Kurti: Qeveria do të vazhdojë mbështetjen për prodhimin vendor
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar rritjen e vazhdueshme të një fabrike vendore të ujit, duke vënë në pah zhvillimin e prodhimit dhe zgjerimin e eksporteve në tregun rajonal.
Sipas Kurtit, fabrika po rritet vit pas viti dhe përveç tregut vendor, produktet e saj tashmë po eksportohen edhe jashtë Kosovës. Aktualisht, mbi 250 punëtorë janë të angazhuar në këtë kompani, e cila operon me pesë linja prodhimi dhe ruan standarde të larta të cilësisë.
Ai bëri të ditur se përfaqësuesit e kompanisë i ka ftuar të përfitojnë nga iniciativat qeveritare, përfshirë programin “Superpuna” për të rinjtë, si dhe nga iniciativa e paralajmëruar për mandatin e ardhshëm, “Superpuna për Gratë”.
Në përfundim, Kurti theksoi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë pranë bizneseve dhe kompanive vendore, duke i përkrahur ato në rritjen e prodhimit, punësimin dhe forcimin e ekonomisë së vendit.
