Numërohen 60% e votave nga ambasadat dhe konsullatat, LVV thellon epërsinë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat lidhur me numërimin e votave nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës jashtë vendit.
Sipas KQZ-së, deri më tani janë procesuar 24 nga gjithsej 40 vendvotime, që përbëjnë rreth 60 për qind të totalit të votave nga misionet diplomatike.
Rezultatet e deritanishme tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje po kryeson bindshëm edhe në këtë kategori votimi, duke marrë shumicën dërrmuese të votave të numëruara deri tani.
Rezultatet aktuale nga votimi diplomatik:
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – 87.01% apo 5,915 vota
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 5.62% apo 382 vota
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 4.80% apo 326 vota
AAK – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 1.54% apo 105 vota
KQZ ka bërë të ditur se procesi i numërimit do të vazhdojë edhe me vendvotimet e mbetura, ndërsa rezultatet përfundimtare nga votimi jashtë vendit mund të kenë ndikim në ndarjen e mandateve, veçanërisht në garat e ngushta brenda subjekteve politike.
