojë”, përfundon ai për “Bota sot”.
