“2026 – Viti i Kurti dhe Osmanit”, profesori zbërthen prapaskenat dhe ‘godet keq’ opozitën!
Viti 2025 u karakterizua me bllokdë institucionale, ku nga muaji shkurt, partitë nuk arritën të formonin institucionet e reja.
Mirëpo, zgjedhjet e 28 dhjetorit prodhuan një rezultat krejt tjetër, ku Lëvizja Vetëvendosja, fitoi afër 50 për qind të votave, ku në këtë mënyrë ka gjasa ta formojë qeverinë pa ndihmën e partive tjera politike.
Se çka na pret tash në vitin 2026, sa i përket zhvillimeve politike, më saktë formimit të institucioneve dhe punës në Kuvend, foli profesoi Enver Bytyçi.
Si fillim, ai tha vitit 2025 mund të quhet vit i bllokadës politike, derisa tregoi se pse Kosova erdhi deri në këtë pikë, ku përmendi edhe bojkotin që partitë shqiptare bashkë me Listën Serbe ia bën Lëvizjes Vetëvendosje.
“Viti 2025 mund të quhet për Kosovën si viti i bllokadës politike dhe institucionale. Më 9 shkurt, pra në fillim të këtij viti, u zhvilluan zgjedhjet parlamentare, të cilat prodhuan një rezultat bllokues, sepse asnjëra palë nuk donte të kishte bashkëpunim dhe koalicion me Listën Srpska. Në fakt Lista Srpska e ka përjashtuar vetë veten nga mundësitë reale për të bashkëpunuar, sepse ka ushqyer në Kosovë, sidomos në veri të saj, antikushtetutshmërinë dhe anti-ligjin. Ndërkaq ajo u lidh përmes Milan Radoiçiqit dhe ndonjë politikani tjetër të saj edhe me akte terroriste si ai i Banjskës. Lidhja me krimin e organizuar, mosnjohja dhe mosrespektimi i institucioneve, kushtetutës dhe ligjit, veprimtaria terroriiste, dhuna ndaj serbëve që pranojnë shtetin e Kosovës, mbështetja e institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë, të gjitha këto kishin paraliizuar dhe bllokuar në fakt përparimin e Kosovës në shtetbërje e shtetndërtim. Ky lloj obskurantizmi i Listës Srpska është shkaku i bojkotit që asaj është detyruar t’ia bëjnë edhe partitë opozitare të Kosovës. Por vetëm se duhet thënë se PDK, LDK dhe AAK e bojkotuan Listën Srpska pasi Vetëvendosja e shpalli atë armike të Kosovës”, deklaroi ai.
ImageProf.Dr. Enver BytyçiFoto galeri
Krahas kësaj, Bytyçi komentoi edhe lëvizjet politike të partive opozitare, derisa kritikoi liderët e tyre.
Sipas tij, opozita kishte në krye të tyre liderë që jetonin në ekstazën për t’u bërë kryeministra.
“Bllokada institucionale zgjati shumë. Për gati dhjetë muaj Kosova nuk qe në gjendje që ta zgjidhë ngërçin e krijuar nga bojkoti opozitar për krijimin e këtyre institucioneve. Lista Srpska qëndroi e heshtur. Ajo bashkë me Beogradin pritën që bojkoti i partive opozitare jo fituese ta çojë vendin në krizë sociale, ekonomike dhe jo vetëm politike. Opozita ose nuk e kuptoi këtë strategji serbe, ose e nënvleftësoi atë. Sepse bëri lojën e Listës Srpska dhe të Vuçiq. Por do të thosha se më së shumti bëri lojën e Edi Ramës të rekorduar me presidentin e Serbisë dhe me Rusinë. Një krizë sociale në Kosovë do ta destabilizonte atë dhe kësisoj në Beograd kishin përgatitur planin për të ripërsëritur ngjarjet e 17 dhe 18 marsit të vitit 2004. Partitë opozitare patën në krye të tyre liderë që jetonin në ekstazën për t’u bërë kryeministra. Nuk pranuan Abdixhiku e Haradinaj asgjë më pak se postin e kryeministrit për të bërë koaliicion me Albin Kurtin. Ndërsa Fatmir Limaj donte të bëhej numri dy i shtetit e me mundësi edhe ushtrues i detyrës së presidentit të Republikës”.
Më tej, profesori vlerësoi se si pasojë e këtyre qëndrimeve, morën një mësim të madh nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndonëse pritshmëritë e tyre ishin tjera.
Madje, tha se nëse nuk mësojnë nga rezultatet e fundit, partite opozitare do pësojnë edhe më shumë në zgjedhjet e ardhshme kurdo që mbahen ato.
“Tamahu i madh i la pa asgjë në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ky është mësimi më i madh që duhet të nxjerrin jo vetëm këta, por gjithkush, secili politikan. Duhet të mësohen politikanët të kërkojnë atë që ua jep sovrani, jo çfarë nuk janë të zotët ta fitojnë me votë. Nëse do t’u shtohet tamahu, do të dalin nga fusha e betejës, siç de facto dolën sipas rezultatit që doli në zgjedhje. Megjithatë në ekranet pro-serbe të TV-ve të Kosovës e ndonjë të Tiranës vazhdon lufta hibride kundër Albin Kurtit, Vjosa Osmanit dhe koalicionit të Vetëvendosjes. Deri aty sa deklarata e zonjës Osmani, se ajo dëshiron një mandate të dytë, ndryshe do t’i hyjë politikës, në mediet shqiptare po interpretohet si presion kundër LDK-së. Fushata vajtuese e analistëve anti-Kosovë në emër të luftës kundër Kurtit dhe Osmanit duhet të marrë fund. Nëse jo, atëherë ndëshkimi për partitë që e frymëzojnë këtë fushatë do të jetë edhe më i tmerrshëm në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato të bëhen”.
Në vazhdim, ai tha se është i domosdoshëm formimi i shpejtë i institucioneve, derisa tha se nuk do paraqiten probleme me bojkot, duke parë rezultatet dhe votat që mori LVV me 28 dhjetor.
“Për vitin 2026 pritet formimi i shpejtë i institucioneve të shtetit. Mazhoranca e përftuar nga zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit që shkoi nuk ka më problem me bojkotin politik. Sovrani, populli i Kosovës dha zgjidhjen goditëse në favor të interesave të Kosovës, kundër obskurantizmit politik. Kjo do të thotë se kryesia e parlamentit dhe qeveriia do të zgjidhen shpejt. Sa më shpejt aq më mirë. Me apo pa koalicion me LDK-në, AAK-në apo LDK-në, kjo ka pak rëndësi. Edhe nëse njëra prej këtyre partive hyn në këtë koalicion, ajo nuk e bllokon vendimmarrjen në parlament dhe në qeveri”, shtjelloi ai.
Ndër të tjera, profesori përmendi sfidat që e presin Kurtin në mandatin e tij, e që u fokusua te reformat në drejtësi.
Për këtë, si domosdoshmëri për tejkalim të këtyre sfidave e pa, mbështetjen që Kurti duhet t’ia bëjë Vjosa Osmanit për një mandat të dytë.
“Sfida e këtij mandate për parlamentin e ri dhe qeverinë Kurti është e do të jetë gjyqësori. Reforma në gjyqësor është shumë e domozdoshme, jetike. Duhen reformuar të gjitha shkallët e gjzqësorit dhe të dz pjesët e tij përbërëse, prokuroria dhe gjykatat. Pra, personalisht do të doja që të mos kopjohet modeli i Shqipërisë. Thjesht të miratohen disa ligje më të rrepta dhe më të qarta për goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërkaq duhet rifreskuar Gjykata Kushtetuese, e cila është përgjegjëse po aq sa partitë opozitare për ngërçin politik e institucional që kaloi Kosova. U treguan jurist e njerëz të papërgjegjshëm për fatin e vendit të tyre. Kjo do të duhej shënuar në CV e tyre.
Por që qeveria Kurti ta kapërcejë më sukses këtë sfidë duhet që kryminsitri të shpallë sa më shpejt faktin se ai e mbështet Vjosa Osmanin për një mandat të dytë në krye të shtetit. Ajo ka treguar se është e përjushtuar për ta reformuar sistemin e drejtësisë në Kosovë. Dhe pa këtë reformim nuk mund të pastrohet klasa politike nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit. Pastrimi dhe vetëpastrimi është rruga e vetme që garanton një paqe të qëndrueshme të brendshme dhe përparime e suksese në përballimin e sfidave të tjera”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.
