TË FUNDIT

Avokati Halilaj reagon ndaj Listës Serbe, kërkon hetim të menjëhershëm

Dyshimet për votim në grup nga Lista Serbe kanë ngritur shqetësime lidhur me integritetin e zgjedhjeve.

Sipas raportimeve, dhjetëra qytetarë serbë u mblodhën pranë selisë së partisë dhe më pas u drejtuan së bashku drejt qendrave të votimit, duke ngjallur dyshime për presion ndaj vullnetit të lirë të votuesve.

Avokati Gazmend Halilaj në një prononcim për “Bota sot”, ka raportimet për votimin në grup nga disa votues të Listës Serbe janë shqetësuese, dhe se çdo presion mbi votuesit shkel parimet themelore të votës.

“Lidhur me raportimet se në zgjedhjet e sotme disa votues të Listës Serbe kanë votuar në grup, theksojmë se procesi zgjedhor duhet të zhvillohet në përputhje të plotë me parimet e votës së lirë, të fshehtë dhe individuale.

Votimi në grup, nëse cenon fshehtësinë e votës ose ushtron presion mbi vullnetin e votuesve, përbën shkelje të parimeve themelore të procesit zgjedhor dhe mund të jetë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Çdo votues duhet të ketë mundësinë të shprehë vullnetin e tij pa ndikim, frikësim apo orientim nga të tjerët”, ka thënë ai.

Gjithashtu, ai ka shtuar se përgjegjësia për çdo parregullsi bie mbi organet zgjedhore dhe institucionet kompetente, të cilat duhet të reagojnë menjëherë, të hetojnë pretendimet dhe të ndërmarrin masat ligjore nëse konstatohet shkelje.

“Në raste të tilla, përgjegjësia bie mbi organet zgjedhore dhe institucionet kompetente që të reagojnë menjëherë, të hetojnë pretendimet dhe, nëse konstatohet shkelje, të ndërmarrin masat e parapara me ligj. Gjithashtu, ftojmë vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe qytetarët, që çdo parregullsi ta raportojnë zyrtarisht pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organeve të rendit.

Ruajtja e integritetit të procesit zgjedhor është thelbësore për demokracinë dhe besimin e qytetarëve në institucione”, ka deklaruar Halilaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *